Home KRYESORE Mjeku i njohur: Ministria gabon qe i heq licencën shkollës qe u...

Mjeku i njohur: Ministria gabon qe i heq licencën shkollës qe u mbyll nga Koronavirus

Nga Erion Dasho

Ministria e Arsimit njoftoi sot për heqjen e licensës së Shkollës “Udha E Shkronjave”. Arsyeja ishte vendimi i Bordit të Shkollës për të pezulluar mësimin për shkak të frikës nga epidemia e koronavirusit.

  1. Megjithëse shkolla mund të ketë shkelur ligjet të cilave ju referua Ministria, mendoj se heqja e licensës është një masë e nxituar dhe ekstreme. Aq më tepër për një shkollë të njohur për cilësi dhe inovacion. Mjafton të përmenden kurrikulat e një shkolle të Oksfordit që përdor “Udha e Shkronjave” dhe fakti që prej më shumë se dhjetë vjetësh organizon olimpiada shkencore në nivel kombëtar. Dhe, e fundit, është nga shkollat e pakta private në pronësi të arsimtarëve dhe jo të biznesmenëve, çka nuk është pak.
  2. Si specialist i shëndetit publik, kam ndjesinë se vendimi i shkollës për të pezulluar mësimin mund të jetë një masë e drejtë. Kjo sepse shumë organizata ndërkombëtare prestigjioze kanë paralajmëruar se mund të jemi në prag pandemie, kurse vendi fqinjë Italia (për më tepër Rajoni i Lombardisë me të cilin na lidhin 3 ose 4 fluturime ditore) është qendra më e prekur në Europë. Para se të vendoste të pezullonte këtë shkollë, ndoshta Ministria e Arsimit duhet të gjykonte në se një masë e tillë mund të merrej për gjithë shkollat e Tiranës dhe Durrësit, dy portat që na lidhin me Italinë dhe Lombardinë.

Shpresoj dhe ftoj për një reagim qytetar të gjithë miqve që kam në facebook kundër masës për mbylljen e shkollës “Udha e Shkronjave”.

Uroj mikun tim, Arturin, ta kalojë këtë valë siç ka kaluar edhe shumë të tjera.

Uroj me gjithë zemër që situata e koronavirusit në Shqipëri të jetë nën kontroll dhe pas disa ditësh të mos themi “Ah, që nuk i mbyllëm shkollat në 24 shkurt”…

Share: