Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet votimin nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të Qeverisë së re të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti. Njëkohësisht, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përshëndet zgjedhjen e zonjës Vjosa Osmani, si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Mandatimi i Qeverisë, ishte kurorëzim i procesit demokratik, që kulmoi me zgjedhjet e lira dhe demokratike të 6 tetorit 2019. Zgjedhje këto që shpërfaqën një kulturë të lartë demokratike të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Përgëzojmë partitë e koalicionit qeverisës për marrëveshjen e arritur dhe shprehim besimin tonë që Qeveria Kurti, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, së bashku më partitë e pakicave etnike, do ballafaqohet më sukses me sfidat më të cilat përballet Republika e Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të vë në pah, sidomos, sfidat jo të lehta që përcjellin konsolidimin e mëtejmë të pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur.
Ne shprehim besimin tonë të thellë që Qeveria e Kurti, së bashku me institucionet tjera të Republikës së Kosovës, do tejkalojë me seriozitet dhe profesionalizëm çdo sfidë dhe pengesë, në rrugëtimin e pandalshëm të Republikës së Kosovës drejt integrimit në strukturat Euro-Atlantike dhe anëtarësimit në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson më krenari faktin se, që nga shpallja e pavarësisë së saj, Republika e Kosovës është dëshmuar të jetë një shtyllë e fortë e paqës dhe stabilitetit në rajon, si dhe përçuese e denjë e vlerave dhe aspiratave Euro-Atlantike që kanë frymezuar gjithmonë kombin tonë.