Home KRYESORE Lagja e Trimave – vuajtjet e psikike e shpirtërore të pashëruara

Lagja e Trimave – vuajtjet e psikike e shpirtërore të pashëruara

Asgjë nuk u bë lidhur me trajtimin mjekësor dhe këshillave psikologjike për banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë, të cilët përjetuan trauma dhe shqetësime nga ngjarjet e 9 dhe 10 majit, informon INA.

Një pjesë e banorëve të lagjes, kryesisht fëmijët ende janë të traumatizuar dhe se kjo gjendje është reale dhe prekëse.

Janë gati 128 familje në “Lagjen e Trimave” që po vuajnë në heshtje nga traumat dhe që askush nuk po kthen vëmendjen tek vuajtjet e tyre, disa maj pas përleshjes së furishme të armatosur.

Gratë dhe fëmijët janë në gjendje më të rëndë. Ata nuk mund të shkëputen nga përjetimi i përleshjeve të para dy javëve.

Artani, 10-vjeçar, bashkë me familjen e tij 11-anëtarëshe ishin strukur në një nga dhomat më të thella të shtëpisë. Për 12 orë kishin qenë të ngujuar.

Shaban Demiri, kryetar i Bashkësisë Lokale të lagjes dhe këshillit emergjent disa muaj pas këtyre ngjarjeve kishte kërkuar ndihmë urgjente.

“Ju lutemi të na ndihmojnë, sepse s’kemi nga të drejtohemi. Apelojmë për ndihmë nga institucione përgjegjëse, avokatë, organizatat vendore, rajonale dhe të huaja që janë të specializuara në këtë fushë, por edhe ekspertë ndërkombëtarë të na ndihmojnë. Ka nevojë për këtë trajtim, sepse shëndeti është parësor”, thekson Shaban Demiri.(24/05/2015)

Shumë banorë të lagjes kërkojnë këtë ndihmë, por ata nuk kanë ku të drejtohen. Disa prej tyre kanë shkuar tek mjeku, por ai i ka sugjeruar që të shkojnë në klinikat e posaçme.

Rexhep Etemi, mjek nga Kumanova, vullnetarisht ka qëndruar tek “Lagja e Trimave” duke u dhënë ndihmë familjarëve. Ai atëkohë kishte theksuar se tek shumica e lagjes ka pasur raste traumatike, dehidrime, stres, atak paniku. ”Pra, bëhet fjalë për sindromin strespostraumatik. Për këtë duhet trajtim adekuat psikiatrik. Sidomos tek fëmijët, pleqtë dhe femrat që janë më të ndjeshme”, thotë ai.

Skender Kodra, profesori i psikologjisë klinike që jeton në New York thotë se këtyre banorëve duhet ndihmuar.

“Shteti duhet të mbajë përgjegjësi dhe të kompensojë çdo familje për këtë vuajtje nga PTSD (Post Traumatic Stress Disorder). Duhet të sigurohen mjekë të specializuar dhe avokatë që të hapin dosjen, sepse në gjithë ato pamje që kemi ndjekur, bëhet fjalë për tmerr të përjetuar, për dëme të mëdha dhe sulme me armë të rënda. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi nga shteti për këtë vuajtje psikike dhe shpirtërore që kanë pësuar këta banorë”, thotë Kodra, i cili në Kosovë është angazhuar për shërimin e rasteve me trauma të luftës, e që është i dekoruar edhe nga SHBA-të për kujdesin për ushtarët amerikanë që kanë përjetuar trauma nga luftërat e fundit.

Por, deri tani asgjë nuk është ndërmarrë në këtë drejtim dhe se banorët kanë ngelur me gjendjen e njejtë shpirtërore, duke përjetuar here pas here probleme të natyrës së traumave dhe stresit. (INA)

Share: