Home Gjeo-Ekonomia Akademia të hartojë një dosje të plotë studimore për Çamërinë

Akademia të hartojë një dosje të plotë studimore për Çamërinë

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” organizoi, në mjediset e Hotel Tirana Internacional, një aktivitet në kujtim të 80-vjetorit të masakrës së Filatit. Në 6 Mars 1945 u krye, në pabesi, në Filat- Çamëri, një nga masakrat më të tmerrshme ndaj popullsisë së shqiptare. “Sot kemi mundësinë të dë gjojmë nga studiues të shquar, për të vërtetën e Masakrës së Filatit, me analiza dhe fakte konkrete, duke na ndihmuar të kuptojmë thellë, jo vetëm atë që ndodhi, por edhe ndikimin që kjo masakër ka pasur në kujtesën tonë kolektive”, tha në fillim të takimit moderatorja Sildi Koqini.

Historiani i njohur, Akademik, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, u shpreh se politikanët shqiptarë në 30 vitet e fundit kanë heshtur përballë propagandës greke për spastrimin etnik të Çamërisë, edhe kur ajo është bërë në mes të Tiranës. Në propagandën politike, por edhe në historiografinë moderne greke ekziston një interpretim i mirëkoordinuar për të justifikuar masakrimin e çamëve dhe spastrimin etnik të Çamërisë në çastet e fundit ët Luftës së Dytë Botërore (qershor 19440 mars 1945), tha më tej Prof. Xhufi. Të gjithë udhqëheqësit grekë e kanë mohuar ekzistencën e një problem çam, i kanë deklaruar shqiptarët e Çamërisë si kolaboratorë të pushtuesve italo-gjermanë të cilët, nga frika e ndëshkimit për krimet që paskëshin kryer në dëm të grekëve, në mbarim të luftës ikën vullnetarisht në Shqipëri..

Këto fjalë kanë shqiptuar mu në mes të Tiranës, pa ua bërë kush fjalën dysh nga ana e shtetarëve të Shqipërisë demokratike (nëse përjashtohet presidenti Alia që i përkiste Shqipërisë komuniste).Të njëjtin refren shqiptojnë edhe historianët dhe akademikët grekë. Një zë i ndryshëm ndër ta është ai i Lambro Baltsiotis, një studiues i ri, i cili më së shumti jeton e shkruan jashtë Greqisë.

Sipas tij, kur Italia fashiste sulmoi Greqinë, në tetor 1940, krerët e komunitetit çam u arrestuan dhe u dëbuan, duke u dhënë kështu çamëve muslimanë një provë se ata i prisnin gjëma edhe më të mëdha. Baltsiotis ka kapur thelbin e problemit çam, kur del në konluzionin se: “dëbimi i çamëve muslimanë nga Epiri perëndimor ishte rezultat i një politike shtetërore, një politike të frymëzuar nga ideologjia nacionaliste, që mbizotëronte në Greqinë e periudhës mes dy luftërave.

Dëbimi i çamëve, prqa, ishte pjesë e politikës së shtetit grek për të ushtruar kinse të drejtën e tij për të dëbuar “jo grekët” nga territori i vet”. Në fakt historia e Greqisë së re është histori e dëbimit të muslimanëve, që në treva të tëra përfaqësonin një pjesë të mirë të popullsisë (Thesali, Peloponez, Kretë), tha në vijim Prof. Pëllumb Xhufi. Kushtetuta e parë greke e vitit 1822 e konsideronte Greqinë vendin e grekëve (ku jogrekët ishin të padëshiruar).

Një historiane re greke, e formuar në shkollën shkencore gjermane, Georgia Kretsi, nënvizon: “ndërsa shqiptarët muslimanë të Çamërisë duheshin dëbuar, si jo grekë e gjithashtu si muslimanë, shqiptarët e krishterë u konsideruan nga politika helene potencialisht si “grekë të një gjuhe tjetër” dhe si të tillë mund të integroheshin dhe të asimiloheshin në shoqërinë greke”.

Presioni politik i shtetit grek mbi minoritetin musliman të Çamërisë vazhdoi të ushtrohej edhe nga pushtuesit e saj, italianët dhe, pas tyre, edhe gjermanët, ndoqën një politikë të përçarjes mes elementit musliman dhe atij të krishterë, tha më tej zoti Xhufi. Ndërkohë një numër i madh çamësh, u bashkua me forcat e ELAS-it. Kështu, në prill 1944 raportet gjermane flasin për “bandën bolshevike të Rexhep Plakut”, një komandant i shquar i forcave partizane. Në verën e vitit 1944, me 500 banorë çamë, muslimanë e të krishterë, u krijua batalioni i IV i regjimentit XV të ELAS-it.

Pasi bëri një përmbledhje të masakrave që forcat e EDES-it, të komanduara nga nën/koloneli Krania, kryen në Paramithi, dhe krimet e pashëmbullta të ushtrisë greke, të drejtuar nga Napoleon Zerva, Prof. Xhufi citoi një raport të komandantit të misionit britanik, Woodhouse, të 16 tetorit 1945, i cili raportonte lidhur me këto ngjarje: ”Zervas, i inkurajuar nga misioni aleat nën komandën time, i dëboi çamët nga vatrat e veta më 1944 për të lehtësuar veprimet luftarake kundër armikut….Puna e Zervas u çua deri në fund nga një njësi e mbetur e tij, e drejtuar nga një oficer me emrin Zoto…

Çamët morën atë që merituan, edhe pse metodat e përdorura nga Zerva kundër tyre ishin tepër mizore. Rezultati ishte gjithsesi shpërngulja e një popullsie, e një minoriteti të padëshiruar, nga territori grek. Ndoshta është më mirë t’i lëmë gjërat kështu”.

“Për këtë masakër”- tha Hajredin Isufi, historian, personalitet i shquar i Çamërisë, “kanë shkruar shumë dhe asnjëherë nuk kanë thënë të vërtetën. Dhe misionarët anglezë kur vinte puna i mëshironin çamët, por në fund të fundit nuk thanë asnjë gjë”. Ngjarja është zhvilluar në këto rrethana: më datën 6 mars 1945, Lt. Cristo Kaca zbarkoi nga Korfuzi në pjesën kontinentale dhe ky zbarkim i tij ishte parë nga barinjtë e zonës. Ndër banditët e tjerë drejtues, dëshmitarët e tjerë konstatuan edhe Major Ilio Kaca, i cili erdhi nga Palo Fshati, si edhe kolonel Zotto. Ata kishin deklaruar se i përkisnin Organizatës së Plastiras, kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake greke. Këtyre, më pas, iu bashkuan gangsterë të armatosur nga Korfuzi dhe nga popullsia lokale koloniste greke, diku rreth 50 deri 100 njerëz të armatosur. Masakra e Filatit shënoi nxjerrjen përfundimtare edhe të 5000 shqiptarëve të fundit të rikthyer pas marrëveshjes së dhjetorit 1944, në mes FNÇ dhe EAM.

Në fund të muajit mars 1945, një detashment i trupave britanike arriti në Filat, për të hetuar dhe raportuar në detaje mbi ngjarjet. Mirëpo, qeveria greke kishte marrë masat dhe udhëzuar Guvernatorin e Përgjithshëm të Epirit, për t’iu raportuar ushtarakëve britanike, se njësitë e Gardës Kombëtare Greke nuk sulmonin çamët dhe se ata kishin marrë veprime të përshtatshme kundër atyre që ishin përgjegjës për incidentet. Por toka çame në këtë kohë ishte e boshatisur nga popullsia. Asnjë dëshmi e vërtetë mbi atë çfarë kishte ndodhur në ato anë nuk mund të merrej në një territor të spastruar etnikisht nga banorët autoktonë.

“Mbaj mend dhjetëra rrëfime nga babai im dhe patriotë që vinin në familjen tonë. Unë jam “ushqyer” nga këto kujtime për dy masakrat, pasi vinin të gjalla rrëfimet për llahtarën që ndodhën në shtator të vitit 1944 dhe në mars 1945 në Spatar e Filat. Emrin Vanër e kam mësuar qysh në rininë time, pasi ishte rreth dy kilometar larg fashatit tonë Spatar. Dhe këtu u therën barbarisht 217 vetë, prej të cilëve 120 burra, 60 gra dhe 15 fëmijë. Vanra notoi në gjakun e pafajshëm të çamëve, duke u bërë pre e xhelatëve të pashpirt”, tha shkrimtari Enver Kushi.

– Mbaj mend pyetjen që bënin në fund: C’kishim bërë që na vranë barabarisht? Kujt i kishim rënë në qafë? Ne kishim miqësi me të krishterët. Edhe me vllehët, edhe me grekët. Në shtëpinë tonë por edhe në familje të tjera të Spatarit, morëm në mbrojtje vëllezërit tanë nga Kastria. Po citoj një pjesë nga letra që Musa Demi i dërgoi Theodhori Vitos, njërit nga drejtuesit e EDES-it, publikuar nga hajredin Isufi: “kemi jetuar në miqësi dhe në paqe, si vëllezër. Kur të krishterët e fshatarve të Filatit ishin në rrezik nga propaganda e huaj, që nxiste vëllavrasje dhe për çarje, muslimanët morën në mbrojtje shumë të krishterë dhe u shpëtuan atyre jetën, nderin dhe pasurinë….

Dhe tani ka ardhur koha që atë akt të lartë që kryen çamët muslimanë ndaj vëllezërve të tyre të krishterë, ta bëni dhe ju. Në fund të fundit jemi vëllezër të një gjaku. Ngritja e dorës dhe përgjakja e vëllait është turp i shëmtuar dhe historia do të shënojë si një njollë të zezë. Dorës së zezë ju duhet t’i vini fre, siç ia vumë ne…”. Nëse masakra e parë e Filatit, ajo e shtatorit 1944 ishte epilogu tragjik i Camërisë, ajo e marsit 1945 është epilogu i epilogut të tragjedisë çame, tha më tej Enver Kushi, duke përfunduar: Njerëzit ikin por në kokën e tyre mbetet shpirti, mbeten kujtimet, mbeten ëndërrat. E mbi të gjitha mbeten miqësitë. Ka plot dëshmi të kësaj miqësie, që u ndërpre kur familja ime u largua mes llahtarës së marsit 1945. Unë jap për rikthimin e këtyre miqësive, ato janë atje, përtej Qafës së Botës. Ato sfidojnë krimin, ngrihen mbi dasitë, urrejtjet, poltikat përçarëse mes popujve!

Drejtori i Institutit të Historisë, prof. Hamit Kaba, përmendi librin e historianit grek Jorgos Margaritis “Bashkëpatriotë të padëshiruar”, i cili tregon një realitet tjetër për ngjarjet e ndodhitë tragjike në Çamëri.
Besnik i parimit të të vërtetave që jep historia, larg ndikimit të politikës dhe nacionalizmit ekstrem, autori konkludon se shteti i pavarur grek, që në fillimet e jetës së tij, nuk u mësua të jetojë me komunitetet dhe minoritetet e tjera, pra me fe tjetër dhe me origjinë tjetër kombëtare. Jorgos Margaritis, me fakte tronditëse, jep shkatërrimin gradual të komunitetit hebre në Greqi, i cili arriti kulmin gjatë luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në qytetin e Selanikut. Sipas autorit, në Selanik “antisemitizmi grek mori formën e tij më luftarake dhe njëkohësisht më politike e teorike, duke ofruar në këtë mënyrë materialin e parë për zhvillimin e organizatave me karakteristika nacionaliste, por edhe naziste”.

Në pjesën e dytë “Peripecitë e çamëve deri në dëbimin e tyre gjatë dhjetëvjeçarit të 40- ës”, Margaritis jep fatin tragjik të minoritetit tjetër historik në Greqi: të çamëve. Periudha së cilës i referohet autori, 1912- 1944, është e mbushur me tensione dhe urrejtje dhe “kur u kthye lufta në fillimet e dhjetëvjeçarit të 1940-së dhe bashkë me të u hapën në çdo vend kacekët e Eolit, retë e pasioneve dhe të kërcënimeve përfunduan në stuhi”.

Duke komentuar mbi gjendjen në Çamëri, koloneli anglez C.A.S. Palmer, në një raport pas vizitës së tij në Çameri, gjate 9-14 prill 1945, pasi përshkruan ndjenjat e urrejtjes se fortë greke kundër shqiptarëve që jetonin në zonat më të mira të Çamërise – Filati, Paramithia, Margëllici, Gumenica, thekson se : ”…ka qenë gjithmonë një ndjenjë urrejtje e fortë nga ana e grekëve të kësaj zone kundrejt çamëve”. “…Ushtarët e EDES-it gjeten mundësinë për hakmarrje. Përleshjet u hapën gjatë verës së vitit 1944 me provokime ndoshta nga të dy palët, një situatë që, pa dyshim, është inkurajuar nga gjermanët…. Sulme te reja u bënë në mars 1945, që ishin një vazhdim i ndjenjave ekstreme anti-shqiptare që ekzistojnë në Greqi për atë krahinë (Çamërinë) dhe jo të provokuara nga ana e vetë shqiptarëve. Si rrjedhim i këtyre sulmeve, tani nuk ka mbetur asnjë shqiptar mysliman në Greqi”…dhe “është e pamundur për shqiptarët të kthehen në vatrat e tyre sepse vendi kontrollohet nga Qeveria (nacionaliste) greke”.

Shtetet e Ballkanit u ngritën mbi bazën e ideologjive nacionaliste, tha më tej Prof. Kaba. Prandaj në Ballkan sundon historikisht një sherrnajë gjgande. Ajo që ndodhi me popullsinë çame në fund të Luftës së Dytë Botërore është rrjedhojë e kësaj ideologjie. Pra kemi të bëjmë me spastrim etnik ose më saktë “një shpërthim të dhunës, që synonte mbylljen e çështjeve të minoriteteve me metodën më radikale: metodën e zhdukjes së popullsive minoritare”. Çlirimi nga kompleksi i gjenocidit është afirmim dhe triumf i miqësisë mes popujve. Detyra jonë është të shërojmë plagët e genocidit dhe të ndërtojmë ura për të ardhmen, tha në përfundim Prof. Kaba.

Drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, kërkoi nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave një studim zyrtar shtetëror të mirëfilltë për Çamërinë që të jetë busull për politikën dhe institucionet tona shtetërore. “Ajo që ndjej unë dhe besoj shumë të tjerë është fakti që ne duhet të themi të vërtetat tona. Të vërtetat e Çamërisë, të historisë sonë kombëtare.

Çështja çame është një dimension tepër i dhimbshëm i tragjedisë kombëtare. Çamët akuzohen nga grekët për bashkëpunimin me fashistët. Ndërkohë që ka qindra partizanë, shqiptarë të Çamërisë, të vrarë në luftë kundër okupatorit dhe, nëse e kemi pak disi të vështirë të identifikojmë ata të gjithë që janë vrarë në Çamëri, e kemi pak më të thjeshtë që të identifikojmë shqiptarët e Çamërisë të vrarë në Shqipëri. Ndaj mendoj se duhet punuar për të ngritur një grup pune për të identifikuar këta shqiptarë të Çamërisë që kanë dhënë jetën për çlirimin e vendit.

Ajo që kemi nevojë sot është që të kemi një studim zyrtar shtetëror të mirëfilltë për Çamërinë. Do të ishte në nderin tonë kombëtar që Instituti i Historisë, Akademia e Shkencave të ngrinte një grup pune për të pasur një dokument historik të plotë, studimor për çështjen Çame që të jetë një lloj busulle edhe për zyrtarët dhe të gjitha ata që duhet të merren me çështjen çame; Parlamentin shqiptar, qeverinë, ministrinë e Jashtme që të mos të kemi qëndrime të shkëputura që kurrsesi nuk kanë bazë historinë. Pra duhet të kemi bazë historike shtetërore. Unë e konsideroj të rëndësishme këtë gjë”, tha drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, zoti Alket Veliu.