Home Gjeo-Ekonomia 23 vite nga “11 Shtatori”, SHBA kujton sot sulmet më të mëdha...

23 vite nga “11 Shtatori”, SHBA kujton sot sulmet më të mëdha terroriste që shkaktuan mbi tre mijë viktima

Katër avionë me pasagjerë u rrëmbyen 23 vite më parë nga terroristët islamikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Më 11 shtator 2001, kamikazët rrëmbyen avionë amerikanë dhe i përplasën në dy qiellgërvishëset e qytetit të New York-ut, duke vrarë mijëra njerëz.

Katër avionë që fluturonin mbi pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rrëmbyen njëkohësisht nga një ekip i vogël rrëmbyesish.

Më pas ata u përdorën si raketa gjigante të drejtuara për të goditur ndërtesat ikonike të New York dhe Washington. Dy avionë u përplasën me Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York.

Aeroplani i parë goditi Kullën Veriore në orën 08:46 të mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa aeroplani i dytë goditi Kullën Jugore në 09:03 të mëngjesit sipas kokës lokale.

Ndërtesat morën flakë, duke bllokuar njerëzit në katet e sipërme dhe duke përfshirë të gjithë qytetin me tym të dendur.

Në më pak se dy orë, të dy kullat 110-katëshe u shembën në një re të madhe tymi.

Në orën 09:37, një aeroplan i tretë shkatërroi krahun perëndimor të Pentagonit, selinë e madhe të ushtrisë amerikane pranë Uashingtonit.

Një aeroplan i katërt u rrëzua në një fushë në Pensilvani në orën 10:03 të mëngjesit pasi pasagjerët rezistuan.

Besohet se rrëmbyesit synonin të sulmonin ndërtesën e Capitol-itg në Washington.

2.977 persona humbën jetë, bashkë me 19 rrëmbyesit.

Të 246 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në katër avionë vdiqën, në Kullat Binjake, 2.606 njerëz vdiqën në vend ose më vonë nga plagët, dhe 125 njerëz vdiqën në Pentagon.

Viktima më e re ishte Christina Lee Henson dy vjeçe, e cila vdiq në një nga aeroplanët me prindërit e saj, Peter dhe Sue.

Mijëra njerëz u plagosën ose u diagnostikuan më vonë me sëmundje të lidhura me sulmet, duke përfshirë zjarrfikësit që punonin në rrënoja.

Sulmet ishin planifikuar nga Afganistani nga rrjeti ekstremist islamik Al Kaida. E udhëhequr nga Osama Bin Laden, Al Kaida fajësoi SHBA-në dhe aleatët e saj për luftërat në botën myslimane.

Rrëmbimet u kryen nga 19 persona, duke punuar në tre ekipe me nga pesë anëtarë secila dhe një nga katër – në një aeroplan që u rrëzua në Pensilvani.

Secili grup kishte dikë që kishte kryer trajnimin e pilotëve në shkollat e fluturimit në SHBA. Pesëmbëdhjetë nga rrëmbyesit ishin sauditë, ashtu si edhe vetë Bin Laden. Dy ishin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Organizatori i dyshuar i sulmeve të 11 shtatorit, Khalid Sheikh Muhammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003. Që atëherë, ai është mbajtur në paraburgimin amerikan në Gjirin e Guantanamos, ku është në pritje të gjyqit.

U deshën më shumë se tetë muaj për të pastruar “Fushën Zero”, vendi ku u shembën Kullat Binjake. Tani ka një monument dhe një muze në atë vend, dhe ndërtesat janë rindërtuar, por me një pamje tjetër.

Rinovimi i Pentagonit zgjati pak më pak se një vit dhe stafi u kthye në zyra në gusht 2002.

Lideri i Al Kaidës Bin Laden u vra nga trupat amerikane në Pakistanin fqinj, në vitin 2011.

Top Channel

Share: