Home KRYESORE Meta thërret për t’u betuar 3 anëtaret e zgjedhura të Gjykatës Kushtetuese

Meta thërret për t’u betuar 3 anëtaret e zgjedhura të Gjykatës Kushtetuese

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e Presidencës, Ilir Meta ka njoftuar se do të thërrasë për betim ditën e sotme 3 anëtaret e zgjedhura të Gjykatës Kushtetuese.

Betimi për anëtaret e zgjedhura të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji do të nisë në orën 19:00 dhe do të përfundojë në orën 20:00.

Ndërkohë Presidenti Meta nuk ka thirrur për betim, Arta Vorpsin, e cila ditën e sotme e ka bërë betimin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese tek një notere.

Ajo është shpallur anëtare e kësaj Gjykate si kryesuese e listës sepse Presidenti nuk u shpreh brenda 30 ditëve, sipas Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Në njoftim thuhet se ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Njoftimi i plotë në faqen e Presidencës:

Presidenti Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, ka vendosur të thërrasë sot për betim, përpara Presidentit të Republikës, anëtarët e rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese.

Zonja Elsa Toska e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 133/2019 datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:00.

Zonja Marsida Xhaferllari, e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:30.

Zonja Fiona Papajorgji e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 134/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot më datë 14.11.2019, ora 20:00.

Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Share: