Home KRYESORE Gazetarja e trishtuar me Durresin e saj!

Gazetarja e trishtuar me Durresin e saj!

Na ishte një herë një qytet! Me diell, det dhe jetë! Një ditë të ftohtë nëntori, në më pak se një minutë u shemb si një kështjellë rëre. Zemërimi i natyrës vërshoi pa fre drejt qytetit, që kishte lindur bashkë me përrallat.

Fajtorët dhe të pafajshmit u tronditën njëlloj dhe kuptuan se nuk janë të pavdekshëm. Qyteti u vesh me pikëllim, nga ai i vërteti, që vjen nga shpirti. Gjithkush provoi dhembjen, por edhe përqafimin. Vetëm se çudia më e madhe 3 ditë zgjat. Të varfërit e gjetën veten më të varfër. Me dëshirën për t’u rikthyer në strehëzat e tyre.

Një dilemë, që nuk po na ndahet, një duel i heshtur midis ikjes pa kthim dhe qëndrimit në folenë tënde, që e rreh era dhe shiu, por mbetet më e ëmbla në botë.

Vendlindja ime sot më flet ndryshe, me gjuhën e dhembjes dhe të trishtimit. Tërmeti shkatërrimtar, që shkuli nga themelet shtëpitë, që përpiu jetët njerëzore, nuk qe aq i fortë, sa të më rrëmbente kujtimet. Ato janë strehuar në zemër.

Dritat kanë nisur të rindizen mbrëmjeve. Midis trazimit të shpirtit dhe dëshirës për të jetuar, qyteti po frymon sërish.

Ndoshta, Krishtlindja do ta ringjallë shpresën e venitur, sepse sado i errët dhe i gjatë të jetë tuneli në fund të tij ka dritë!

Share: