Home KRYESORE Mosbindja civile dhe çështja e Teatrit Kombëtar! Nga Dr. Enriko Ceko

Mosbindja civile dhe çështja e Teatrit Kombëtar! Nga Dr. Enriko Ceko

Mosbindje civile do të thotë refuzim nga ana e qytetarëve për të pranuar ligje, kërkesa, rregulla ose urdhëra të qeverisë dhe / ose pushtuesit.
Më poshtë po rendis disa shembuj të mosbindjes civile në vende të ndryshme të botës, lëvizje që ngjajnë me atë të mbrojtjes që i bëjnë qytetarët Teatrit Kombëtar dhe me lëvizje të tjera në vend si ajo e banorëve të zonës së ASTIR-it, studentëve të instucioneve publike të arismit të lartë, etj.

Në Kubë, lëvizja “Yo No Coopero Con La Dictadura” (“Unë nuk bashkëpunoj me diktaturën”), ka qenë një lëvizje e qytetarëve që kërkonin ndryshimin dhe që luftuan me parrullat:

“I do want change” – Unë dua ndryshim.
“I do not repudiate” – Unë nuk pranoj.
“I do not assist” – Unë nuk dua të asistoj.
“I do not snitch” – Unë nuk spiunoj.
“I do not follow” – Unë nuk të ndjek.
“I do not cooperate” – Unë nuk bashkëpunoj.
“I do not repress” – Unë nuk ushtroj dhunë.

Simboli i tyre ishin krahët e kryqëzuara përpara gjoksit. Kësaj lëvizje qytetare ju bashkuan shumë artistë dhe një grup grash që ishin bashkëshortet, nënat, motrat dhe vajzat e disidentëve të burgosur nga regjimi komunist

Në Estoni, “Revolucioni i këngës” filloi me disa protesta në vitin 1989 dhe vazhdoi me kundërshtimin e hyrjes së tankeve ruse në vend në vitin 1991. Qytetarët, së bashku mbrojtën stacionet e radiotelevizioneve estoneze ë të mos binin në duart e ushtrisë sovjetike. Ky veprim qytetar bëri të mundur fitimin e pavarësisë së vendit pa derdhur gjak. Si rezultat i kësaj qëndrese qytetare, Këshilli Suprem dhe Kongresi i Estonisë deklaroi pavarësinë.

Në Gjermaninë Lindore, në vitin 1989 populli përdori mosbindjen civile për të rrëzuar Murin e Berlinit dhe për të bashkuar vendin. Edhe në vitin 1953 gjermanolindorët përdorën mosbindjen civile, por në atë kohë qeveria arriti t’a mposhtë lëvizjen, ndërsa në vitin 1989 lëvizja arriti që të shpërbëjë qeverisjen komuniste, që rezultoi me rënien e Murit të Berlinit.

Në Francë, Beteja për Larzakun (Larzac) e vitit 1972, kur 103 fshatarë me pak tokë i rezistuan propozimit që në tokat e tyre të zgjerohej ndërtimi i një kampi trainimi usharak. Ata përdorën grevat e urisë në mënyrë të suksesëshme dhe si rezultat i tyre, në vitin 1981, François Mitterrand (Fransua MIterran), pas zgjedhjes si President i Francës, ndaloi projektin.

Në Indi, mosbindja civile ka shërbyer si një taktikë eficiente për të fituar pavarësinë. Ghandi, që udhëhoqi popullin theksonte “Rezistencë pasive në të tëra fushat e jetës. Ne refuzojmë të bashkëpunojmë me ata që n’a drejtojnë kur ata nuk na respektojnë ne”.

Në Izrael, në vitin 1990 u zhvillua një protestë me synime politike për të mos lejuar që shteti izrealit të jepte koncesione për arabët në lidhje me tokën. Ata u mbrojtën me parrullën “Kjo është toka jonë” dhe një prej aktivistëve shkroi librin “Atje ku nuk ka burra”, që u bë mjaft i njohur në atë kohë në botë. Gjatë kësaj lëvizjeje, veprimet kryesore të aktivistëve ishin bllokimi i rrugëve dhe takimet me ndërkombëtarët, lëvizje që solli edhe krijimin e boshtit të demokracisë liberale në Izrael.

Në Afrikën e Jugut, në vitin 1989 lëvizja e udhëhequr nga Nelson Mandela, Desmond Tutu dhe Steve Biko, morri formën e një mosbindjeje civile. Lëvizja arriti kulmin në atë që u quajt Protesta e Shiut të Purpurt dhe në Marshimin e Paqes në Kejp Taun (Cape Toën), që i dhanë fund aparteidit.

Në Ukrakinë, Revolucioni Portokalli (Помаранчева революція – Pomarancheva revolyutsiya) ishte një seri protestash dhe ngjarjesh politike që vazhduan nga nëntori i vitit 2004 deri në janar të vitit 2005, si rezultat i korrupsionit masiv të qeverisjes, që manipuloi rezultatin e votimeve të vitit 2004. Në këtë lëvizje me mijëra protestues u angazhuan në mënyrë të përditëshme derisa revolucioni demokratik solli në krye të vendit opozitën pro perëndimore

Në Sudan në vitin 2016 rritja e çmimeve të naftës në mbarë vendin solli një rritje të inflacionit, gjë që solli rritjen e çmimeve të medikamenteve mjeksore dhe energjisë elektrike. Populli zgjodhi mosbindjen civile dhe jo protestat dhe marshimet në rrugë, të cilat i kishin përdorur edhe më parë pa efekt të madh. Qytetarët u solidarizuan midis tyre dhe gradualisht organizuan një grevë mbarëkombëtare. Meqë njoftimin për grevën mbarëkombëtare e njoftuan mjaft gazeta të përditëshme, qeveria morri masa që të blinte të tëra kopjet e këtyre gazetave përpara se të binin në dorë të qytetarëve, veprim që degjeneroi tërësisht imazhin e qeverisë përpara tërë popullit.

Kështu pra, mosbindja civile merr forma nga më të ndryshmet, ajo është e nevojshme kur regjimi në fuqi nuk arrin të kuptojë se e ka kaluar cakun, kur regjimi në fuqi nuk arrin që të balancojë kërkesat e qytetarisë me dëshirën e pakufishme për pushtet të disa drejtuesve të paaftë, të korruptuar, të papërgjegjshëm, pandërgjegjshëm, të pa shkollë, të paedukatë, të patrainuar dhe të pamoralshëm, që fati e ka sjellë të na drejtojnë.

Në rastin e Teatrit Kombëtar në Tiranë, mosbindja civile dhe marrja e Teatrit Kombëtar në manaxhim nga ana e Lëvizjes për Mbrojtjen e Teatrit është tërësisht e justifikuar si nga ana morale, ashtu dhe nga ana juridike.

Një sërë ndryshimesh ligjore shoqëruar me ligje speciale kanë përgatitur kushtet për shkatërrimin e një prej ndërtesave më pikante të artit shqiptar (dhe jo vetëm). Një pjesë e artistëve, mbështetur edhe nga mjaft qytetarë, kanë arritur të mbrojnë këtë ndërtesë, më të rëndësishmen e traditës artistike në vend, përballë një individi, që pothuajse prej 20 vitesh ja ka vënë syrin kësaj ndërtese, për të ndërtuar mbi tokën e saj, objekte shumëkatëshe, në qendër të kryeqytetit të vendit më të varfër në Evropë.

Aftësia e udhëheqësit është të ndryshojë mendim, ndërsa paaftësia e diktatorit është të mos ndryshojë kurrë pikëpamjen. Kjo bën që destinacioni i tij i fundit të pashmangshëm të jetë gropa.

Share: