Këtë të enjte u bë me dije plani që Britania e Madhe mund të ndërmarri për të stimuluar ndërtimin e shtëpive të reja. Një sistem i riplanifikuar për të stimuluar rritjen dhe për të arritur targetin 1.5 milionë shtëpi të reja të ndërtuara në pesë vitet e ardhshme do të vihet në zbatim.
Objektivi për ndërtimin e shtëpive ishte një nga gjashtë “pikat kryesore” të shpallura nga Kryeministri Keir Starmer një javë më parë, kur ai premtoi të rivendoste një sistem planifikimi.
Starmer tha të enjten se kriza e strehimit ka bërë që “ëndrra për të pasur një shtëpi” të duket si një realitet i largët për shumë njerëz.
“Plani ynë për ndryshim do të vërë ndërtuesit, jo pengesat, në krye, do të rishikojë sistemin e dështuar të planifikimit dhe do të sigurojë strehë për familjet punëtore, duke nxitur rritjen që do të vendosë më shumë para në xhepat e njerëzve,”- tha ai në një deklaratë.
Qeveria njoftoi se do të ketë objektiva të rinj të detyrueshëm për ndërtimin e shtëpive, duke përfshirë ndërtimin e më shumë shtëpive aty ku strehimi është më pak i përballueshëm.
Autoritetet lokale do të kenë 12 javë kohë për të hartuar plane për ndërtimin e shtëpive të reja, përndryshe do të rrezikojnë ndërhyrjen nga ministrat. / abcnews.al