Home KRYESORE Amnezi kombëtare dhe një shesh për fëmijët tanë të pafat!

Amnezi kombëtare dhe një shesh për fëmijët tanë të pafat!

Nga Flutura Acka

Ky është sheshi poshtë pallatit tim dhe në ndërtimin e kësaj pamjeje të frikshme, kanë gjurmë të gjithë kryetarët e bashkive në këta 25 vite, por veçmas kryeministri ynë; atij i përkasin ndërtesat më të larta në këtë pamje. E pra, këtu në këtë shesh, mund të kishte një park lojërash për fëmijë, ja për këta qindra fëmijë që flejnë e rriten në këta fjetore betoni.

Këtu ka nisur paraliza për një seri pallatesh rrotull, dhe këta qindra femijë po rriten nën këtë pamje. Kështu është e gjithë Tirana, kështu është e gjithë Shqipëria. Jashtë, fëmijët i kërcënon tremba sociale, sheshet ua ka zënë betoni, libra prindërit nuk kanë para t’u blejnë, edhe në tarracat lart ku “mund” të luajnë janë të kërcënuar nga antenat vdekjeprurëse e kanceroze të telefonive celulare, që janë montuar aty pa u pyetur anjëri prej banorëve! Kjo, edhe pse ligji e do që 70 % e tyre duhet të firmosin për çdo ndryshim. Verifikojini dhe do të shihni që të gjitha janë të paligjshme dhe të vëna me para në dorë.

Më tutje, ambulanca e lagjes ka mbetur po aq e vogël, dhe, edhe pse janë shumëfishuar banorët, në dhomën e pediatrisë, që të lëvizë mjekja për të marrë kartelën, pacienti ose nëna me fëmijën e sëmure, duhet të dalë jashtë që të mund të kalojë mjekja, pasi dhoma është 2×2 m.

Biblioteka e vogël e lagjes nën të, akoma ka veprat e Enverit, pasi askush nuk e pasuroi veç me veprat surrogato të Daniele Still. E pra, në këto kushte i rrisim fëmijët dhe i edukojmë, duke u shpjeguar se ç’është Atdheu, por ua kursejmë pjesën e banditëve që u ndërtojnë këtë peizazh përditë.

FB_IMG_1455726868102lMjerë fëmijët tanë se çfarë baballarë të tredhur kanë, burra që nuk protestojnë e gra të shushatura nga hallet, e mjerë çfarë baballarësh kombi banditë e antinjerëzorë, u kane rënë për hise, ose i kanë zgjedhur me qejf të madh. AMNEZI KOMBËTARE quhet kjo! Mjerë ne, mjerë fëmijët tanë, mjerë fëmijët e fëmijëve tanë për Shqipërinë që po u lëmë!

Share: