Home KRYESORE Papa Françesku: Gënjen kush thotë se e do Zotin, por nuk e...

Papa Françesku: Gënjen kush thotë se e do Zotin, por nuk e do vëllain!

Dashuria është konkrete dhe shprehet duke bërë mirë. Kështu, Papa Françesku, në homelinë e tij në meshën e mëngjesit, duke komentuar leximin e parë të liturgjisë së sotme. Indiferenca është mënyrë e fshehtë për të mos e dashur Zotin dhe për të mos e dashur të afërmin, theksoi Ati i Shenjtë.

R.SH. – Vatikan

Leximi i parë i liturgjisë së sotme, nga Letra e parë e Shën Gjonit Apostull, flet për temën e dashurisë dhe pikërisht mbi të e përqendroi Papa Françesku homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Apostulli, tha Ati i Shenjtë, e kuptoi ç’është dashuria, e përjetoi atë dhe, duke hyrë në zemrën e Jezusit, e kuptoi si shfaqet ajo. Prandaj, në Letrën e tij, na tregon si duhet të duam dhe si jemi dashur.

Zoti na deshi i pari

Papa përmendi dy pohime të Shën Gjonit. I pari është themeli i dashurisë: “Ne e duam Zotin, sepse Ai na deshi i pari”. Dashuria nis prej Tij. “Filloj të dua, ose mund të filloj të dua, – theksoi Françesku – pasi e di se Ai më deshi i pari”. E shtoi: “Nëse Hyji nuk do të na kishte dashur, sigurisht që ne nuk do të ishim në gjendje të donim”. Pastaj, Papa dha një shembull:

“Nëse një foshnjë e porsalindur, pak ditëshe, do të mund të fliste, me siguri do të ishte në gjendje ta shpjegonte këtë realitet: ‘Ndihem i dashur nga prindërit’. Pikërisht, këtë që bëjnë prindërit me fëmijën, e bëri edhe Zoti me ne: na deshi i pari. Kjo e bën të lindë dhe e shton aftësinë tonë për të dashur. Ky është përkufizim i qartë i dashurisë: ne mund ta duam Zotin, sepse Ai na deshi i pari”.

Gënjen kush thotë se e do Zotin, por nuk e do vëllain

         Aspekti i dytë, që përmendi Papa nga Letra e parë e Shën Gjonit Apostull, ka të bëjë me cilësinë e dashurisë. “Nëse dikush thotë: ‘Unë e dua Zotin’ dhe e urren vëllanë e tij, gënjen rëndë”. Françesku vuri në dukje se Gjoni, për këta lloj njerëzish, nuk përdor fjalë si “i pasjellshëm”, ose “këta njerëz gabojnë”, por thotë “gënjeshtar” e, edhe ne duhet ta kemi parasysh këtë:

“Unë e dua Zotin, lutem, hyj në ekstazë… e pastaj, i mënjanoj të tjerët, i urrej, ose thjesht, nuk i dua apo jam indiferent ndaj tyre… Nuk thotë: ‘e ke gabim’, thotë ‘je gënjeshtar’. E kjo fjalë është më se e qartë në Bibël, sepse gënjeshtra është mënyra e sjelljes së djallit: ai është Gënjeshtari i Madh, na thotë Besëlidhja e Re, është babai i gënjeshtrës. Ky është përkufizimi i Satanait, që na jep Bibla. E nëse thoni se e doni Zotin, por e urreni vëllanë tuaj, ndodheni në anën tjetër: jeni gënjeshtarë. Nuk ka lëshime për këtë”.

Dashuria është konkrete dhe e përditshme

         Por nuk është vetëm ndjenja e urrejtjes. Mund të mos duam as të përzihemi me të tjerët, duke jetuar sikur ata të mos ekzistonin. As kjo s’është e punë e bukur, nënvizoi Papa, sepse dashuria “shprehet duke bërë mirë”:

“Nëse dikush thotë: ‘Për të qenë i pastër, pi vetëm ujë të distiluar’, me siguri do të vdesë, sepse kjo nuk shërben për jetën. Dashuria e vërtetë nuk është ujë i distiluar: është ujë i përditshëm, me problemet, me afërsitë, me dashuritë dhe me urrejtjet… kjo është. T’i duam gjërat konkrete: dashuria konkrete nuk është dashuri laboratori. Këtë na mëson apostulli, me këto përkufizime të qarta. Por ka një mënyrë pak të fshehtë për të mos e dashur as Zotin, as të afërmin, që është indiferentizmi. ‘Jo, nuk e dua këtë: dua ujë të distiluar. Nuk përzihem me problemet e të tjerëve’. Por ti duhet të përzihesh, për të ndihmuar, për t’u lutur”.

Përmes fesë, e fitojmë botën

         Papa Françesku citoi më pas një shprehje të Shën Albert Hurtados, i cili thoshte: “Të mos bësh keq është mirë, por të mos bësh mirë është keq”. Dashuria e vërtetë “duhet të nxisë të bëjmë mirë… t’i përdorim duart për veprat e dashurisë”. Nuk është e lehtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, por përmes udhës së fesë, mund të fitojmë mbi botën, mbi atë mendësi të botës “që na pengon të duam”. Në këtë rrugë, paralajmëroi Françesku, “nuk hyjnë indiferentët, ata që lajnë duart para problemeve, ata që nuk duan të përzihen me të tjerët për të ndihmuar, për të bërë mirë; nuk hyjnë mistikët e rremë, ata me zemër të distiluar si uji, të cilët thonë se e duan Zotin, por nuk e duan të afërmin”. Së fundi, Papa u lut: “Zoti na i mësoftë këto të vërteta: sigurinë se jemi dashur që më parë dhe guximin për t’i dashur vëllezërit”.

Share: