Home KRYESORE Më fal, Teuta!

Më fal, Teuta!

Nga Lis Bukuroca

Të kujtohet Teuta vaji Çajupit, kruspullosur për Evgjeninë.
Si dëneste Goethe lëmsh për Frederikën, kur humbi dashurinë.
Si qante Dante i dëshpëruar për Beatriçen, tanimë zemërzhuritur.
Si rënkonte Petrarka Laurën, i mjeri, edhe ky shpirttronditur!?

Nga droja, hutimi, përplasa derën pas, mora botën në sy.
I zbehur nxitova në tren, pa u përshëndetur me Ty
Ti rrije e qetë, shpresoje, duke qëndisur atje një shami.
Trupin bartte treni, duke e hedhur pakthyeshëm në largësi.
Unë ikja, ikja, por në shpirtin tim shumë përjetime kishin mbetur.
Aq shumë ëndrra, arratia merrte me vete, unë krejtësisht i stepur.
Treni fishkëllente drejt mjegullnajës, dashuria jonë ende si tezë.
E unë mendoja shpirti fshihet, mu si fshihet edhe dërrasa zezë!

Letra erdhi disa muaj pas, kur fërfëllonte me ngut dëbora.
Nën pullazin e shtëpisë, fshija lotët, sa më dridhej dora.
Lamtumirë për këtë jetë, fjalët Tua të ftohta, plot zhgënjim.
Flaka shishen, lëmsh si Dante, gati i ngrirë, deri në agim!

Të lagura me lot, një mbi një palosa letra dhe disa fotografi.
Nga dashuria për Ty, ndeza zjarrin për ta zhbërë atë dashuri.
Një shpëtoi, ende në sirtar fshehur, pate shkruar në kopertinë,
“ E jotja përgjithmonë” tek Preveri, ruan aty, akoma dashurinë!

Të falënderoj që në jetën time hyre dhe dole krenare
Qafëgjatë e ëmbëlake, pushtuese, plot hir si sorkadhe.
Dashuritë e mëdha nuk fshihen, kaq vonë këtë e kam nxënë.
Perandore! Mijëra fjalë, që janë dhe kanë ngelur pa u thënë!

Nuk di Perëndeshë, si përpunoi Çajupi dhembjen për Evgjeninë.
Sa net zbardhi Goethe për Frederikën, kur humbi dashurinë.
Pse Dante e Petrarka nuk flinin, pa dashuritë e tyre hyjnore.
Nuk di, por edhe tani, edhe pse nuk duhet, unë të rikujtoj prore…

Ishe dhe në kujtesë mbete shtojzovalle, Teuta Mbretëreshë.
Pas aq shumë viteve, të shkruaj, përkulem, më fal Hyjneshë.
I hidhëruar, helmuar për sjelljen e keqe, të trisht në rini.
Oh Teuta, më fal të lutem, gabon njeriu edhe në dashuri!

Share: