Home Gjeo-Ekonomia Politika (ballkanike) si religjioni!

Politika (ballkanike) si religjioni!

Nga Fahri Musliu

Ka kohë që në vendet e Ballkanit në përgjithësi, politika është bërë një lloji i metafizikës dhe i religjionit të ri, opium ekzotik për masat e gjera popullore. Thënë ndryshe, ajo është Moloh (Zoti fenikas i diellit dhe i mirëqenies, si dhe i thatësirës, sëmurjeve dhe i të këqijave me të cilin, në ritualet fetare është bërë kurban fëmija i lindur sefte) që gllabëron gjithçka. Politika po përshkon çdo pore të jetës. Është e pranishme gjithandej. Çdo gjë i është nënshtruar asaj dhe orientohet sipas saj. Nga ajo gjithçka e thith forcën dhe fuqinë.

Në këtë religjion të ri hyjni supreme është udhëheqësi partiak (shefi). Populli i zgjedhur dhe vlera më e lartë është partia; e mira supreme është organizata e fortë dhe efikase; morali më i lartësuar – adhurimi i prijësit dhe “status quos”; liria më e madhe është zhytja në parti dhe pa-personaliteti total.

Zëdhënësit (kasnecët) janë “apostuj të religjionit të ri”. Puna më fitimprurëse të jesh anëtar i partisë, bukuria më e lartësuar është glorifikimi i udhëheqësit të partisë, të organeve më të larta partiake (shenjtorëve të partisë) dhe i afaristëve (oligarkëve); detyra primare është të mos e kesh Unin tënd (mendimin. qëndrimin, gjykimit tënd) veç Unin e partisë dhe të flasësh krejt çka mendon dhe dëshiron prijësi (kryetari); të arriturat më të shkëlqyeshme intelektuale janë apologjitë e suksesshme për gjithë-dijen (gjithologjinë) e prijësve partiak dhe i të gjitha veprimeve të tij.

Partia i ka “librat e veta të shenjta” (programin, statutin), „ikonat” (pankartat dhe fotot e prijëseve-shefave), „sendet e shenjta” (emblemat, suveniret), „tempujt” (selitë e partive), „festat”, „ritualet dhe kremtet”.

Intelektualët dhe shkencëtarët më të çmuar janë ata “shërbyesit” të cilët e propagandojnë “të menduarit për pushtet”. Aty janë edhe fjalët e shenjta – parullat: „vullneti i popullit” (i blerë me premtime boshe) , „të drejtat e njeriut” (mashtrim optik për popullin), „demokracia” (ombrellë për keq-bërje) , „tregu i lirë” (mundësi për kontrabandim), zhvillimi ekonomik (me shifra falso), investimet kapitale (imagjinare), „interesat e shtetit e të kombit”, „integrimet euroatlantike”, Kosova”, “Serbia” “Rusia”.

E kthejnë gëzofin kah frynë era. Sot e marrin një vendim dhe kur nuk janë në gjendje ta zbatojnë gradualisht e heshtin duke sajuar ndonjë rast të ri. Jo-bashkëmendimtarët janë armiq. Kush largohet nga partia është heretik dhe më i “rrezikshëm se ata që nuk mendon si ne”. „Shpëtimi” i popullit nis kur “ata” të vijnë në pushtet, kurse “parajsa” kur të hynë në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe kur “këta” të mos jenë në pushtet.

Ditët e “zgjedhjeve” janë shndërruar në kohë apokaliptike. Ato janë “ditë vendimtare”, “ditë të jetës a vdekjes”. Për tu fituar pushteti apo për të mbetur në pushtet gjithçka është e lejueshme: të gjitha metodat e shpëlarjes së trurit, falsifikimi, hipokrizia, lakmia, vardisja, fyerjet, shpifjet, akuzat dhe epitetet tmerruese. Është obligim: të angazhohet publikisht për gjërat e përgjithshme, për të mirën e popullit e të shtetit, kurse praktikisht duhet gjithçka me ia nënshtruar interesit personal dhe interesit partisë “tënde” (kastës ose klanit).

Religjionin e ri (pra politikën) çdo kund dhe në secilin vend po e bëjnë të pranishme mediat. Ato po i kushtojnë më shumë hapësirë e kohë (TV) se çdo gjëje tjetër (por edhe ajo tjetër pak e shumë është e melmosur me politik). Mediat në masën më të madhe janë „shërbim” (“servis”) i apostullit dhe i predikuesit të fjalëve boshe dhe të parullave, lirisë, panderit , fyerjeve dhe shpifjeve. Ato në masë të madhe janë në shërbim të njerëzve – vet-reklamues të cilët veten e kanë shndërruar në religjion, të cilët nuk për askënd fjalë të mira as për veten të këqija.

Ky religjion i ri, pra politika, është religjion i shkatërrimit, ndarjes, çintegrimit, i aftë vetëm për prodhimin e njerëzve të dështuar dhe të papërfunduar. Ky është totalitarizëm i ri dhe idhujtari, të cilat me sukses na kthejnë në parahistorinë e largët.

Nëse gjykohet sipas “agjitimit” dhe veprimit të partive (kastave) tona gjatë viteve të shkuar, mund tua kenë lakmi sektet më totalitare. Që dike ta rekrutojnë dhe përfitojnë është e lejueshme çdo gjë: korrupsioni, shantazhi, premtimet e rrejshme, frika, demonizimi i jo-bashkëmendimtarëve, krijimi i panikut dhe i pashpresës, frikësimi me luftën që po na vjen nga Serbia.

E gjithë kjo bëhet në emër të “idealeve të shenjta”: „Evropës”, “NATO-s”, “aleatit të përjetshëm – SHBA”, të ardhmes së “ndritshme”, „mirëqenies popullore”, “demokracisë së zhvilluar”.

Dhe ashtu, me shpejtësi të pabesueshme, me sukses dhe efikasitet, i heqin kufijtë midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, të mirës dhe të keqes.

Me politikën si me religjionin dhe metafizikën (por edhe me religjionin si me politikën), sikurse thotë një satirik, „nuk duhet të brengosemi për të ardhmen, sepse as nuk e kemi”, të paktën ne në Kosovë!?

Share: