Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e kryesuar nga Kryetarja e këtij institucioni, Holta Zaçaj, zhvilloi sot një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy Van Horn.
Ky takim vjen në valën e një sërë çështjeve të “nxehta” që Gjykata Kushtetuese ka në dorë.
Mes këtyre çështjeve është shqyrtimi i kërkesës së avokatëve të çështjes ‘Metamofoza’ për shpalljen të paligjshme të përgjimeve të SKYECC. Po ashtu një tjetër çështje e “nxehtë” është edhe ajo e procedurave të ndjekjes së SPAK për arrestimin e Berishës.
Në njoftim GJK ka bërë me dije se gjatë këtij takimi Zaçaj përmendi disa prej hapave të ndërmarrë në lidhje me transparencën dhe informimin e publikut për veprimtarinë e institucionit të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim jo vetëm rritjen e reputacionit dhe kredibilitetit të këtij institucioni, por edhe bërjen të kuptueshme nga publiku i gjerë të vendimeve të saj.
“Duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Gjykata Kushtetuese, si një prej institucioneve më të larta në hierarkinë shtetërore, si dhe rëndësinë që mbart paanshmëria dhe integriteti i gjyqtarëve në përmbushjen si duhet të misionit të saj Kushtetues, palët në takim shprehën angazhimin për gjetjen e mekanizmave të mbështetjes dhe bashkëpunimit për rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës, në funksion të rritjes së pavarësisë institucionale, garantimit të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të individit, forcimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Top Channel