Nga Nikollaq Neranxi
Në gusht të vitit 2008, duke shfrytëzuar mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, megjithëse më kishte zgjedhur një tjetër komunitet i nderuar, vendosëm bashkë me komunitetin e zonës, për të bërë një tubim në Himarë, ku do kërkonim pronat e trashëguara të cilat nuk i kishim marrë akoma. Pushteti lokal arriti t’i bindë himariotët, se kthimin e pronave do e realizonte ajo, kështu që sipas tyre, mitingu im nuk ishte rruga dhe zgjidhja.
Pas kësaj, policia bashkiake prishi podiumin edhe pse kisha marrë leje për tubim si dhe plot incidente të tjera të cilat nuk ia vlen t’i kujtojmë. Gjithsesi mesazhet e mia për himariotët, unë arrita t’i jap, ndërkohë që ata më ndiqnin nga kafenetë rreth e rrotull, të dystuar, të relaksuar e të bindur se pronat i kanë në xhep. Sot jemi në vitin 2016 dhe himariotët nuk i kanë marrë akoma pronat e trashëguara.
Nuk më vjen mirë ta them, por koha më dha të drejtë. Nëse ka ndonjë himariot sot, që beson akoma se tokat e tyre janë aty dhe nuk iu a merr kush, e ka gabim. Nëse nuk mblidhemi të gjithë bashkë, për kauzën dhe hallin e përbashkët, pa paragjykime dhe dritëshkurtësi siç ndodhi në verën e 2008-ës, nuk do merrni asgjë!
Prona e të parëve tanë nuk merret nga kafenetë buzë detit, ajo është shumë e cmuar për ne, por edhe per ata qe ia kane vene syrin. Prona e të parëve nuk ka vetëm vlerë materiale, por mbi të gjitha ka një vlerë të madhe shpirtërore. Ajo është historia jonë, është marka jonë, është krenaria jonë, është amaneti i të parëve tanë.
Pa pronë jemi askushi, pa pronë jemi pa dinjitet, pa pronë do na e zhbëjnë historinë e atij vendi të mrekullueshëm, pa pronë një ditë të bukur mund edhe të na përzënë fare që aty, mbase ne jo, por fëmijët tanë, nipërit tanë! Reflektoni o njerëz fisnikë të bregut, më mirë vonë se sa kurrë!