Ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, i shikon me skepticizëm lëvizjet e fundit të Albin Kurtit në raport me veriun e Kosovës.
Kapchan mendon se më shumë sesa në interes të vendit, ato janë në interesin e vetë kryeministrit dhe motivohen nga politika e brendshme, përpara zgjedhjeve të shkurtit. Vendimi i Prishtinës zyrtare për mbylljen e disa institucioneve paralele serbe në veri nxiti reagimin e ashpër të NATO-s, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilat e cilësuan si “të pakoordinuar” me aleatët perëndimorë dhe me rrezik për sigurinë. Kupchan mendon se gjërat shkojnë përtej shpjegimit publik që iu bë lëvizjeve të tilla debatndjellëse.
“Për mua, këto janë gjeste dhe manovra në nivel të politikës së brendshme, të cilat mund të jenë të mira për fatin politik të kryeministrit Albin Kurti, por nuk janë të mira për Kosovën. Mendoj se kjo situatë është veçanërisht shqetësuese, sepse vjen pas një sërë hapash që ka ndërmarrë Qeveria e Kurtit që prej ardhjes në pushtet, e që kanë penguar dialogun me Serbinë dhe kanë rrezikuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Kosova duhet ta balancojë ushtrimin e sovranitetit me synimin t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë dhe për t’u bërë vend anëtar i BE-së dhe NATO-s“, tha Charles Kupchan për Radio Evropa e Lirë.
Kupchan kujton ndalimin e përdorimit të dinarit, detyrimin për ndryshimin e targave, përpjekjen për vendosjen e kryetarëve në komunat në veri, e së fundi tentativat për hapjen e urës së Ibrit, si hapa që nuk e kanë ndihmuar dialogun, por tani që zgjedhjet në Kosovë janë shpallur për muajin shkurt, mendoj se Kurti po pozicionohet për t’ia dalë mirë në atë proces, shprehet ai. Eksperti përcjell bindjen personale se një lëvizje e tillë e kryeministrit është sipas tij dritëshkurtër, sepse e minon mbështetjen e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk ndihmon për ta çuar përpara dialogun me Serbinë, përkundrazi, e kthen prapa.
Top Channel