Home Gjeo-Ekonomia BE, vlerësim, kritika dhe detyra! Raporti për Shqipërinë: Pranë anëtarësimit, SPAK shkëlqeu....

BE, vlerësim, kritika dhe detyra! Raporti për Shqipërinë: Pranë anëtarësimit, SPAK shkëlqeu. Gjeni konsensus në Kuvend

Kreu delegacionit të BE në Tiranë Silvio Gonzato i dorëzoi kryeministrit Edi Rama raportin e Progresit 2024, të cilin kreu i qeverisë në një konferencë për mediat e komentoi si një ritual, çdo tetor në marrjen e rezultateve të provimeve vjetore.

Rama: Raporti është real dhe i balancuar dhe siç njeh të gjitha përpjekjet e progresin e bërë, shënjon me përpikmëri dhe piketat për hapat që duhen bërë më tej, si dhe çështjet ku duhet të përqendrohemi për t’i përmbushur plotësisht kushtet e anëtarësimin dhe në paraqitjen e përmbledhur.

Ambasadori Gonzato kërkoi mos-humbjen e ritmit të tanishëm të vendit tonë me reformat.

Gonzato: Komisioni mbështet çeljen e grup kapitullit 6, marrëdhëniet me jashtë, drejtë fundit të këtij viti nëqoftëse ky trend pozitiv vazhdon, çka është më e rëndësishme, Komisioni deklaron se është gati të mbështesë objektivin ambicioz të qeverise shqiptare për të mbyllur negociatat për anëtarësim deri në fund të 2027. Siç e thashë, këto afate ambicioze mund të bëhen realitet në qoftë se autoritetet shqiptare intensifikojnë më tej hapin e reformave të orientuara nga BE, konkretisht të sundimit të ligjit.

Më tej ambasadori Gonzato paraqiti disa gjetje shqetësuese në progres raport të cilat duhen adresuar prej qeverisë dhe organeve të drejtësisë.

Gonzato: Korrupsioni vazhdon të shihet si një shqetësim serioz. Raporti vëren disi progres në luftën kundër korrupsionit dhe kjo ndodh për shkak të punës së shkëlqyer të bërë nga SPAK i cili ka vazhduar të prodhoje rezultate konkrete përfshirë edhe për çështje që përfshinë politikanë dhe zyrtarë të nivelit të lartë. Komisioni bën thirrje po kështu për përpjekjet për të forcuar më tej rritjen e referimeve pro aktive të institucioneve. Gjithashtu për të forcuar si dhe për një thirrje pro aktive të referimeve të institucioneve përkatëse në SPAK. Shqetësimet mbeten sa i përket orvatjeve për ndërhyrje dhe trysni politike në sistemin gjyqësor dhe mangësi sa i takon emërimeve bazuar në merita anëtarëve jo magjistratë në KLGJ dhe në KLP si dhe integritetin e tyre.

Diplomati BE-s nënvizoi një tjetër gjetje në raport e cila lidhet me klimën e polarizuar në parlament.

Gonzato: Mesazhi kryesor këtu është nevoja urgjente për të rindërtuar një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës politik dhe kjo është thelbësore për sistemin demokratik të Shqipërisë, por gjithashtu dhe për mundësinë për të realizuar reformat e lidhura me BE.

E ndërsa ambasadori BE u shpreh se shpresonte në gjetjen e një rrugë për të riangazhuar opozitën kryeministri Rama dha këtë koment.

Rama: Qeveria nuk ka disponimin të ulet me opozitën. Tanimë, unë mund të flas edhe për eksperiencën në krye të opozitës dhe kur ne kemi qenë në opozitë, problemi ka qenë që qeveria nuk pranonte të fliste me ne dhe kemi dërguar letra për të kërkuar të flasim. Nuk kemi marrë përgjigje. Kemi bërë propozime për të kërkuar të bashkëpunojmë, nuk kemi marrë përgjigje. Ndërkohë që sot, jo sot, por që nga dita e parë dhe deri më sot dhe deri ditën kur të paktën unë do të jem në këtë detyrë, asnjëherë nuk do të jetë problem qeveria dhe shumica për tu ulur në tryezë dhe për të diskutuar, por diskutimet bëhen përmes gjuhës e jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve dhe muskujve. Kjo është shumë e thjeshtë.

Top Channel

Share: