Nga Elona Caslli
Nuk mund ta marrësh peng të vërtetën, Rama! Mund të marrësh peng një jofrymor, por të vërtetën nuk mund ta marrësh peng sepse e vërteta është pikësëpari frymë që nuk trupëzohet në një skelet apo në një vend të caktuar.
Po e trajton të vërtetën si një shami dore. A thua se e palos më dysh, e fut në xhepin e pantallonave dhe ajo rri aty, krejt e heshtur dhe e palëvizur në pritje të dorës tënde për ta nxjerrë nga xhepi.
Në të vërtetë është krejt e kundërta. E vërteta i përket veçse të vërtetës.
Thonë se për të bërë armik dikë nuk është e nevojshme t’i shpallësh luftë. Mjafton t’i thuash të vërtetën.
E vërteta është pasqyra tek e cila kemi frikë të shihemi dhe ka disa njerëz që e kanë thyer prej kohësh këtë pasqyrë, pasi nuk kanë forcën të shihen në të.
Por për fat të mirë, ka edhe disa njerëz që e ndërtojnë pasqyrën e së vërtetës dhe ua vënë përballë individëve që nuk guxojnë të shihen në të.
Kjo histori është e lashtë sa bota. Konflikti midis pasqyrës së thyer të diktatorëve dhe pasqyrës së rindërtuar të të rebeluarve ka ekzistuar gjithmonë.
Të rebeluarit mund të jenë vrarë, mund të jenë burgosur, mund të jenë internuar,mund të jenë kërcënuar, por pasqyra e rindërtuar i ka rezistuar kohës dhe e vërteta është rrëfyer.
Kështu ka ndodhur dhe kështu do të ndodhë gjithmonë, pasi sikundër do të shprehej Rudyard Kipling-u : Do të ketë gjithmonë njerëz që do ta ruajnë arsyen kur bota e humbet fillin!
Post Scriptum- Ka pasur gjithmonë një Krastë; ka gjithmonë një Krastë dhe do të ketë gjithmonë një Krastë, Rama!
Diktatorët ikin, Krastat mbeten!
Elona Caslli