Pas 12 vitesh, Vangjush Dako lë zyrën e bashkisë duke ia dorëzuar atë Valbona Sakos. Sot është zhvilluar konstituimi i këshillit të ri të bashkisë dhe pas betimit te këshilltarëve dhe zgjedhjes së strukturave drejtuese, Valbona Sako është betuar. Sako në fjalën e saj ka thënë se koha ka shtruar sfida të reja dhe unë do të punoj me të gjithë për të mirën e qytetit.
Po ashtu këtë të premte, janë konstituar disa këshilla bashkiakë dhe janë betuar kryetarët e rinj të bashkive të dala nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Në Kukës, u betua kryetari i ri i bashkisë, Safet Gjici, si dhe u konstitua Këshilli Bashkiak. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm zëvendësministri i Jashtëm, Gent Cakaj. Pas betimit, Gjici ka hyrë në zyrën e re pa asnjë lloj kundërshtie nga paraardhësi.
Në Përrenjas, ish-kryetarja Miranda Rira nuk ka pranuar të lirojë zyrën, ndërsa konstituimi i Këshillit të ri Bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri Nuri Belba është bërë në ambientet e një shkolle 9-vjeçare.
Me protesta është pritur konstituimi i Këshillit Bashkiak të Matit dhe betimi i kryetarit të ri Agron Malaj, ku mbështetës të PD dhe opozitës kanë kundërshtuar rotacionin e drejtimit të bashkisë, duke i cilësuar si ilegjitime zgjedhjet e 30 qershorit. /Opinion.al