Edhe më padyshim, të pandyerit e Nolit nuk ka patur thjeshtë e vetëm arsyet organike të krijimit të tij, por dhe ato të imponuara të shqipes e Shqipërisë. Këto të fundit si arsye krijimi, me specifikën e tyre e kapërcenin gati cilësisht atë kushtëzim që retorika ia njeh natyrshëm pikërisht krijimit. Vendi i origjinës së Nolit dhe jo thjeshtë ai i vendlindjes, pandehej se ekzistonte madje dhe pandehmën e vetme e bënin të ndihej vetëm publicistët e veprimtarët, e mes tyre dukshmërisht Noli.
‘E vërteta për Nolin…’, nuk do të ishte asnjë ndodhi e ndryshme, aq më pak e vërtetë, nëse impresionohet si deri tani nga ‘materia Noli’. Rikthimi i Nolit, si pandehmë e paartikuluar e kodit të mbijetesës së një vogëlushi shëndetlig, pa të cilin nuk do ta kishim veprën e tij sot, nuk ka rënë në sy ende në letrat kritike të shqipes aq më pak të provokojë me retorikë. Kuptimi që rri nderur në vepër si për të treguar se çfarë pa ‘përtej’ dhe pse mbeti në jetë, lexuar si mision prej Nolit, nxit procese shpjegimesh të pangritura ende. Të ngjarat historike sipas pjesëmarrjes ose ndërmjetësimit mediatik të Nolit mbi to dhe, më tej, shpjegimi sipas veprës së ligjërimit, rikthejnë në dritë vdekatarin që e solli trupin e tij dy herë nga ‘e përtejmja’ për të thënë të pathënat ende të shqipes së deriatëhershme që vazhdojnë të marrin frymë në Publicistikën e tij.
Fakti se çfarë kanë dhënë për kuptim letrat apo e folura e zbardhur e Nolit me paravajtje kodin retorik, ka konfigurim teorik. Gadamer ka përfunduar i sigurtë se:
‘Përsa kohë ekziston një teori retorike, të gjithë tekstet hartohen sipas metodologjisë. Nëse zbatohen kategoritë retorike në interpretimin e teksteve, atëherë është kryer një kontribut në ndriçimin e rregullshmërisë së qëllimshme të formës’ .
Pikërisht kjo që ndodh më tepër në vepër, orientohet nga Gadamer po mbi fjalinë-formulë se:
‘Ajo që është konceptuar nën presionin e mënyrës së të shprehurit dhe të të menduarit, bëhet tani e mundur përmes përshkrimit të analitikëve’ .
Por pyetja e gjerë e fenomeneve retorike në një vepër publicistike rrezikon jo rrallë të mbetet dhe vetë retorike, gjë që nuk do të sugjeronte asnjë materie të shpjeguar e jo më kuptim. Në të njëjtën kohë, ky proces, sa dhe vetë Noli, i sfidon përkundrejt kritikës që nuk ia ka bërë akoma, disa pyetje mijëvjeçare, si ajo e Methieu de Vendome në 1170 mbi atë që ka pyetur para tij Quintiliani e që retoricieni Thomas Wilson në shekullin XVI i jep si:
‘Who, what, and where, by what help, and by whose;
Why, how, and when, do many things disclose’
Edhe më ngulmuese bëhet habia e moskonsiderimit të deritanishëm të retorikës kur gjykon veprimin e gjendjen e shumëfishtë të saj në veprën publicistike – si dukuri për t’u analizuar, por dhe një mënyrë për të vështruar Nolin autor. Gjetja e substancës reale nga analiza dhe formalizimi i saj sipas kuptimit të Plett, shpjegon organikisht kompetencën retorike të Nolit. Prurjet vetjake autoriale janë emri tjetër për këtë substancë, të pandehur ose informale deri tani në letrat e kritikës shqipe në terma sa më lart.
‘E vërteta për Nolin’ sugjeron kështu një proces kuptimi të tij, jo siç e duam, por siç është.
Vijon në POSTIMI III