Home Gjeo-Ekonomia Amnistia, tatim 3 deri në 5%/ Ja si funksionon amnistia fiskale për...

Amnistia, tatim 3 deri në 5%/ Ja si funksionon amnistia fiskale për paratë dhe asetet e fshehura

Bizneset apo individët që kanë fshehur taksat mund t’i deklarojnë ato duke paguar një tatim që shkon nga 3 deri në 5 për qind e shumës së fshehur. Top Channel ka mësuar se qeveria po bën gati draftin e amnistisë fiskale, e cili do të votohet shumë shpejt në parlament.

Sipas projektit, bizneset do të kenë mundësi të legalizojnë fitimet e fshehura në vite, ndërsa qytetarët të ardhurat nga puna informale. Por aministia përjashton të ardhurat nga korrupsioni I zyrtarëve dhe paratë e gjeneruara nga aktivitetet kriminale si trafiku, prostitucioni apo veprat e tjera që parashikohen në paketën anti KÇK. Megjithatë mënyra se si qeveria do të garantojë që paratë e krimit të mos ligjërohen përmes amnistisë mbetet pur tu parë.

Qeveria siguron se bizneset apo individët që do të deklarojnë të ardhurat e fshehura, të cilat nuk kanë burim aktivitetet kriminale nuk do të ndiqen penalisht. Për këtë kryeministri Rama deklaroi se ligji i amnistisë do të votohet me 84 vota, të nevojshme për të amnistuar veprën penale të evazionit, ndonëse opozita parlamentare ende nuk ka mbajtur qëndrim zyrtar nëse do ti bashkojë votat për ligjin.

Kjo është hera e parë që Shqipëria synon të zbatojë një amnisti të përgjithshme dhe të plotë fiskale. Në vitin 2011, qeveria e Sali Berishës tentoi amnisti të përgjithshme, por ligji përfundoi në falje fiskale, pasi opozita e atëhershme nuk dha votat e nevojshme për të ndryshuar kodin penal, i cili dënon evazionin. Rrjedhimisht bizneset dhe indvidët hezituan të deklarojnë paratë e evazionit, pasi mund të ndiqeshin penalisht.

Top Channel

Share: