Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Urrejtje dhe plaçkitje apo përndryshe historia jonë…

Nga Artur ZHEJI

Presim Shtatorin dhe Tetorin që do vijë… Kështu pëshpëritet vesh më vesh, në bregdet apo në gryka mali e shtrate lumenjsh… Do ndodhë diçka e do të plasë shumëçka…
Por, për vitet që kam dhe për kqyrjet e gjata që me dëshirë apo me pahir kam bërë, shumë pak gjëra vërtetësisht thelbësore do të ndodhin ndryshe, nga ato çfarë kemi parë. Vetëm se “Urrejtja” e panginjur mes nesh, do të marrë forma të reja dhe etja për para, për shumë para, do të gjarpërojë në përplasjen politike me një vrull dhe me një afsh të ri.
Pakica, qoftë kjo elitare, qëndrestare apo vulgare, do të shkelet dhe do të mënjanohet, sepse “Protokolli i mbrojtjes së Pakicës”, në një vend si Shqipëria, ka mbi 100 vjet që nuk ka hapësirë jetike, nuk ka të drejtë qytetarie, e nuk ka përfillje.

Një vend që ska bërë asnjë luftë me të tjerët, është dreqosur nga lufta e pamëshirshme dhe pa kufi me vetveten, si një grryerje, si një acid vrasës, si një ligësi për të parë të dërmuar më të dobtin, më të pafuqishmin dhe këmbërrëshqiturin në humnerë.
Kemi qenë dhe mbetemi një vend bejlerësh dhe Shqipëria ka qenë dhe mbeti një çiflig për tu rrjepur dhe zhvatur pa dhimbje dhe deri në pikën e fundit të palcës së qënies së saj të brishtë.
Presim Shtatorin dhe Tetorin që do të vijë…

Pak gjëra ndryshe do të sjellë Vjeshta, kryeministri do ta çojë me sa duket, deri në fund sfidën e tij. Sepse ai nuk jeton dot ndryshe, nuk jeton dot pa adrenalinën që bart sfida, pavarsisht Kahjes. Nuk jeton dot pa rreshtuar ushtarakisht puthadorët e tij të mirëushqyer, për të hovur sërish mbi kundërshtarët. Kundërshtarët do tendosen, do të bëhen gardh e do shtrëngojnë rradhët dhe do të mundohen ti bëjnë pritë hovit sulmues, me aq sa munden dhe me gjithshka munden.

Dhe Urrejtja e Gojëligësia, do të jetë përsëri në fronin e vet Mbretëror, në Shtator dhe në Tetorin që vjen, e kështu me rradhë. Kështu kanë bërë përgjithësisht kryeministrat tanë, që nga koha e Ahmet Zogut të Parë (dhe të fundit). Një malësor dinak e bukurosh prej Mati, një shqiptarnjohës i pagabueshëm, që u vetëshpall nga puthadorët e tij të dikurshëm, edhe mbret i shqiptarëve, me motrat princesha të dashuruara nëpër Europë… dhe me plot Poema të rrejshme si stërnip i Skënderbeut, ky Matjani ambicioz e dorëhekurt, që e bënte dhe vetë Gjergjin e Kastriotëve, të lëvizte e të rrotullohej në varr nga sikleti e bezdia, e këtyre emërpërmendjeve krejt të pavend!…. Po dikur iku plot “valigje”, me motra e oborrtarë, e nuk u kthye më ay ndë Dheun që e lindi, mbeti mbret pa Mbretëri e mbet pa Atdhe…

Por emri ju përmend për dhjetëra vite, si më i keqi i të këqinjve, nga ata që përgatisnin një të Keqe edhe më të madhe, të kuqe si ngjyra e gjakut…
Kështu, në këtë gjarpërim urrejtje, Internacionalja na solli këngë e frymë të reja, e kështu përmbysëm bejlerët e vjetër me bejlereshat e tyre, ca fshatarka injorante me shpenzime të pacipa, gjithmonë të pikëlluara, të pikëlluara pangushëllim, se gabimisht kishin lindur ndër katunde ku të kafshonte gjarpëri, ku të përdhunonte çobani apo ku të pinin gjakun mushkonjat dhe kërkonin streha luksoze në Paris apo Romë, e së fundi në London.
Dhe ngritëm me kazëm e pushkë, me drapër e çekan, bejelerët e rinj, të kuq kësaj rradhe, me kasketa bolshevike e jaka të bardha këmishash mbi xhaketa, por të dashuruar me Mercedes Benzat e zinj, më së shumti jashtë serie, sidomos ato që vinin për KryeBeun apo udhëheqësin dhe që i sillte në Shqipëri Sigurimi i Shtetit, pacipërisht të shtrenjta e në mënyrë sekrete…
Me shtëpi të mëdha në kryeqytet e me vila verimi në mal e në Det, e më këngë partizane në gojë (partizanët mbetën një prapavijë morale përherë e më e largët…), por me plot urrejtje për armikun e “kllasës”, që veç duhej shtypur e përdhosur, edhe pas përmbysjes…
Dhe vrisnim armiqtë me toga pushkatimi në emër të Popullit, (të një populli që nuk ishte kërkund), ose i kalbnim burgjeve, si qënie pa të drejta, si jonjerëz, si vemje, si kufoma të pakallura apo si insekte të neveritshme.

Ishim gjithmonë po ne, apo njerëzit para apo rrotull nesh, që na trashëguan ligjërimin e padrejtësive në emër të Popullit, popullit gojëkyçur, kokëulur, bejtexhi dhe qejfli njëkohësisht dhe ngritëm e gdhendëm Maleve tona të larta, vetë kryefjalën e Urrejtjes së Kuqe… dhe emrin e KryeUrrejtësuesit të Ri, “Mësuesit largpamës” bujk i përkushtuar i urrejtjes brez pas brez, të shqiptarëve kundër shqiptarëve…
Presim Shtatorin dhe Tetorin 2019 që do të vijë…
Me plot Urrejtje mes nesh, që do ta përplasim shesheve e sfidave gjygjësore, në emër të një Populli në ikje nga sytë këmbët, dhe të një Drejtësie, që Zoti na ruajt prej padrejtësive të saj.
Asgjë e re pra, përveç fijeve te kalendarit që thinjet vit pas viti dhe emrave të ndryshëm të “Urrejtjebartësve” të rinj, të gjatë apo të shkurtër, të hollë apo të trashë, të gdhendur apo me plot qoshe, por kurdoherë me helm të ntrashur nën gushë dhe me plot urrejtje të ndezur e të zjarrtë, në shpirt dhe në zemër…
Dhjetra e viteve ikin dhe këtë Urrejtje e mbajmë midis Sheshit, si lëndë djegëse, për të çuar përpara, apo drejt Askundit, makinerinë e zymtë të Pushtetit apo të të gjitha Pushteteve…


Share: