Home KRYESORE Fitorja diplomatike e Kosovës në GJND dhe rreziku i sotëm i kufijve

Fitorja diplomatike e Kosovës në GJND dhe rreziku i sotëm i kufijve

Shkruan: Alma Lama

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nëntë vjet më parë ishte fitorja diplomatike më e madhe në lidhje me çështjen e Kosovës. Ky vendim që në të vërtetë është opinion ligjor jo i detyrueshëm për tu zbatuar nga ana e shteteve, ishte kurorëzimi i të gjithë aksionit diplomatik të ndërmarrë nga shtetet përkrahëse të Kosovës për të zgjidhur statusin, aksion që kaloi përmes negociatave të vështira e të tensionuara mes përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë.
Ishin shtetet e botës përendimore, SHBA-ja, Britania, Gjermania, Franca, austria, Norvegjia, Zvicra që paraqiten argumentet e tyre se pse shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ata sollën para Gjykatës argumente të fuqishme nga historia e Kosovës, aneksimi i dhunshëm i saj, dëshmi rrënqethëse nga dhuna, diskriminimi dhe dhe represioni që përjetuan shqiptarët përgjatë një shekulli nga regjimet e ndryshme serbe; sollën argumente të pakontestueshme, të studiuara nga ekspertët më të mirë botërorë në lidhje me statusin juridik e Kosovës si entitet konstituiv i Jugosllavisë, luftën për liri, administrimin ndërkombëtar dhe rezultatin e bisedimeve të drejtuara nga OKB-ja, ku pavarësia ishte e vetmja zgjidhje realiste për Kosovën.
Me pak fjalë, pyetja e drejtuar nga pala serbe në këtë Gjykatë, ishte autogol për ta, sepse i dhanë mundësi Kosovës të konfirmonte të drejtën e saj për pavarësi dhe vetëvendosje, por kushdo që mendon se kjo ishte një betejë e lehtë, gabohet. Një numër shumë i madh shtetesh dhanë komentet e tyre kundërshtuese, përfshirë edhe Rusinë, Kinën, Brazilin dhe Spanjën.
Ky vendim-opinion do të duhej të shërbente si një pikë kthese për të rritur numrin e njohjeve për Kosovën, por shumica e shteteve vendosën ta injorojnë, të shtyrë nga probleme të brendshme ose interesa që lidhen me bllokun që iu kundërvu pavarësisë së Kosovës e që kryesohet nga Rusia.
Pavarësisht se efekti i këtij vendimi nuk ishte ai i prituri, legjitimimi ndërkombëtar nga GJND-ja i dha Kosovës argumentin më të fuqishëm diplomatik, për të kërkuar njohje nga shtetet e tjera dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Si ambasadore e Republikës në Kosovës në Itali, e kam përdorur këtë argument si dhe argumentet e parashtruara që kanë çuar te ky vendim, në të gjitha takimet lobuese për njohje që kam zhvilluar me diplomatë të vendeve të ndryshme të botës. Mes tyre kishte nga ata që e njihnin mirë këtë vendim, pasi ishte trajtuar gjërësisht nëpër ministritë e tyre, për të mbërritur deri në një pozicion të caktuar në lidhje me njohjen.
Por padyshim që kishte edhe të tjerë që nuk ishin të informuar, dhe një kërkesë për të riprezeantuar nëpër shtetet e tyre argumentet tona për njohje, të legjitimuara nga GJND-ja mbetetet një veprim me rëndësi.
Diplomacia e Kosovës nuk e ka shfrytëzuar sa duhet këtë argument në favor të shtetit tonë, dhe fatkeqësisht në vend që të jetë në një pozicion ofensiv, vitet e fundit ka kaluar më shumë në një pozicion mbrojtës ndaj aksioneve të përditshme të diplomacisë serbe. Kjo e fundit ka pak fakte por është shumë efektive në propogandë.
Por më shuëm se propaganda serbe, mua më shqetëson më shumë vënia në pikëpyetje e të gjithë procesit që çoi në shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nga vetë përfaqësuesit e shteti të Kosovës nëpërmjet rihapjes së çështjes së kufijve, gjë që iu ka dhënë hapësirë të gjithë kundërshtarëve të pavarësisë që ta konsiderojnë ende të pazgjidhur punën e statusit.
Këto zhvillime kanë dobësuar në mënyrë të paimagjinueshme edhe fuqinë e vendimit të GJND-së, që i vuri vulën pavarësisë së Kosovës të shpallur me 17 shkurt 2008. Kjo është e dukshme në kontaktet me diplomatët e huaj apo edhe politikanë që ndjekin pak a shumë çështjet e rajonit. Për hir të vërtetës hapja e çështjes së kufijve dhe diskutimi i tërësisë territoriale ka qenë një kthesë e paritur që ka lënë shumë kënd gojëhapur dhe është evidente se vetë diplomatëve të Kosovës i ka hequr nga goja një argument të fuqishëm.
Kosova nuk e ka luksin të vejë në pikëpyetje arritjet e jashtëzakonshme që ka shënuar në rrafshin diplomatik, arritje të cilat në radhë të parë i përkasin shteteve mike që ndërhynë ushtarakisht për ta çliruar nga pushtimi serb dhe për ta shpëtuar nga shfarosja. Përmes një angazhimi shumëdimensional, ku u bënë bashkë shumica e vendeve përendimore, këtë shtete ia dolën që t’i japin popullit të Kosovës atë që i ishte mohuar për një shekull, pavarësinë dhe shtetin.
Prandaj në këtë përvjetor të opinionit të GJND-së, dhe në një kontekst mjaft të ndryshëm të politikës globale, përfshirë përçarjet e mëdha të viteve të fundit ndërmjet vendeve përendimore dhe kokëçarjet e brendshme të BE-së, më shumë se kurrë na duhet të mbahemi fort pas vendimit të GJND-së , i cili në planin diplomatik ka vlerë të jashtëzakonshme.
Por padyshim, argumenti më i pakontestueshëm për tu trajtuar si një subjekt serioz nga shtetet e tjera, përfshirë ato që nuk na kanë njohur do të ishte ndërtimi i një shteti të sukseshëm, gjë që e kemi vetë në dorë.

Share: