Home KRYESORE Aromë lulesh prilli. Tregim nga Artur Spanjolli

Aromë lulesh prilli. Tregim nga Artur Spanjolli

Ajo rrinte në këmbë, me shikimin nga dritarja e madhe. Drita e verdhë e mbasdites futej me përtesë. Ishte një plogështi drite fundgushti, ku ndiheshin edhe pse të pakta, shkëndijat e para të vjeshtës. Një dritë e kthjellët, por më e ftohtë, më e kursyer, më e mbarsur me freskun e shtatorit. Tutje xhamit të madh, tek tuk, ca re përtace, rrinin pezull mbi qiellin kobalt. Përtej dhomës së madhe, që nga perdja e mëndafshtë ngjyrë qumështi shquheshin tjegullat e qytetit. Tymtaret, antenat si dhe kryqet shquheshin gjithkund. Ishte vërtetë një mori e kuqe tjegullash, por nuk kuptohej mirë ç qytet ishte. Me siguri flitej për një nga ato qytetet e mesdheut ku dielli është i pjekur, i verdhë, i ngrohtë. Kish veshur një fustan të zi prerë thjeshtë, i cili ja zbulonte një pjesë të kofshave. Fustani xixëllinte i tëri nga dritëza e vogla të cilat si yje ndizeshin dhe fikeshin mbi trupin e saj. Mbi fustanin ngjitur me trupin prerë me fyt U, mbante një varëse floriri, e cila i zhytej brenda fustanit. Ishte një fustan mbrëmje, i cili ja zbulonte format e trupit. Nga ato rrëzëllitëset, me fije mëndafshi dhe poliestër, nga ku sipër vitheve, përreth mesit, i varej një zinxhir i kabashëm ngjyrë ari. Çantën e vockël të lëkurës e kishte mbështetur mbi divanin veshur me damask. Tek e kqyrte nga cepi i tij, ku rrinte ulur me shampanjën në dorë, i shihte shpatullat e larta, flokët e mëndafshtë, të dendur që i derdheshin bukur mbin supet që cilët i mbulonin qafën. Rrinte krejt e heshtur, si e përpirë nga drita, paksa e ftohtë dhe me një freskurë të çuditshme fundvere. Edhe ajo, mbante gjithashtu një gotë kristali me fron që i rrëzëllinte në dorë, nga ku shquheshin bulëzat e shampanjës shkumëzuese.

Me siguri po shihte ëndërr. Takimi po ndodhte në ndërgjegjen e dikujt. Jo më kot gjithçka ishte sa e mundshme, po aq e pamundëshme. Gjëja më e panatyrshme ishte se edhe pse flitej për një ëndërr, ajo që po ndodhte kishte një llogjikë të egër racjonale.

Pastaj ajo u kthye nga ai, buzëqeshi dhe ndenji ashtu, duke e fiksuar me sy. “Sa herë që udhëtoj!” i tha. “E bëj natën. Ndaj nuk kam as orare, as plane, as qëllime!”

Më tutje shkeli me këpucët e holla mbi tapet, plot hijeshi dhe kujdes, derisa iu ul pa zë mbi divanin përballë. Nga sytë fare të zinj, lyer vëmëndshëm me rimel, qepallat ishin nxirë aq shumë sa dukej se ja kishin shtuar ëmbëlsinë e vështrimit. E pa me sytë e dashur. Kishte në ato sy, admirim, dritë, emocjon. Buzëqeshi pak, lehtas, plot mirëdashje ku kishte një përzierje mirnjohjeje, vlerësimi dhe kurjoziteti. Një kurjozitet grishës, i cili shquhej që larg. Ajo nuk po i bën sytë e ëmbël në atë kuptim! Është e natyrshme! mendoi ende. Kur gratë kalojnë të pesëdhjetat fundbarku fillon dhe ftohet! Nuk e dinte ç’të mendonte. Dikur, kur gjaku i ziente fort dhe e vetmja vajzë që i kishte pushtuar fantazinë ishte kjo zonjë, atëherë, po, do ta kish dëshiruar me zjarr dhe lot.  Por tani, ishte më shumë një takim kërshërie dhe malli të çuditshëm. Si të ishte epilogu i një ndodhie që nuk kishte ndodhur kurrë. Një përmbledhje, bilanc mbi të gjithë dështimet e tij.

  Heshtja u pllakos çuditshëm. Ajo e uli vështrimin, e mbështeti gotën e kristaltë me fron mbi syprinën e qelqtë të tavolinës, mori paketën, nxorri një cigare të hollë të bardhë, e ndezi dhe e thithi fort. Kornizat me piktura mbi mure, ngjyra krem e murit, rafti me librat më tutje, vazot prej qeramike, gjithçka dukej sikur kishte veshë, sy, shqisa. Ndërsa në fund, në mugëtirë, gjendej një minibar. Një trafik i çuditshëm emocjonesh i lëvrinte në shpirt. I vështronte qafën. Shpesh kishte menduar se qafa e një vajze flokëshkurtër, kishte vërtetë diçka tejet të brishtë dhe erotike. Aty, në linjat e saj harmonike, në ngjitjen e saj nga rrëza e torsit deri afër veshëve, ndryhej edhe dëshira më e egër e burrit. Dukej sikur së bashku me linjat elegante të një qafe femre, të shtohej tek sytë e burrit edhe ëndërra në rritje e një pasjoni ulëritës. Qafa e një vajze, vërtetë kishte diçka të mistershme. Dukej sikur ajo e ftonte burrin për mëkate. Ai për një çast, tek qëndronte me shpinën mbështetur tek divani i rehatshëm, e shihte pa turp. Kohën e kishte të kufizuar, sikur ajo tjetra, nga çasti në çast të zhdukej. “Sa vite!” mërmëriti, “kam pritur këtë çast!” Ajo i buzëqeshi këndshëm. Dhe bashkë me buzëqeshjen, mrekullisht iu shtua edhe drita në vështrim. Një dritë e ftohtë, plot shkëndija të zeza që i vezullonin nga bebet e syve.  Ishin plot mister, veshur me një brerore qiellore. Po e shihte ende. “E di!” vazhdoi ai, “Ju nuk jeni e vërtetë. Këtu asgjë nuk është e vërtetë. Ju jeni veç një projektim iluzjonesh. Por edhe pse është kështu, jam i bindur se ne një ditë do të takohemi. Do të jetë triumfi im, ngazëllimi.”

 Kish ndryshuar. Ishte më e mbushur nga ç’e mbante mënd. Tek supet, më e plotë, mjekrrën më të rrumbullt, faqet më të fryra, por kur vështronte e ruante hijeshinë joshëse. Flokët ia mbante mend të prera me baluket mbi ball të drejta mbi supe, ndërsa tani nga qendra e kokës dy baluke të mëdha i zhvilloheshin në anët e tëmthave. “Dyzet vjet!” thanë sytë e saj. “Që vij e iki, veç nëpër ëndërra!” Ai nuk e dëgjoi me vesh por me zemër. Por ndiqte si i fantaksur mërmërimën ndër buzë, ngjyer me të kuq, si skepa dallëndyshje. I kishte dhëmbët krejt të bardhë dhe të rregullt. “Kush jeni?” e pyeti ai me zërin e fortë dhe kurjoz. “Unë ende nuk e di kush jeni?!”

Ajo u gjallërua. Lëvizi, shkundi kokën, mbështeti cigaren e ndezur mbi një tavull, vuri bërrylat mbi gjunjët e zbuluar nga ku i dilnin kofshat as shumë të shëndetshme as shumë të dobëta. Kish veshur geta të errta, transparente, pastaj gishtat grusht, i vuri poshtë mjekrrës. Këpucët e holla, të zeza, me gërsheta mbi qafë dhe me maja, ia shtonin elegancën trupit të saj. Gruaja! mendoi ai. Misteri më i madh i krijimit! Tani ajo kishte një buzëqeshje disi ironike, zhytur në reflektime.  “Unë nuk dal kurrë nga ëndërrat!” i tha. Kishte një zë plot thërrmija të ftohta dhe të ëmbla në të njëjtën kohë. “Jam ajo që ti ke vendosur të jem. Një vegim mëngjesi, ylli polar, vetmia e netëve, muzika jote e fjetur, ndoshta!” Ai nuk ngopej së sodituri. Ja kundronte me afsh flokët e mëndafshtë ngjyrë gruri, ballin plot dritë, vetullat e holla dhe sytë e thellë, të zinj, krejt mjaltë dhe vëmendje, të cilat, në atë çast, ishin veç të tijat. Kish humbur në ato sy si i mahnituri në pyllin magjik të pavetëdijes.

“Gratë si ju duhet veç të buzëqeshin!” i tha. “Ju e keni prerë biletën për parajsë!”

“Kush jeni ju që flisni me kaq bindje?!”

“Krijesa si ju, të bukura jashtë edhe brenda, shkojnë drejt edhe tek drita e krijuesit!”

“Fjala juaj në vesh të Zotit!” tha ajo. Pastaj buzëqeshi rishtaz, bukur dhe kur buzëqeshi fytyra iu përtëri drite. “Ju nuk jeni më as objekti i epsheve, as gruaja me të cilën bëhen projekte jete. As shoqja e rrugëtimit, as e përcëlluara sekrete, të cilën sa më rradhë e takon aq edhe më me pasjon e dëshiron. Kush jeni atëhere?!”

“Përgjigjen gjejeni vetë!” ia ktheu. “Unë s’jam veç një robinë e sajuar nga ju. Çfarë kërkoni, aman? Amëshim? Kërkoni dhembshurinë e Hyjit, apo ndoshta përsosjen morale? I besoni ndoshta fjalëve të Krishtit: ajo ka mëkatuar, por edhe ka dashuruar shumë!”

“Jo!” ja ktheu. Ju kam identifikuar gjithmonë si pjesë e Hyjit. Si një krijesë e mbrujtur me zjarr yjesh dhe ëndërr poetësh të krisur. Sa herë ju kam parë, aq herë kam ndjerë ngazëllimin, lotët e lumnisë, vetë shkëndijën e shenjtë!”

“Kjo është blasfemi. Ju nuk duhet të krahasoni një të vdekshëm me Hyjin!”

“Kur ju shihja që kalonit rrugës, ende e vockël, i goditur nga bekimi i mallkuar, pikasja tek ju, gjithë vyrtytet më të larta njerëzore. Aq shumë ju kam idealizuar, sa më shtytë vetvetiu drejt artit. Ndaj u lodha për vite me radhë në përsosjen së fjalës. Doja të shprehesha sa më mirë për ju! Sa herë që ju pikasja, ndjeja një ngazëllim të thellë, një lumni e cila është e krahasueshme veç me hyrjen në parajsë. Ju ishit zjarri i shenjtë në shpirt. Hyrja madhështore drejt parajsës, të cilën, asokohe as nuk e njihja fare! A thua lindim veç për t’u orvatur në gjetjen e gjysmës tjetër?!”

Ajo nuk diti ç të thoshte. E ndoqi mendimin me sy, pastaj e ngriti pak kokën. “Në gjahun e dashurisë synohet lart!” tha. Tani ndjehej e mikluar në shpirt. Sikur bashkë me fjalët, një energji e çuditshme duke dalë nga goja e ligjëruesit vetmitar, të pushtonte eterin dhe pastaj, krejt padukshëm të futej tek veshët e saj duke u shndërruar në rrezatim. Kjo është fuqia e komplimentit! mendoi. Veç ta ndjej nga goja juaj një fjalë. Pasuria dhe fama, s të bëjnë mbret. Por ajo që ju thoni, po!

 “Ajo që ju quani art, është thjeshtë ispirimi që figura e juaj më fal pa droje, pa sforcim, natyrshëm. Dhe ky afsh arkan, i mistershëm, vjen çuditërisht si të kishte flatra engjëlli. Duket e çuditshme, por shpirti është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të ndizet magjie!”

Ajo e pa mendueshëm. “Dyshoj se ju nuk jeni gjë tjetër, veç se një ëndërrimtar pasiv, i cili pret që të zbresë mana nga qielli!”

“Gjithçka është e pamundur, e padobishme. Kam frikë se kur të zgjohem, do shembem nga iluzjoni zhgënjyes. Ta lëmë ashtu: gjys ëndërr gjys të vërtetë, si një zjarr që nuk shuhet kurrë. Një dritë që ushqehet me lëndën e vet!”

Ajo e ngriti gotën dhe e drejtoi nga larg sikur të thoshte gëzuar. Anoi pak kokën. Atë kokë të bukur ende vajzërore. Një kokë fantastike, por e pamundur. “Ndoshta është më mirë që takohemi në ëndërra. Gjuetarë fantazishë. Shfaqemi, ngacmojmë, zhdukemi. Thjeshtë sa për t’ofruar lëndën ngazëlluese!”

Ishte ai që ra në mendime tani. “Ti ke qenë muza!” i tha. “Dhe ashtu të dëshiroj!”

“Nuk dëshironi pra që të takohemi në jetën reale?!”

“Jeta reale?! Ç është ajo? Gjysmën e saj ne e jetojmë brenda nesh, në formë joreale. Ajo na pushton krejt, na mbush me mrekulli dhe zhgënjim. Veç brenda nesh, ne jetojmë jetën e vërtetë. Ajo është akoma dhe më reale, interesante, e madhërishme se vetë jeta fizike. E cila në përgjithësi është e mërzitshme dhe monotone.”

Burri kishte veshur një kostum të zi. Poshtë xhaketës së teritalit, mbante një bluzë të errët me fyt V, e cila kontrastonte me flokët ngjyrë bakri me onde. Në pulsin e majtë mbante një orë të rëndë me zinxhir hekuri dhe tek gishti, ngjeshur unaza e martesës. Ajo e dinte.

Nuk ishte as i imët, as i bëshëm. Këpucët i kishte të zeza, të reja, shkëlqyer nga llustra e sapo dhënë. I mbante pëllëmbët mbi gjunjë, të hapura, gishtat kish mbuluar kërcinjtë e gjurit. Mbi gotën e kristaltë, shampanja çlironte flluska të vogla. Flokët i mbante krehur me kujdes nga ku dilte një ballë plot dritë me dy të dala sipër vetullave. I binte një si nur plot hije nga ai çast aq i shumëdëshiruar. Si në një seancë spiritiste, të kam ndjellur që nga fundi i botës! dukej sikur thonin sytë e tij.

 Rrinte ashtu, me qeset e syve, buzët disi të mbledhura, dhe sytë plot trishtim. Një trishtim fisnik por edhe i ndrydhur. Kur fliste, me tingujt, i çlirohej një si dhimbje, pikëllim i çuditshëm. “Është thellësia e ndjeshmërisë!” ishte përgjigjur kur i kërkuan arsyjen a asaj shprehje prej të rrahuri kokëulur. “Do të jetë dhimbja!” shprehej. “Unë jam njeri që ka vuajtur në jetë!”

“Kështu pra!” vazhdoi ai me një grimë ironie. “Fati ka vendosur që të takohemi veç në ëndërra!”

“Më bukur, apo jo. Ju më ndillni, unë vij dhe kur zgjoheni, ju mbetet ndër duar veç pahu i artë i flatrave të mia. Lënda e çuditshme për krijim, si brumë yllësishë dhe ëndërre!”

“Mos më thoni se edhe ju jeni veç pjellë e fantazisë. Ta dini, që ju jeni e vërtetë. Në ndonjë cep të botës ju merrni frymë, bëni pazarin, shfryheni nga taksat e larta. Si çdo njeri, keni frikë nga sëmundjet!”

“Për ju, unë jam ajo që jam. Fill i hollë frymëzimi, që materializohet veç nëpër ëndërra. Mos u orvatni të më gjeni. Nuk do t’ja dilnit kurrë. Edhe sikur t’jua rrëfeja se ku gjendem, s do të vinit dot kurrë. Edhe po të më gjeni duke më kërkuar nëpër ëndërra, do t’a kuptoni që.. !”

“Çfarë?!”

Ajo tërhoqi pak muskulin e buzës së djathtë, dhe iu shqua ndër sy një grimë sarkazëm përzier me mosbesim. Nuk foli. U ngrit, eci drejtë me atë hovin rinor, i cila, edhe pse kishin kaluar vite, ishte i njëllojtë. Ishte një ecje prej dreri kryelartë, ëndërrimtare, disi kryeneçe, si të ishte një artiste që jeton e lirë, mbi të gjitha, e shijon jetën.

“Kam ardhur veç për t ju ofruar ëndërra!”

“Unë nuk dëshiroj trupi tuaj zonjë.” Ja ktheu ai. “Dikur! Kur digjesha nga afshi për trupin tënd, kushedi ç hata do të lindtte. Tani, synimi është shpirti juaj. Skajin më i thellë i qenjes tuaj. Trupi ndryshon, shëmtohet, por shpirti mbetet gjithmonë i ri. Ai është i përjetshëm!”

“Nga e dini ju?!” e pyeti.

“Atje,” shtoi ai dhe drejtoi gishtin sipër, “do të jemi 30 vjeçarë!”

“30 vjeçarë?!” u habit ajo. Një mahni plot surprizë iu duk në shkëlqimin e syve.

“Sa çuditshëm. Ngujuar veç nëpër ëndërra! Kimera që s do kenë as fillim, as fund!” tha. E toku gotën. Tringëllima shëmbëlleu e çuditshme. Një si krisje ciflash qelqi u përzie me dritën. Tingujt u përhapën në dhomë me një intensitet të çuditshëm, si të vinin nga humbëtirat e kohërave.

“Aq fort të kam dëshiruar!” u shpreh ai, “sa edhe vetë dielli do të lutej për përdëllim!”

Një tis i ngrohtë dhembshurie, i ra ëmbëlsisht në tipare. “Dashuria është meskine!” tha. “E pashpirtë. Ajo udhëhiqet nga ca impulse të pakuptueshme, të cilat i mposhtin ligjet e arsyes. As vetë nuk e dimë, por ja që diçka na pëlqen, na tërheq. Një zë, një tipar, një aromë, një buzëqeshje. Ndaj fillojmë dhe e dëshirojmë fort. Na gudulis botën tonë, na ysht të ëndërrojmë. Ja kështu fillon magjepsja dhe biem në dashuri me dikënd!”

“Simbas kësaj llogjike!” foli ai, “mund të pëlqehet edhe dikush që as nuk e meriton fare dashurinë e një kryefemre!”

“Arsyja s’ka lidhje fare me përfshirjen e emocjoneve!” vazhdoi ajo.

“Keni qenë kaherë një vegim Itake për mua. Klithmë e ndrydhur, burim ku nuk më lejohej të ngjishja buzët për t’a shuar etjen. Ke qenë pritje dhe ofshamë. Ç kam fituar? Ç të kem fituar vallë?”

“Përjetësinë ndoshta!”

“Atë të tej jetës?! Të ushqehesh me iluzjonin se një ditë do t’ju takoj gjethkë?! Broçkulla? A ndoshta jo. Nuk e di. Do të më pëlqente, por kam frikë se besoj atë që shoh dhe prek. Kam humbur besimin, më vjen keq!” tha kështu dhe burri shfryu. “Oh ngushëllim iluzjonesh! Ndoshta përtej s’ka asgjë, ndoshta gjithçka. Mjerisht, ajo që kam të sigurtë tani për tani, është veç forca e imagjinatës dhe frika nga pusi i zi!”

“Ju flisni kështu? Ju që për vite keni kënduar Lart?!”

“Oh kam humbur perlën më të shtrenjtë. Dy herë fatkeq. Ahime a me!”

Gruaja buzëqeshi hidhur. Tani iu ul fare pranë. Aq pranë sa ai ndjeu firomën e saj të akullt si një gjarpër në errësirë. Kishte një aromë lulesh prilli, që çlirohej natyrshëm nga lëkura e saj. E ndjeu ngrohtësinë e saj, e cila tani buronte nga vithet dhe gjoksi. Rrinte e ulur në cep të divanit, e kthyer me një gjest të hijshëm, plot mirësjellje. Gjunjët i mbante të puthitur, përkulur nga e majta. Mbi kofshat e bukura, kishte mbështetur krahët e zhveshur, dhe me dorën e djathtë shtrëngonte ende kupën e kristaltë.

Tjetri, vëzhgonte duart e saj. Këto janë duart që më kushtuan aq lot! mendonte dhe nuk ngopej së vëzhguari.  Kjo zonjë, i vetëtiu në tru, ka ndërruar lëkurë minimumi shtatë herë. Kur e vërente ende adoleshent, me sytë e marrëzisë, atë dorë, e kujtonte më delikate, fine, të hollë. Nuk e kishte atë cipë dhjami, e cila, mbas të 50tave ishte e paevitueshme. Dikur, lëkurën e kishte më të brishtë, më të ujshme. Tani, qelizat, me kalimin e dhjetvjeçarëve, të fryrë dhe plakur, e kishin humbur disi elasticitetin e tyre. Nuk kishte rrudha përve atyre anash syve, fshehur nga mrekullitë e kozmetikës. Krahët i kishte më në mish; por kur buzëqeshte, ia kujtonte ende kohën e largët të dashurisë, kur ai, krejt i magjepsur, çalltiste si i krisur. Ngaqë nuk e kishte pranë, i ishte dashur të krijonte një të rreme.

“Ja ç jeni!” i tha. “Një sozie!”

Ajo e zhbiroi me syte e zinj dhe qeshi. “Ndoshta!”

Rrinin akoma si brenda një ëndërre. Dy qenje të cilëve i ishte e ndaluar rreptësisht të takoheshin mbasi të zgjoheshin. Sikur fantazia të ishte eprore karshi jetës mbushur plot mërzi.

“Nuk e kuptoj?” shtoi ajo. “Përse nuk e vini shpirtin në paqje?! Unë nuk egzistoj, jam thjeshtë një ëndërr.”

“Unë këtë kërkoj, sublimitetin në art!” i tha.

Ajo tani fliste por nuk kuptohej. Kur mërmëriste fjalët, i lëvizte buzët e holla me një koketëri prej aktorje ledhatare. Ai, i vërente me kujdes buzën e sipërme, e cila kur lëvizte duke sajuar zanoret dhe bashkëtingëlloret, bëhej gjithnjë edhe më nazike. I pëlqente aq shumë, sa lëvizja e tyre, tërheqja gjatë buzëqeshjes, qepallat dhe qerpikët krejt të zinj, lyer me kujdes, sytë nga ku dilnin ca vezullime drite të ëmbëla, bënin që burri të dehej krejt. I kujtohej koha e largët. Sa më shumë e shihte, aq më shumë mbronte tezën se kish qenë vërtetë dashuri. Më vonë do të njihte edhe shumë dashuri të tjera. Mishtore, të vërteta, por ja që ato, kishin qenë ndryshe. Kishin qenë veç aventura mishi, plot epsh dhe lotë, por krejt ndryshe. Kjo kish qenë sa e pavërtetë, po aq edhe e madhërishme.  Dhe ç dashuri?! Nga ato që lindin poetë të mëdhenj. Pak nga pak, kishte zbuluar se dashuria kishte me qindra aspekte, nga të cilat, më e çuditshmja, më e pabesueshmja kishte qenë kjo. Një dashuri e gjetur veç në veprat më të mëdha të njerëzimit. Nga Homeri, tek Dante, Servantesi, Gëte, deri tek Shekspiri.

“Ishte dashuri!” mërmëriti duke e parë në sy. Qelqet tringëllinë akoma, me një tingull të kristaltë. Një tin tin krejt të hollë, delikat si një fill ajri i qelqëzuar që thyhet në perëndim. Shiheshin pa turp, si të donin të zbulonin ca sekrete shpirti që e tejkalonin llogjikën. Që preknin sferën e pandërgjegjes.

“Ndoshta!”  ja ktheu ajo. “Mos harroni se tani, jeni duke folur me një krijesë sajuar nga ju!”

Burri nuk foli. Kishte adhurim tek bebet e tij. Një adhurim, i cili shkonte deri në magjepsje, sikur gjithçka të ishte një artefic i një seance spiritike. A ishte ndoshta në dramën e Faustit kur hyri në skenë Margerita? A ndoshta në çastin kur zbriti Beatriçja, veshur me mantelin kuq-jeshil? Ja shqyrtonte tiparet një e nga një. Linjën ovale të nofullave me mbylljen e ëmbël në mjekërr. Ballin e lartë, krejt të lëmestë, mbajtur me kujdes. Faqet pak të fryra, plot shëndet. Habitej. Gruaja, vërtetë e kishte humbur disi sharmin rinor; por ende i ruante linjat e bukura, vështrimin e thellë, qeshjen hyjnore.

“Pas pak ju do të zhbëheni!” i tha. “Dhe më duhet tju rikrijoj me fjalë!”

“Ndoshta ky është misjoni yt!”

“Eh!” ja ktheu ai. “Jeni e madhe sepse e ndaluar. Jeni e madhërishme, sepse e paarritshme. Hyjnore, sepse e idealizuar nga dallditë e kimikës. Një krijesë që ushqen veç ëndërra artistësh. Çuditërisht, ju i ngazëlleni me fjalë poetët!”

Nga tutje xhamit drita po shuhej pak nga pak. Një dritë gri, e fortë, e dendur si një muzg brenda dhomës. Ai zgjati krahun dhe ndezi një dritë anësore.

“Gjëja që nuk kuptoj!” vazhdoi ai, “është se që nga koha kur lëngoja, ju keni fjetur fare e pa shqetësuar. Zgjoheshit ndonjëherë, e mjergullt dhe e paqartë, pastaj flinit ende. Flinit gjithashtu edhe nëpër copa letrash, fletoresh ku kisha shkruar vargje pa fund. Gjendeshit gjithkund nëpër faqe letre, ku ende shquheshin njollat e lotëve të derdhur. Më vonë, kur unë mendova se nuk do të zgjoheshit më kurrë; se do të humbeshit përherë në pyllin e pavetëdijes; ja pra, së bashku me gjuhën e nënës, u zgjuat edhe ju!”

“Jeta është plot dështime!” tha ajo. “E shkuara gëlltitet duke jetuar për të ardhmen!”

“Unë ju zgjoj dhe ju ndjell veç për lëndën e parë!” tha ai. “Ju jeni virgjëresha e së ardhmes.”

Ajo shqiptoi këto fjalë, pastaj i hodhi një sy orës së dorës. U bë tepër vonë, mendoi. Çuditërisht, ajo nuk shfaqte shenja padurimi. Ndenji ashtu gjatë. Pastaj, pak nga pak, bashkë me muzgun, filloi të venitej gjithçka. Duart, këmbët, qafa, gjoksi, sytë dhe flokët e saj. Ai pa se si po shbëheshin, si në një ëndërr të tjerrur në gjumë. Gjymtyrët e sajuara nga ajo substancë e çuditshme, si një rrjet merimange, u shkrinë krejt. Të tjera orendi, si të ishin fije dëbore, po shndërroheshin në mjergull. Tutje dritares së madhe, pak nga pak, muzgu i një qyteti të panjohur po vazhdonte të binte. Paska ardhur vërtetë veç për t’ofruar ëndërra! mendoi dhe u zgjua.

Share: