Nga Aurel Plasari
Në një moment ballafaqimi historik si ky, mes demokracisë shqiptare të rrezikuar dhe totalitarizmit të shfaqur, akti politik i radhës nga ana e forcave politike opozitare mbetet nënshkrimit i një kontrate të përbashkët Proteatër. Nga vizioni që ushqehet për një shoqëri demokratike do të kërkohej që:
Kontrata Proteatër e Forcave Opozitare të hartohet jo vetëm simbas parimit “inter partes”, d.m.th. mes tyre vetë, por edhe në bazë të parimit “erga omnes”, që do të thotë ndaj të gjithëve në kuptimin e zbatimit të një kontrate me vlerë të barabartë me regjistrim në një regjistër publik, duke filluar nga shoqatat, organizatat, grupimet dhe individët që vijojnë betejën për mbrojtjen e kompleksit shumëfish historik e kulturor, në të cilin funksionojnë aktualisht dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental, dhe njëherësh për mbrojtjen e pronës publike të kërcënuar nga tjetërsimi politik;
Kontrata Proteatër e Forcave Opozitare të garantojë që, në momentin politik kur forcat opozitare t’i kenë së toku votat e duhura në Kuvendin e Shqipërisë, ta zhbëjnë (juridikisht ta bëjnë nul) ligjin 75-votësh të 5 korrikut 2018, të cilin e vlerësojnë abuziv dhe antikushtetues, si të hartuar e të miratuar në rrethana juridike pakushtetutshmërie, më konkretisht në rrethanat e një Republike pa Gjykatë Kushtetuese;
Kontrata Proteatër e Opozitës të garantojë publikun jo vetëm që prona publike e tjetërsuar nëpërmjet ligjit 75-votësh të 5 korrikut 2018 do t’i kthehet po publikut, por edhe që çdo ndërtim i kryer mbi të, në përfitim prej ligjit të dëftuar si antikushtetues, do të ndëshkohet duke u asgjësuar;
Kontrata Proteatër e Forcave Opozitare të garantojë publikun që çdo ndërtues i cili do të ketë ndërmarrë aktin e shembjes së kompleksit shumëfish historik e kulturor, në të cilin funksionojnë aktualisht dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental, do të detyrohet ta dëmshpërblejë shembjen e kryer në mënyrën më të përshtatshme legale, qoftë edhe duke u detyruar ta rindërtojë kompleksin e shembur prej tij;
Kontrata Proteatër e Forcave Opozitare të garantojë publikun që do ta përfshijë ndër përparësitë e tyre kthimin e statusit “Monument Kulture” tok me restaurimin e dy teatrove, atij Kombëtar dhe atij Eksperimental, që funksionojnë sot në kompleksin e ish-Qarkut “Skanderbeg”, duke tërhequr në një sipërmarrje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve të monumenteve të kulturës më të mirë në vend;
Kontrata Proteatër e Forcave Opozitare t’i ofrojë publikut garancitë e respektimit të saj simbas parimit bazik “Pacta sunt servanda” (“agreements must be kep”), sikurse funksionon ai jo vetëm në të Drejtën ndërkombëtare, por edhe në të Drejtën civile posaçërisht në marrëveshjet kontraktuale, madje edhe më përtej, duke qenë parimi në fjalë një nga gurët e themelit të besimit që një shoqëri vendos për veten;
Si i pari rast i një Kontrate të tillë në Republikën e Shqipërisë politikisht pluraliste, ajo do të shërbente edhe si mësimdhënie për të gjitha palët politike në qeverisjen e Republikës duke kujtuar që koncepti “res publica” qysh prej Romës së lashtë kishte jo vetëm kuptimin e “çështjes publike”, por edhe atë të “pronës publike” posa që quheshin “res publica” edhe një urë, një rrugë etj.
Justifikimet e gjasshme ndaj një Kontrate Proteatër të Forcave Opozitare, kinse një akt i tillë mund të shkojë përkundër interesave elektoralë etj., hidhen poshtë nëpërmjet metodës eksperimentale, e cila përdoret sot edhe në shkencat politike, më shqip me anë të spovës: e ashtuquajtura “Rilindje” ndëshkoi e shembi sa deshi dhe votat iu shtuan.
Ekspertë juridikë të Opozitës, që ajo i mban për “madhorë”, do të kenë rastin të sqarojnë, nëpërmjet qëndrimit ndaj një Kontrate të tillë, nëse janë reale apo jo ndaj tyre akuzat që ata i kanë shërbyer e u shërbejnë jo partive ku militojnë, por fondacioneve të huaja private që tanimë e kanë futur reformimin e Shqipërisë në rrugë pa krye.
fb a.p.