Home KRYESORE Mbi 10 ankesa ndaj vendimeve të vettingut në Strasburg

Mbi 10 ankesa ndaj vendimeve të vettingut në Strasburg

Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vettingu që i janë drejtuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg i ka kaluar 10.

Ish-anëtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj, Ish-prokurorja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani dhe ish-prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi (Gina) pretendojnë në paditë e tyre për shkelje të të drejtave themelore të njeriut gjatë procesit të vetting-ut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Mbi 10 ish gjyqtarë e prokurorë kanë depozituar në Strasburg ankimimet e tyre kundër vendimeve të vettingut. Pika thelbësore e të gjithë padive ka të bëjë me cenimin e nenit 6 të Konventës , i cili flet për të drejtën e një gjykimi të drejtë. Pretendimet janë se procesi në tërësi është jo i rregullt duke kundërshtuar kështu ligjin ku bazohet vettingu si dhe duke hedhur dyshime mbi pavarësinë dhe ligjshmërinë e emërimit të anëtarëve të KPK dhe KPA.

Një argument tjetër ku bazohen kërkesat e aplikantëve është se çështjet ndaj tyre janë të paragjykuara pasi hetimi dhe gjykimi janë bërë nga e njëjta trupë. Po ashtu ankimim ka dhe për faktin se vendimmarrjet janë marrë duke u bazuar vetëm në një nga tre kriteret e rivlerësimit, pa marrë parasysh të tjerët.

Duke marrë parasysh se vendimet e GJEDNJ në Strasburg janë detyruese, atëherë një vendim pro ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar do të bllokonte dhe vinte në pikëpyetje të gjithë procesin e vettingut. Në lidhje me këtë Avokati i Popullit, Artur Metani është shprehur se “Do të shohim vendimin e gjykatës”. /Opinion.al

Share: