Home KRYESORE “Grenxat” që nuk u bënë dot “bletë”!

“Grenxat” që nuk u bënë dot “bletë”!

Nga 27.al

Drejtoreshat “fashion” të kryeministrit Rama, që menaxhojnë sektorët më të rëndësishëm të qeverisjes

Janë të paktën 40 drejtoresha të emëruara nga kryeministri Rama në drejtoritë më të rëndësishme të sektorit publik, aty ku konkretisht përcaktohet suksesi apo dështimi i punës të qeverisë dhe reformave të ndërrmara, aty ku menaxhohet shumica e fondeve të buxhetit të shtetit. Ato janë të besuarat e kryeministrit Rama dhe shumica e tyre lidhet drejtpëdrejt me institucionin e kryeministrisë. Shumë prej tyre vijnë nga një përvojë si punonjëse nga administrata e Bashkinë e Tiranës, që nga koha kur bashkia drejtohej nga Edi Rama gjatë viteve 2000-2011. Shumica janë gjithashtu aktive në jetën politike dhe anëtare të forumeve të larta drejtuese të PS-së.

Qysh në krye të këtij vëzhgimi, duhet të sqarojmë se pjesëmarrja e një numri të konsiderueshëm të grave në vendimarrje është një faktor mjaft pozitiv, por nuk kemi ndërmend aspak të vlerësojmë barazinë gjinore, apo përmbushjen e kuotave të pjesëmarrjes së grave. Nuk mund ta mohojmë, se kryeministri Rama e ka vendosur një standard në këtë drejtim, madje e ka demonstruar qysh në fillim, kur u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku për 11 vite rresht, shumica e anëtarëve të stafit të tij ishin femra.

Drejtoresha e Pergjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, duke hyre gjate prezantimit te arritjeve te 300 diteve te para te qeverise Rama, organizuar ne Tetarin e Operas dhe Baletit, TKOB.
Drejtoresha e Pergjithshme e Doganave, Elisa Spiropali

Por kuotat e larta që favorizojnë femrat, nuk do të thotë që kanë favorizuar gjithashtu edhe drejtuesit më të aftë, më të pa korruptuar dhe më të suksesshëm, madje mund të ndodhë e kundërta, disa prej tyre mund të jenë ngjitur në karrigen e drejtuesit duke shkëmbyer profesionalizmin dhe pavarësinë me favorin që ju jep plotësimi i kuotave nga kryeministri Rama.

Drejtoreshat e emëruara nga Rama menaxhojnë sektorët më të rëndësishëm të qeverisjes, si : Dogana, Tatime, Hipoteka, Drejtorinë e Buxhetit të Shtetit, Turizmin, Administrimin e Territorit, Administratën Publike, Inspetoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Terriroti, Kontrollin e Naftës e Gazit, Kontrollin e Lojrave të Fatit,  Drejtorinë e Prokuroimeve të Përqëndruara , QSUT-në, e deri tek ndërmarrja e Qytetit Studenti.

Dy raste dështimesh më spektakolare me drejtoreshat e Ramës ishin ata të sektorit të arsimit në Tiranë e Lushnje. Të dy drejtoreshat të shkarkuara, të dyja të akuzuara për korrupsion, të dyja në ndjekje penale edhe aktualisht.

Por rasti më i mirë për të analizuar suksesin e drejtoreshave të Ramës në qeverisje, është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave,  ku edhe në drejtoritë rajonale ka shumë drejtuese gra. Janë dy digasteret ku rezultatet janë një dështim i qartë.

 

Mosrealizimi në të ardhurat nga doganat e tatimet për vitin që shkoi, ishte afërsisht 400 milion dollarë. Kjo është përgjegjësi e tri drejtoreshave, Brisejda Shehaj e Tatimeve, Elisa Spiropali e Doganave për një vit e gjysëm dhe Pranvera Fagu e cila pasoi Spiropalin në krye të drejtorisë së Doganave në  mars 2015.

Përveç Elisa Spiropalit, dy drejtoreshat e tjera të organeve fiskale janë stoike në “arritjet” e tyre. Aq stoike sa më në fund “ia hëngrën kokën” edhe shefit të tyre, ministrit të financave Shkëlqim Cani. U shkarkua pak ditë më parë nga kryeministri dhe me siguri një peshë të rëndësishme në “fajet” e tij e zënë rezultatet e drejtoreshave.

Një prej insitucioneve të rëndësishme ku është emëruar një grua, ish-drejtore në bashkinë e Tiranës, është edhe QSUT, ku drejton Ogerta Manastirliu. Pas dy vitesh qeverisje, asgjë nuk ka ndryshuar pozitivisht në QSUT, përkundrazi ka përkeqësim të shërbimit shëndetësor në spitalet publike. QSUT është vënë shpesh në qëndër të skandaleve korruptive të publikuara në media.

Drejtoresha e Pergjithshme e Tatimeve Briseida Shehaj, gjate nje takimi me strukturat tatimore te perfshire ne aksionin kunder informalitetit dhe evazionit fiskal./r/n/r/nGeneral Director of Tax office Briseida Shehaj, during a meeting with tax structures involved in action against informality and tax evasion.
Drejtoresha e Pergjithshme e Tatimeve Briseida Shehaj

Nëse i marrim rast pas rasti të gjitha drejtoritë e përgjithshme, apo edhe inspektoriatet, vështirë se gjen histori suksesi. Panorama e përgjithshme tregon vetëm vijueshmërinë e akuzave për korrupsion në këto institucione dhe asnjë rezultat pozitiv.

Një detaj i rëndësishëm për të argumentuar dështimin është karriera e tyre në profesion. Shumica e tyre vijnë nga poste drejtuese në bashkinë e Tiranës, pa përvojë të mëparshme. Ato janë pushuar nga puna për afërsisht dy vite, pas largimit të Ramës nga Bashkia e Tiranës duke pritur të rradhiteshin në ekipin e qeverisjes së Rilindjes. Disa prej tyre u angazhuan në selinë e PS-së si staf i Ramës, por kjo nuk ka asnjë lidhje me karrierën profesionale.

Përveç karrierës me boshllëqe të konsiderueshme, mosha mesatare e këtyre drejtoreshave është 30 vjeç, gjë që ngre dyshime mbi pjekurinë e vendimeve që duhet të marrë një drejtues insitucioni.

 

Në krye të kësaj liste qëndron padyshim drejtoresha e Tatimeve, Brisejda Shehaj, e cila kur u zgjodh në këtë detyrë pranoi publikisht, se “zgjedhja nuk lidhej me ndonjë meritë për t’u veçuar, por thjesht sepse ishte në vendin e duhur dhe kohën e duhur”.  Ishin ende ditët e para të detyrës, kur Brisejda dhe Elisa shfaqeshin nëpër ekrane plot sharm e premtime, se do të “bënin shtet”.

Kur i prezantoi në publik si drejtuese të dy institucioneve më të rëndësishme të financave shqiptare, Rama u shpreh i bindur, se arka e shtetit do të mbushej dhe se paratë e shqiptarëve janë të sigurta në duart e dy vajzave

Në vitin e parë të qeverisjes, inkurajimi i kryeministrit ishte pa rezerva, duke e vlerësuar drejtoreshën e Tatimeve, Briseida Shehaj me çmimin “Bleta e Artë”. Gjatë ceremonisë, Briseida do të shprehej para mediave: “Unë jam ajo grenxa, që kryeminsitri më bëri bletë”.

Drejtoresha e Agjencise se Turizmit, Julinda Dhame, perpara sfilates me fustane nuserie te linjes, Geraldina Sposa, ne oborrin e pallatit te Brigadave ne Tirane./r/n/r/nDirector of Tourism Agency Julinda Dhame, prior the fashion show of Italian wedding dress line, Linea Sposa outside the Palace of Brigades in Tirana.
Drejtoresha e Agjencise se Turizmit, Julinda Dhame

 “Klasi” i drejtoreshave

Mund të mos kenë rezultatet që premtuan në institucionet që drejtojnë, por me imazhin nuk zhgënjejnë. Shumica e tyre shfaqen nëpër ekrane si modele pasarelash.

Luksi i jetesës së tyre shfaqet që tek veshjet, aksesorët, krehjet, makinat luksoze, e deri tek “konkurset” me fotografitë në rrjetet sociale, se cila është më sharmante se tjetra.

Të paktën për këtë do të mbahen mënd gjatë por zor se do të lënë gjurmë për ndonjë meritë në menaxhimin e institucioneve ku i caktoi shefi i tyre.

 

Share: