Home KRYESORE Ish zv.ministri i Zhvillimit Urban: 400 mijë ndërtime informale, nevojë urgjente për...

Ish zv.ministri i Zhvillimit Urban: 400 mijë ndërtime informale, nevojë urgjente për oponencë teknike

Situata e krijuar pas tërmetit dëmtues të 26 nëntorit risolli në vëmendje standardin e ndërtimeve në Shqipëri dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj fatkeqësive natyrore. Në vitet 2013- 2017 Ministria e Zhvillimit Urban në atë kohë bëri një punë kolosale për përpilimin e kuadrit ligjor përsa i përket ndërtimeve. Por me shkrirjen e kësaj ministrie në qeverinë “Rama 2” puna mbeti përgjysmë.

Ing. Gjon Radovani ka qenë zv.ministri i MZHU i cili është marrë me përpilimin e këtij kuadri ligjor bashkëkohor për punën projektuese të objekteve ndërtimore. Në një intervistë për tirananews.al ai shprehet i bindur se pa një kuadër ligjor dhe normativ të saktë, asnjë disiplinë nuk mund të prosperojë, aq më pak ajo e projektimit dhe ndërtimit të objekteve imobiliare.

Tashmë, për z. Radovani puna e mbetur përgjysmë është emergjencë kombëtare dhe duhet të merret me seriozitetin e duhur. Ai thotë se vetë fakti që puna për përpilimin e legjislacionit të fushës është ndalur prej vitesh, tregon se ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e saj nuk ka arritur akoma masën kritike.

Sipas tij, për të plotësuar kuadrin ligjor dhe atë normativ, në mungesë të MZHU sot do të duhej të ishte formuar të paktën një institut i përhershëm, i cili të merret vetëm me përpilimin dhe përditësimin e legjislacionin, të normativave të projektimit, të disiplinimit të punimeve në ndërtim, të rregullimit të proceseve administrative për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe për kolaudimin, të kostove të ndërtimit, etj.

“Krijimi i kuadrit ligjor të saktë dhe bashkëkohor si dhe kontrolli mbi respektimin e tij është një ndër detyrat primare të shtetit. Në Shqipëri mbizotëron mendimi se: “…ne kemi ligje të mira, por nuk i zbatojmë…”. Ju garantoj që ky mendim është totalisht i gabuar dhe i pabazuar në asnjë argument shkencor, të paktën në rastin e arkitekturës. Injoranca, mediokriteti dhe gjithologjia mbizotëruese në vend, ka nevojë gjithmonë për teza të tilla për të justifikuar çdo mbrapshti që i kanë bërë këtij vendi”, shprehet ai.

Për ish-zv.ministrin Radovani sigurisht që në kushtet e sizmicitetit, pas ngjarjes së 26 nëntorit dhe të gjendjes së ndërtimeve në Shqipëri, çështja e kushteve teknike të ndërtimit merr një rëndësi edhe më të madhe.

“Përveç legjislacionit të vjetruar dhe jo adekuat të kushteve teknike të ndërtimit, të disiplinimit të punimeve në ndërtim, etj., kujtoj se në vitin 2013 janë evidentuar mbi 400 mijë ndërtime ilegale të cilat janë legalizuar ose janë në proces legalizimi. Mbi këtë sasi ekstremisht të madhe ndërtimesh për një vend kaq të vogël sa Shqipëria, nuk kemi dhe as nuk do të kemi asnjëherë një oponencë teknike të qëndrueshmërisë së tyre. Shumë nga këto ndërtesa janë ndërtuar nga vetë pronarët pa ndihmën e asnjë profesionisti të fushës”, thotë ai.

Z. Radovani ju keni qenë në krye të grupit të punës për normat e projektimit arkitekturor rreth tre vite më parë. Si mund ta përkufizoni punën e bërë dhe sa prej këtyre normativave zbatohen aktualisht në Shqipëri?

-Në detyrën pranë ministrisë së Zhvillimit Urban nga viti 2013 deri ne vitin 2017 kam pasur si prioritet kryesor të punës sime përpilimin e kuadrit ligjor bashkëkohor për punën projektuese të objekteve ndërtimore. Kjo, sepse jam i bindur se pa një kuadër ligjor dhe normativ të saktë, asnjë disiplinë nuk mund të prosperojë, aq më pak ajo e projektimit dhe ndërtimit të objekteve imobiliare.
Mjerisht në dekadat pas rënies së diktaturës, edhe ai kuadër ligjor e normativ shumë i vobektë i periudhës së komunizmit, në vend që të rinovohej, përmirësohej dhe të zgjerohej është deformuar dhe shpesh është shfuqizuar fare, duke hequr nga përdorimi shumë instrumenta ligjorë dhe normativë të domosdoshëm për disiplinimin e menaxhimit të territorit dhe të ndërtimit në Republikën e Shqipërisë. Po përmend këtu vetëm “vijën e verdhë“, që është hequr si instrument ligjor i planifikimit urban dhe shfuqizimi i saj ka deduktuar një abuzim dhe masakrim të pashembullt të territorit te Republikës.
Në këto kushte përpilimi i këtij kuadri ligjor është emergjencë kombëtare dhe duhet të merret me seriozitetin e duhur.
Në katër vite ne kemi arritur të bëjmë normativat e projektimit të varrezave, banesave, kopshteve dhe çerdheve. Përveç kësaj është rikonceptuar edhe tarifari i punëve projektuese arkitekturore dhe inxhinierike.
Puna e kryer në katër vite ka qenë vetëm fillimi i një punë të gjatë, të pandërprerë dhe të kualifikuar shkencore, e cila kërkon njohuri të thella të materies, kapacitete njerëzore por edhe përditësim të përjetshëm. Për tu plotësuar kuadri ligjor dhe ai normativ, në mungesë të Ministrisë së Zhvillimit Urban pas 2017, duhet që së paku të ishte formuar një institut i përhershëm, i cili të merret vetëm me përpilimin dhe përditësimin e legjislacionin, të normativave të projektimit, të disiplinimit të punimeve në ndërtim, të rregullimit të proceseve administrative për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe për kolaudimin, të kostove të ndërtimit, etj. etj. Nëse për tu shpjeguar më mirë do të duhej të kuantifikoja punën e bërë nga ne në katër vite në raport me volumin total të punës për tu bërë, mendoj se nuk është bërë as një e dhjeta e punës fillestare legjislative dhe normative për disiplinën tonë.

Me sa më rezulton, pas vitit 2017 kjo punë shkencore nuk ka vazhduar më dhe për konseguencë edhe ato instrumente të krijuara funksionojnë çalasi, sepse i mungojnë ingranazhet e tjera, nënligjore dhe operative, që sigurojnë në aspektin ligjor një zbatim korrekt të tyre dhe parashikojnë sanksionet në rast shkeljeje.

Gjithashtu, në kohën kur ju keni qenë zv. ministër i Zhvillimit Urban u përkthyen dhe përshtaten eurokodet për teknikat e projektimit. Aktualisht zbatimi i Eurokodeve nuk është ende i detyrueshëm me ligj në vendin tonë, dhe vijon të ndërtohet edhe me Kushtet Teknike të Projektimit (KTP) e ’89. A mund të flasim në situatën e sotme për një mospërputhje mes kushteve teknike ekzistuese dhe gjendjes reale të sektorit të ndërtimit në vendin tonë?

Natyrisht që mund të flasim për një mospërputhje totale të kushteve teknike në fuqi dhe gjendjes së sektorit të ndërtimit në vend. Është iluzore të pretendojmë të kemi siguri në ndërtim kur në fuqi akoma kemi një ligj që ka përcaktuar kushtet teknike të projektimit në vitin 1989. Kujtoj se jo vetëm tre dekada pa përditësim, por edhe ndryshimi radikal i sistemeve politike në Shqipëri dhe për konseguencë i hyrjes në treg të teknologjive dhe kërkesave europiane të klientelës, e ka bërë praktikisht këtë ligj krejtësisht të pavlefshëm, për të mos thënë të rrezikshëm. Shumica e inxhinierëve konstruktorë i referohen në projektimet e tyre Eurokodeve, por kjo nuk jep asnjë garanci, meqë një gjë e tillë nuk është e sanksionuar me ligj. Zhvillimi territorial dhe ndërtimi nuk mund të jenë objekt i subjektivitetit të individit, qoftë ai edhe profesionist i fushës. Në cdo shtet modern zhvillimi territorial, urbanistika dhe arkitektura janë një “domain (shen.redaks: pronesi) shtetërore” e padiskutueshme. Krijimi i kuadrit ligjor të saktë dhe bashkëkohor si dhe kontrolli mbi respektimin e tij është një ndër detyrat primare të shtetit. Në Shqipëri mbizotëron mendimi se: “…ne kemi ligje të mira, por nuk i zbatojmë…”. Ju garantoj që ky mendim është totalisht i gabuar dhe i pabazuar në asnjë argument shkencor, të paktën në rastin e arkitekturës. Injoranca, mediokriteti dhe gjithologjia mbizotëruese në vend, ka nevojë gjithmonë për teza të tilla për të justifikuar çdo mbrapshti që i kanë bërë këtij vendi.

Në shumë vende, si dhe në Shqipëri është lejuar një periudhë bashkëekzistence mes zbatimit të Eurokodeve dhe kodeve ekzistuese të vendit (aktualisht KTP ’89). Në gjykimin tuaj a ka ardhur koha që Eurokodet të bëhen të detyrueshme me ligj në Shqipëri? Sa do të rriste kostot zbatimit i tyre?

-Pa asnjë ekuivok ka ardhur koha, që ligji i vitit 1989 të shfuqizohet dhe të zëvendësohet me një ligj të ri. A është në gjendje ekonomia shqiptare dhe industria e ndërtimit të përtypë pa dëme të konsiderueshme dhe jetike futjen e menjëhershme në fuqi të Eurokodeve? Kjo është një pyetje e cila mund të marrë përgjigje të saktë vetëm pas një analize të thellë, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë ekonomik. Në analizë duhet të merret në shqyrtim edhe mundësia e zëvendësimit të këtij ligji me norma të ndërmjetme drejt eurokodeve, për të bërë një kalim të logjikshëm dhe të butë, për të mos dëmtuar ndjeshëm edhe ekuilibrat ekonomikë të tregut imobiliar. Një krahasim i kostos së ndërtimit për projekte që zbatojnë kushtet teknike të ligjit të vitit 1989 me Eurokodet e sotme është i pamundur të bëhet saktësisht, sepse ligji i ‘89, sic ju thashë është kaq jashtë çdo logjike aktuale të ndërtimit, saqë edhe vetë inxhinierët rrallëherë e marrin për bazë. Unë mund t´ju them se rritja e kostos së karabinasë të një ndërtese nga Eurokodi 6 në Eurokodin 8 është rreth 25-30% e kostos së karabinasë, por kjo natyrisht varet edhe nga shumë faktorë të tjerë relevant në projektimin e strukturave.
Duhet të kuptohet se integrimi i elementeve të veçantë të kuadrit ligjor dhe normativ të përkthyera nga ligje dhe norma europiane, nuk garantojnë automatikisht rezultatin final të një projektimi dhe ndërtimi kualitativ, nëse nuk analizohen përpara dhe nëse nuk gjykohen në aftësinë e tyre të harmonizimit me të gjithë kuadrin ligjor shqiptar dhe të funksionimit me instrumentet ekzekutive në dispozicion të administratës shtetërore.

A duhet marrë në konsideratë tërmeti dëmtues i 26 nëntorit si i vetmi i regjistruar instrumentalisht që pas atij të 1979, përsa i përket kushteve të ndërtimit në vend?

-Fatkeqësitë natyrore janë kudo të paevitueshme, por në kushtet e sizmicitetit dhe të gjendjes së ndërtimeve në Shqipëri çështja e kushteve teknike të ndërtimit merr një rëndësi edhe më të madhe. Përvec legjislacionit të vjetëruar dhe jo adekuat të kushteve teknike të ndërtimit, të disiplinimit të punimeve në ndërtim, etj., kujtoj se në vitin 2013 janë evidentuar mbi 400 mijë ndërtime ilegale të cilat janë legalizuar ose janë në proces legalizimi. Mbi këtë sasi ekstremisht të madhe ndërtimesh për një vend kaq të vogël sa Shqipëria, nuk kemi dhe as nuk do të kemi asnjëherë një oponencë teknike të qëndrueshmërisë së tyre. Shumë nga këto ndërtesa janë ndërtuar nga vetë pronarët pa ndihmën e asnjë profesionisti të fushës. Analizat gjeologjike dhe sizmike të trojeve mbi të cilat ato qëndrojnë, nuk janë bërë dhe për konseguencë edhe ato ndërtesa që janë projektuar nga arkitektë dhe inxhinierë nuk mund të jenë të sakta nga ana e kalkulimeve statike dhe dinamike. Gjendja në fushën e ndërtimit është më e rëndë se sa duket dhe shpresoj që grupi i profesionistëve të ndërgjegjësohet, se nuk është inteligjente të priten fatkeqësitë natyrore për të diskutuar dhe për të përmirësuar ato komponentë të domosdoshëm ligjor, që garantojnë të paktën sigurinë e jetës së qytetarëve. Në këtë pikë dua të theksoj edhe aksesushmërinë e banesave nga zjarrfiksat dhe ambulancat në raste emergjencash.

Instituti i Ndërtimit është ai që bën oponencën teknike për lejen e një ndërtimi. A mendoni se duhet forcuar roli i këtij institucioni dhe kompetencat e tij?

Sjell në vëmendje se në vitin 2013 Institutin e Ndërtimit e kemi gjetur në një gjendje aq skandaloze, sa e kam krejt të pamundur ta përshkruaj pa rrezikuar të fyej përgjegjësit e degradimit të një instituti kaq të rëndësishëm për shkencën dhe për zhvillimin e vendit. Në vite instituti ka filluar të kthehet në funksionin e tij nativ dhe të bëjë oponenca teknike edhe dinjitoze. Gjithsesi mendoj se potenciali që ka ky institut është akoma larg për tu absorbuar. Në këtë kontekst është e rëndësishme të kuptohet se Instituti i Ndërtimit është vetëm njëra nga hallkat e mekanizmit të disiplinimit të ndërtimeve në vend. Nëse legjislacioni lë për të dëshiruar dhe hallkat e tjera të mekanizmit mungojnë, edhe puna e institutit, sado e mirë qoftë ajo, nuk mund të garantojë rezultatin e dëshiruar. Për sa kohë ekzistonte MZHU, ne jemi munduar të koordinojmë atë punë legjislative dhe normatizuese që është bërë edhe në dikastere të tjera. Tani nuk ka më asnjë instancë, që ka tagrin dhe detyrën të koordinojë një punë të tillë, ose të paktën kështu më rezulton mua. Vetë fakti që puna për përpilimin e legjislacionit të fushës është ndalur prej vitesh, tregon se ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e saj nuk ka arritur akoma masën kritike. /tirananews.al

Intervistoi: Anisa Braho

Share: