Ish-ushtarakët që janë strehuar në objekte të Ministrisë së Mbrojtjes do të mund t’i privatizojnë ato sipas një projektligji të nxjerrë për konsultim nga kjo ministri. Drafti i bërë publik nënvizon se “të gjitha objektet ndërtimore, së bashku me truallin nën objekt, të shndërruara në objekte banimi, dhënë për strehim ushtarakëve e ish-ushtarakëve nga Ministria e Mbrojtjes, privatizohen në favor të përfituesve që disponojnë dokumentacion për pajisjen me këto objekte dhe janë banorë aktualë të tyre”.
Nga ana tjetër ish-pronarëve, të cilëve u është njohur e drejta e parablerjes, pasi objekti është ndërtuar mbi truallin e tyre, u njihet e drejta e kompensimit për sipërfaqen e truallit që privatizohet.
Draft ligji përcakton se privatizimi kryhet për ato objekte ndërtimore, që në bazë të akteve ligjore e nënligjore për kthim në banesa të objekteve që mbetën të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura, janë dhënë për strehim ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve. “Privatizimi i objekteve ndërtimore dhe i truallit nën objektet që janë në inventar të Ministrisë së Mbrojtjes, kryhen sipas listës bashkëlidhur, që përcakton numrin, emërtimin dhe vendndodhjen e pronës “thuhet në projektligj.
Dokumentacioni vërtetues
Draft ligji përcakton se të gjithë ata që do të duan të privatizojnë banesën ku janë strehuar duhet të disponojnë dokumentacionin origjinal apo të njehsuar me origjinalin. Kështu sipas draft ligjit dokumentacioni vërtetues i pajisjes së personave me objekt për qëllim strehimi është:
a) autorizim nga komisionet e strehimit;
b) listë shpërndarje nga komisioni i strehimit apo nga Ministria e Mbrojtjes;
c) urdhër i ministrit të Mbrojtjes për strehim;
ç) shkresë drejtuar Entit Kombëtar të Banesave;
d) autorizim nga komandat e reparteve për strehim
dh) autorizim i përkohshëm nga komandat e reparteve për strehim;
e) kontratë ruajtje ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit;
ë) urdhër ruajtje nga komanda e repartit që ngarkon poseduesin për ruajtjen e objektit;
f) urdhër për strehim të përkohshëm nga komanda e repartit
g) kontratë provizore ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit;
gj) kontratë qiraje ndërmjet poseduesit dhe komandës së repartit
h) vendim nga komisionet e strehimit.
Përfituesit e këtyre objekteve për privatizim nga Enti Kombëtar i Banesave do të paguajnë vetëm vlerën e truallit nën objekt, sipas vlerës së çmimit që ka pasur trualli në momentin e pajisjes së ushtarakut, ish-ushtarakut me dokumentacion për qëllim strehimi dhe shpenzimet hipotekore.