Është arti suprem i mësuesit që ngjallë kënaqësi në shprehje kreative dhe dituri”. (Ajnshtajn)
ETIKA E MËSUESIT
Për një nxënës, figura e mësuesit është aq e rëndësishme sa që vjen një moment kur ajo kthehet në jetike. Një pjesë të madhe të kohës nxënësit e kalojnë në shkollë dhe, çdo gjë që ndodh aty, padyshim, është ngulitur thellë në jetën e tyre, në memorien e tyre. Pra, gjithçka fillon nga ai person që qëndron para tyre çdo ditë, nga mësuesi i tyre. Shembulli që ai ju jep nxënësve është ajo që ata mundohen ta huazojnë apo imitojnë, për ta ndjerë vehten të sigurt në momentin që do të dalin në jetë. Për këtë arsye, figura e mësuesit është gjithmonë, jo vetëm në qendër të vëmendjes, por edhe në imazhin që krijojmë për mësuesin ideal.
Mësuesit përgatiten dhe punësohen nga shoqëria për të ndihmuar në realizimin e qëllimeve, objektivave dhe rezultateve që presin në përfundim nga zbatimi I programit. Mësuesi, në procesin e ushtrimit të profesionit, është një punonjës i punësuar nga shoqëria, për ta bërë më të lehtë përgatitjen shoqërore, vetjake dhe intelektuale të atyre anëtarëve të shoqërisë të cilët ndjekin shkollën.
Pjesë e ideales është sjellja e tij. Në vend të të bërtiturave dhe shprehjeve të përditshme, për nxënësit do të ishte diçka më e bukur nëse mësuesit do të ishin mbështetësit e tyre.
Mësuesi nuk mban qëndrim personal. Në mësim, ai shfaqet sa kërkues, aq edhe liberal, në kuptimin e krijimit të një klime, ku çdo kush mund e duhet t’i shfaq mendimet e tij lirshëm dhe pa asnjë kompleks.
Siguron mjedis të ngrohtë me nxënësit: Mësuesi nuk duhet të fyej, me apo pa dashje nxënësin, pavarësisht prejardhjes social kulturore. Kjo kërkon që, mësuesi të njoh që në fillim nxënësit që i janë besuar, duke u treguar i kujdesshëm në fjalorin që përdor apo komentet që bën.
Kërkon mendimin e çdonjërit prej tyre për tema delikate, nxit nxënësit të respektojnë njeri – tjetrin, pavarësisht nga origjina, e kthen klasën në një mjedis të hapur e gjithëpërfshirës.
Siguron zhvillimin intelektual të nxënësve: Me punën e tij të përditshme, mësuesi kontribuon në zhvillimin intelektual të nxënësit, të paktën për sa i takon lëndës, ku jep mësim, duke nxitur tek ata besimin se mund të arrijnë suksese. Ai, nuk frymëzon diskriminimin, krijon për nxënësit me aftësi të kufizuara kushte të barabarta pjesëmarrjeje, kultivon tek ata, përmes shembullit të tij, edukatën dhe kulturën e punës.
Nuk lejon konflikte interesi me nxënësit e tij: Në punën e tij, mësuesi nxitet nga synimet psikopedagogjike dhe kërkesat akademike, nuk krijon marrëdhënie biznesi me prindërit e nxënësve, nuk i nxit nxënësit për pjesëmarrje në grupime të ndryshme politike, nuk abuzon me detyrën, duke tërhequr pas vetes për interesa përfitimi nxënës të tij për plotësime njohurish pas mësimit etj.
Respekt për kolegët: Një mësues, duhet t’i respektoj kolegët e tij dhe të punojë ngushtësisht me ta në interes të nxënësve. Mosmarrëveshjet ndërmjet mësuesve, janë thjesht personale dhe nuk duhet të ndikojnë në punën e tyre. Mësuesi nuk duhet të bëjë komente para nxënësve për një koleg të tij. Kush nuk respekton kolegun, nuk respekton veten.
Të njohë dhe të respektoj institucionin: Është në interes të zhvillimit të nxënësit, që mësuesi të njohë e respektojë objektivat që janë vënë për të përmbushur me sukses politikat e standardet e sotme të shkollës ku ai punon, të jetë indikator frymëzimi për aktorët e tjerë të interesuar për mbarëvajtjen e punës në shkollë. Mësuesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm për përgjegjësitë personale dhe kolektive për mosrealizimin e objektivave.
Të vlerësoj objektivisht nxënësin: Një mësues duhet të përdorë sa më shumë metoda vlerësimi, sipas standardeve të vendosura nga shkolla. Ai është i ndërgjegjshëm për avantazhet apo disavatazhet e një metode apo të një tjetre dhe, punon, për një vlerësim sa më të gjithanshëm të tij. Vlerësimet duhet të jenë reale, të paparagjykuara dhe të alternuara.
Politikat e vlerësimit, u bëhen të qarta nxënësve që në fillim të vitit shkollor. Fletët e provimit, punët e pavarura, detyrat e shtëpisë, punët praktike, vlerësohen me seriozitet e, u bëhen të ditura nxënësve në kohën e duhur, duke qartësuar çfarë kanë gabuar. Përfundimet, u bëhen të ditura edhe prindërve.
Vënia në zbatim dhe praktikimi i këtyre parimeve të Kodit të Etikës së mësuesit, do të ndihmojë esencialisht punën në shkollën tonë dhe do të ngrejë më lart figurën e nderuar të mësuesit. Sigurisht që, ka edhe norma,rregulla dhe parime të tjera, të cilat, do ta bënin më të plotë këndvështrimin për kodin e etikës së mësuesit, por që vetë dikasteret arsimore duhet tua venë në dispozicion mësuesve për t’u njohur me to dhe për ti pasur si busull orientuese në punën e tyre mësimore dhe edukative.

