Home KRYESORE Vjedhja si fenomen shoqëror: E kaluara, ADN-ja dhe sfida e së ardhmes.

Vjedhja si fenomen shoqëror: E kaluara, ADN-ja dhe sfida e së ardhmes.

Një shkrim i inxhinierit Egdar Frashëri në FB më vuri në mendime dhe shkruajta këto rreshta që vijnë më poshtë:

Nga Dritan Trimçev

  Vjedhja si fenomen shoqëror: E kaluara, ADN-ja dhe sfida e së ardhmes.

Vjedhja ka një histori të gjatë në Shqipëri, e cila nuk mund të kuptohet pa analizuar kontekstin historik e shoqëror që e ka lindur dhe ushqyer. Ajo nuk ishte thjesht një akt kriminal, por një mjet mbijetese i formësuar nga realitetet ekonomike dhe politike që mbizotëruan për dekada.

  Vjedhja në socializëm: Një domosdoshmëri e heshtur.

Gjatë regjimit socialist, vjedhja nuk ishte një fenomen i veçuar, por një mekanizëm i brendashkruar në funksionimin e sistemit. Shteti kontrollonte gjithçka, por nuk arrinte të plotësonte nevojat e popullatës. Rrogat e ulëta dhe mungesa e mallrave bënë që shqiptarët të shihnin pronën publike si një zgjatim të së drejtës së tyre individuale për mbijetesë. Vjedhja e vogël e materialeve bazohej mbi një justifikim kolektiv: marrja e asaj që “shteti na e detyrohej, por nuk na jepte.”
Ky sistem nënshtroi shoqërinë shqiptare në një paradoks moral. Nga njëra anë, vjedhja ishte e dënueshme ligjërisht; nga ana tjetër, ajo ishte e toleruar deri në një kufi të caktuar dhe konsiderohej si e drejtë e patjetërsueshme e individit. Për dekada me radhë, ky mentalitet u bë pjesë e zakoneve dhe sjelljes kolektive, duke u rrënjosur thellë në strukturën psikologjike të shoqërisë.

  Tranzicioni dhe vjedhja si model i suksesit.

Rënia e sistemit socialist dhe hapja ndaj tregut të lirë nuk e ndaluan vjedhjen; përkundrazi, ajo u transformua dhe mori përmasa të reja. Tani nuk vidhej vetëm nga “prona publike”, por edhe nga sistemi i ri ekonomik që u shfaq pa rregulla dhe mekanizma mbrojtës. Politikanët dhe biznesmenët e rinj e shndërruan hajdutërinë në strategji pasurimi, ndërsa populli vazhdoi të shihte vjedhjen si mjet mbijetese.
Mungesa e një sistemi vlerash dhe morali politik e ktheu vjedhjen në normë shoqërore. Votat u blenë, tenderët u manipulua, pronat publike u privatizuan me mashtrime. E keqja nuk ishte vetëm tek aktet individuale të vjedhjes, por në normalizimin e tyre. Kur hajdutët e djeshëm u bënë politikanët e sotëm, shoqëria i pranoi pa rezistencë.

   A mjafton SPAK-u për ta ndryshuar ADN-në e hajdutërisë?

SPAK, si një institucion i krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ka dhënë disa shpresa për ndëshkimin e vjedhësve të nivelit të lartë. Por, a mundet një institucion i vetëm të ndryshojë një mentalitet të rrënjosur në dekada? Vjedhja nuk është thjesht një problem juridik; ajo është një sëmundje sociale që ka prekur të gjitha nivelet e jetës. Për sa kohë politika funksionon si një grup interesash rreth figurave të veçanta dhe pa asnjë bazë ideologjike, korrupsioni do të mbetet pjesë e sistemit. Edukimi i shoqërisë fillon që në shkollën elementare dhe për këtë duhen dekada.

   Votimet.

Në një shoqëri ku vjedhja është normale, përse vota duhet të bëjë përjashtim?

  Ku janë intelektualët e paanshëm?

Një shoqëri nuk mund të ndryshojë pa një elitë intelektuale që flet hapur dhe pa frikë. Por ku janë sot mendjet e mprehta, akademikët, filozofët, gazetarët që duhet të denoncojnë vjedhjen dhe të propozojnë alternativa? Pjesa më e madhe e tyre ose janë të kapur nga interesi personal, ose kanë zgjedhur heshtjen.
Shoqëritë që kanë ndryshuar mentalitetin mbi hajdutërinë e kanë bërë këtë me edukim dhe ndëshkime të qarta. Deri sa të krijohet një shoqëri që e dënon vjedhjen moralisht, politikisht dhe ligjërisht, fenomeni do të vazhdojë të mbijetojë si një mekanizëm i heshtur mbijetese dhe pasurimi. Lufta kundër tij nuk është thjesht për SPAK-un, por për të gjithë shoqërinë që duhet të zgjohet nga apatia e saj morale.

Share: