Home Gjeo-Ekonomia Zelenskyy, thirrje vendeve aleate për ndihmë ushtarake

Zelenskyy, thirrje vendeve aleate për ndihmë ushtarake

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u kërkoi Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera partnere më shumë mbështetje ushtarake për vendin e tij në luftën me Rusinë. Ai e bëri thirrjen të premten gjatë një takimi me udhëheqësit e lartë ushtarakë të Shteteve të Bashkuara dhe më shumë se 50 vendeve të tjera në Gjermani, pasi Uashingtoni njoftoi se do t’i japë Kievit 250 milionë dollarë të tjera ndihmë sigurie.

Takimi u mbajt në bazën ushtarake amerikane Ramstein. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se është një moment kritik i luftës, ndërsa Ukraina kryen operacione sulmuese brenda Rusisë por njëkohësisht përballet me një kërcënim të madh në Lindje.

“Moska vazhdon ofensivën në lindje të Ukrainës, veçanërisht rreth Pokrovskit. Putini po ripozicionon trupat e tij në Kursk. Dhe Kremlini vazhdon të bombardojë qytetet e Ukrainës dhe të vërë në shënjestër civilët ukrainas”, tha ai.

Deri tani, sulmi i befasishëm i Ukrainës brenda territorit të Kurskut të Rusisë, nuk e ka larguar vëmendjen e Presidentit Vladimir Putin nga përpjekjet për të marrë nën kontroll qytetin e Pokrovskit, një korridor kritik hekurudhor furnizimi për ushtrinë ukrainase. Humbja e kontrollit të këtij qyteti, do të paraqiste rrezik për qytete të tjera të Ukrainës.

Ishte hera e parë që zoti Zelenskyy shkonte në Ramstein për t’iu drejtuar Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës dhe ai e përdori këtë mundësi për të theksuar se SHBA dhe Perëndimi duhet ta lejojnë Kievin t’i përdorë armët e dërguara prej tyre për të goditur brenda Rusisë, diçka që SHBA nuk e ka mbështetur nga shqetësimi për përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës.

“Ne duhet ta kemi këtë aftësi me rreze të gjatë veprimi, jo vetëm në territorin e ndarë të Ukrainës, por edhe në territorin rus, në mënyrë që Rusia të jetë e motivuar për të kërkuar paqen. Ne duhet t’i bëjmë qytetet ruse dhe madje edhe ushtarët rusë të pyesin veten nëse do të zgjedhin paqen apo Putinin”, tha zoti Zelenskyy.

Pas sulmeve të fundit ajrore vdekjeprurëse të Rusisë, zoti Zelenskyy ka ripërtërirë thirrjet ndaj Perëndimit për lehtësimin e kufizimeve për përdorimin e armëve dhe për të dërguar armatime me aftësi më të mëdha për të goditur më thellë brenda Rusisë.

Zelenskyy tha gjithashtu se sistemet që janë premtuar, nuk kanë arritur aq shpejt sa ç’duhet.

“Është e rëndësishme që çdo paketë e premtuar, të vihet në funksionim menjëherë në fushën e betejës, pa asnjë vonesë. Nga kjo varet ecuria e luftimeve në rajonin e Donetskut. Nëse Putini nuk shënon arritje atje, ai nuk do të mund të përparojë më tej”, tha ai.

Takimi i të premtes u përqendrua tek furnizimet e mëtjeshme të ushtrisë së Ukrainës me mbrojtje ajrore dhe artilerie dhe në përforcimin e bazës industriale të mbrojtjes të Ukrainës, në muajt e fundit të mandatit të Presidentit Joe Biden.

Për dy vjet, anëtarët e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes kanë plotësuar nevojat e mëdha të Ukrainës për artileri dhe mbrojtje ajrore, duke filluar nga armët e lehta e deri tek disa nga sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes ajrore të Perëndimit dhe së fundmi avionë luftëtarakë.

Vendet anëtare të Grupit të Kontaktit kanë ofruar gjithsej rreth 106 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë për Ukrainën, 56 miliardë nga të cilat janë dhënë nga Shtetet e Bashkuara./voa

Share: