Home KRYESORE Poezi mbi kanavacë

Poezi mbi kanavacë

Nga Gladiola Busulla

Pranvera valëzon mbi supet e botës.
Flladitja e detit dhe aguliçet,
zgjojnë pëshpërimat e shpirtit.
Në shtretër trëndafilash
kridhen kundërmimet agimtare.
Trishtilët e murrmë shfaqen
mbi akorde degësh të brishta.
Dheu i etur për drithërima
përpin shirat e freskët të prillit.
Në shtëpinë e pranverës
buzëqeshin korijet.
Preludi i simfonisë endet
në tokë, në qiell, në ajër…
në burimet e fjetura – ku ujërat
plot lirizëm gurgullojnë.
Dhe poezia lind mbi kanavacë
si një simfoni e gëzueshme ngjyrash.

Qielli

Qielli në sfond –

pasqyron ëndrrat

ngjyer në lapis lazul.

Gjiganti i përjetshëm

Mbi përpëlitjen e kohës.

Muzgu shëmbëllen

me një akuarel blu –

brenda lotit që rrjedh si ujëvarë,

në dashuritë e harruara.

Atomet e padukshme të puthjeve

përplasin krahët në terr.

Dhe qielli murmurin mijëra lutje

që rrokullisen në humbëtirë.

Share: