Home KRYESORE Koronapanikun nuk ka mjek që e shëron

Koronapanikun nuk ka mjek që e shëron

Nga Çapajev Gjokutaj

Koronavirusi ka tashmë një emër shkencor: Covid-19. Po mbase i ka hije më shumë nofka ‘koronapanik’. Dhe jo pa arsye. Shqetësimet për të, shoqëruar nga frika e një pandemie, kanë marrë trajtën e panikut në shumë vende.

Shenjat e një gjendjeje paniku u shfaqën edhe tek ne në fillimjavën e shkuar, kur lajmet se shteti italian kishte izoluar me polici dhe ushtri disa komuna ku gjendeshin persona të infektuar, bënë që të boshatiseshin farmacitë nga dizifektantët e duarve, maskat etj., kurse çmimet e tyre të shkonin kacafiu brenda pak orësh.

Ekspertët, pothuajse unanimisht janë të mendimit se frika në kufijtë e panikut, që po shoqëron perhapjen ndëkombtare të virusit, është e ekzagjeruar, madje mund të sjellë më shumë deme se vetë Covid-19.

Kemi te bëjmë me një dukuri komplekse, që i kalon kufijtë e mjekësisë dhe nuk mund të shpjegohet pa thirrur në ndihmë njohuri nga fusha të ndryshme të dijes si sociologjia, psikologjia, teoria e komunikimit, historia, e posaçërisht historia e epidemive etj.

2.

Që shqetësimi per koronavirusin është i zmadhuar e vërtetojnë mjaft fakte të ofruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Numuri i të vdekurve nga koronavirusi në gjithë botën psh ka arritur mbi 2.800, por numri i të vdekurve nga gripi stinor po për të njëjtën periudhë po i afrohet shifrës 77 mijë. Thënë ndryshe, gripi ka vrarë 27 herë më shumë se virusi i ri.

Kjo të kujton një statistikë tjetër. Gjatë një dite në botë vdesin afro 3.300 persona në aksidente automobilistike, megjithatë pothuajse asnjeri nga këta fatkeqë nuk përbën lajm ndërkombëtar. Po qe se rrëzohet një avion, qoftë edhe me 50 – 60 vetë në bord, lajmi bën xhiron e botës.

Si të vdekurit në aksidente automobilistike, ashtu edhe të vdekurit nga gripi stinor i ikin vëmendjes mediatike dhe për pasojë edhe asaj publike, ngaqë prej kohësh janë bërë pjesë e rutinës së përditshme, me fjalë të tjera janë kthyer në statistikë dhe njerëzit pothuajse nuk i përjetojnë si fakte jetësore.

Përsëritja krijon rutinën dhe, të dyja bashkë, zbehin e tjetërsojnë shumëçka, përfshirë edhe keqardhjen e dhembshurinë për vdekjen tragjike të të ngjashmit tënd. Është kjo dukuri pannjerëzore, sepse i ka rrënjët në një dukuri biologjike: përshtatja e shqisave. Kur hyn në një ambjent që mban erë të keqe e ke vështirë në fillim, por me kalimin e kohës nuhatja lodhet, pershtatet dhe injoron e nuk e vë më re kutërbimin.Ndodh kështu jo se e do njeriu, por se e kërkon organizmi për të reduktuar trysninë dhe mbikonsumimin.

Covid-19 nuk e ka karakterin spektakolar të aksidenteve ajrore, por ka një tipar tjetër, është i panjohur, ndaj ndryshe nga gripi stinor ngjall kureshtje e frikë njëherësh. Frika vjen e bëhet më e madhe ngaqë kemi të bëjmë me një sëmundje të re, me një virus që paçka se ka ekzistuar edhe më parë tek kafshë të caktuara, tani ka pësuar mutacione dhe është bërë molepsës edhe për njeriun.

Gjithsesi, më shumë sesa risia, kureshtjen dhe sidomos frikën e ngjall fakti që kemi të bëjmë me një virus të panjohur. Ekspertët psh ende nuk kanë percaktuar tamam kohën e inkubacionit, mënyrat e perhapjes, pa le më të dinë medikamentet më efikase a të kenë në dispozicion vaksinën që do ta parandalonte. Dhe gjithë këto mungesa ekzistojnë në një kohë që pesë perqind e gjithë të infektuarve e përjetojnë lëngatën rëndë, si ndërdyshje mes jetës e vdekjes. Fatkeqësisht më të dobëtit, dhe këta janë më shumë se gjysma e këtij pesëperqindshi, nuk ia dalin dot.

Të panjohurat për virusin, shoqëruar me mungesën e mjeteve mbrojtëse vijnë e bëhen burim trazimi jo të zakonshëm, ngaqë i mbishtresohen arkeoparadigmës ‘e panjohur – frikë’, paradigmë e stërlashtë që pas gjasash nuk vjen nga kultura por nga biologjia. Në milionavjeçarët e kaluar kanë mbijetuar më lehtë dhe kanë lenë pasardhës qeniet që përballjen me të panjohurën e përjetonin me frikë dhe vetëruajtje.

3.

Frika e ekzagjeruar që po shoqëron përhapjen e Covid-19 duket se është nxitur edhe nga një mbulim i shtuar mediatik. Studiues komunikimi vënë re se numri i shkrimeve mbi virusin e ri është ku e ku më i madh sesa për raste sëmundjesh të ngjashme që janë përhapur globalisht gjatë dy dekadave të fundit.

Artikujt për Covid-19 psh, botuar në mediat e shkruara anglisht gjatë muajit të parë, vëren revista ‘Time’, janë 23 herë më të shumtë sesa artikujt e botuar po në muajin e parë të perhapjes së Ebolas të vitit 2018.

Është e vërtetë se Ebola në këtë vit nuk ishte e panjohur, kishte patur disa shperthime që nga 1976, viti i shfaqjes, por po kaq e vërtetë është se vdekshmëria e saj ishte frikëndjellëse, arrinte deri në gjysmën e personave të infektuar, në një kohë që vdekshmëria nga Covid-19, të paktën deri tani, është shumë më e ulët.

Covid-19 është shumë i ngjashëm me SARS, që zuri fill po nga Kina 17 vjet më parë. Ashtu si Covid-19 edhe SARS ishte një koronavirus që shkaktonte simptoma të ngjashme me gripin. Vetem se SARS arriti një shkallë të lartë vdekshmërie, 9.6 %, në një kohë që Covid-19, sipas vlerësimesh paraprake e ka 2 %, gati 5 herë më të ulët. E megjithatë paniku që ngjalli SARS nuk qe i përmasave që po njeh bota dy muajt e fundit.

Ky ndryshim shpjegohet pjesërisht me faktin që sot peisazhi mediatik është krejt ndryshe nga viti 2003. Veç mediave tradicionale, audiovizive dhe të shkruara, tani një pjesë e mirë e informimit publik kryhet nga rjetet sociale.

Nëse mediat tradicionale synojnë pergjithësisht të bëjnë politika redaksionale, të theksojnë rrezikshmërinë e një sëmundjeje e të amortizojnë sadokudo frikën, nëse në mediat tradicionale flasin për sëmundje e epidemi specialistë apo gazetarë të mirëinformuar a të specializuar, në rjetet sociale flasin të gjithë, specialistë e amatorë, të informuar e të paditur. Mediat sociale nuk e njohin përzgjedhjen, nuk kanë politika redaksionale dhe të shumtën e kohës u lenë më shumë vend emocioneve sesa informimit racional.

Natyrisht emocionet kanë shumë dobi e të mira per mirëqenien e njeriut e për komunikimin, por kur vijnë me tepri dhe nën trysninë e frikës dhe të pasigurisë, kthehen në këshilltar i keq. S’e thoshte kot i pari se emocionet i ngjajnë vajit të kandilit, kur janë me masë bëjnë dritë, kur janë me tepri e shuajnë fillin e të zhysin në errësirë.

Jemi qenie racionale dhe synojmë faktet dhe argumentat, por kur në ligjerimin publik e atë mediatik shfaqt vdekja dhe frika ndaj saj, jo si statistikë por si një rrezik i mundshëm edhe për ty, frika rrit qasjet emocionale dhe dihet se këto ndikojnë keq sjelljet dhe vendimmarrjen.

Tek libri ‘Të mendosh shpejt dhe ngadalë’ nobelisti Daniel Kahneman dëshmon se është provuar në rrugë eksperimentale,që njerëzit janë më të gatshëm t’i nënshtrohen një operacioni kur u thuhet se mundësitë e shërimit janë 90 përqind, sesa kur u thuhet se mundesitë e vdekjes janë 10 përqind.

Kur në mes hyjnë emocione si frika, ankthi, turpi etj., ngjan se jemi më të prirur të paragjykojmë sesa të mendojmë, të shohim vetëm njerën anë e të harrojmë tjetrën. Deri tani psh në rang global ka 3.203 viktima 50.984 vetë të shëruar nga kovid, por të shëruarit thuajse nuk përmenden ose edhe kur përmenden harrohen pas një çasti, flitet e riflitet kryesisht për të vdekurit.

4.

Frika nga rreziku i një pandemie të Covid-19 rritet deri në kufijtë e panikut edhe ngaqë shfaqet e gjallon në një atmosferë të trazuar emocionale, të mbizotëruar nga emocione negative si përbuzja, urrejtja etj.

Zanafilla e virusit është Kina. Për më tepër mendohet se Covid-19, perpara se të pësonte mutacion dhe të behej i aftë të molepste edhe njeriun, ka ekzistuar prej kohësh në kafshë si lakuriqët e natës, gjarpërinjtë e kafshë të tjera, që kinezët i hanë dhe që tregtoheshin në një treg të gjësë së gjallë në Wuhan. Kaq u desh që të ringjalleshin më fuqishëm steriotipet negative që shumë të huaj kanë për kinezët si njerëz të pistë, të cilët hanë gjithçka që ecën, fluturon a noton.

Këto stereotipe dhe qendrimet përbuzëse e përjashtuese për kinezët po bëhen më virale në një kohë që kapitalet kineze janë në ekspasion botëror dhe Kina synon të bëhet superfuqi dhe të prishë kështu shumë ekuilibra të rendit të sotëm botëror. Sentimentet antikineze, edhe pa gogolin e pandemisë, ishin të fuqishme jo vetëm te fqinjët e saj, por edhe në ShBA, të nxitura sidomos nga administrata Trump, siç ishin të pranishme edhe në Europën e kapluar nga propaganda populiste antiemigracion, madje nuk mungonin edhe në Ballkanin Perendimor ku ligjerimi për integrimin europian zhvillohet në dilemën: BE-ja apo aktorë të tjerë dmth Rusia, Kina apo orekset neootomane të Turqisë.

Historia e mjekësisë në shekuj dëshmon se përhapja e epidemive gjeneron qëndrime armiqësore, përjashtuese e deri linçuese ndaj të huajit, tjetrit, sidomos ndaj tjetrit që i takon një kombësie, feje a civilizimi tjetër. Frika e shtuar që kaplon shoqëritë në raste të tilla shfrytëzohet lehtë për arritje synimesh politike e ideologjike.

Mediat prestigjoze botërore po njoftojnë se ndjenjat antikineze janë në rritje dhe po vihen re eksese që vijnë në kundërshtim me ligjet themelore të të drejtave të njeriut edhe në vende me kulturë të konsoliduar demokratike si Gjermania, Italia, Austria, ShBA-të etj. Kryetituj si ‘rreziku i verdhë’, ‘virusi kinez panda – monium’, ‘kinezë rrini në shtëpi’ etj. janë shfaqur këto ditë në gazeta franceze e australiane, njoftonte BBC.

Raportohet se disa linja ajrore po refuzojnë jo vetëm të fluturojnë në Kinë, por edhe t’u shërbejnë pasagjerëve kinezë. Turistë kinezë po ndalohen të hyjnë në vende të ndryshme, aziatikët lindorë detyrohen në grup të venë maska para se të hyjnë në ambjente publike etj. Skandaloz ishte një rast i përcjellë nga BBC, kur një piktori të njohur kinez iu refuzua shërbimi mjekësor në një klinikë berlineze. Kësaj i thonë të karantinosh racën dhe jo personin e infektuar.

Para dy netësh mund të shihje në televizor disa kinezë të Tiranës, të cilët i largoheshin të frikësuar gazetarit që përpiqej t’i intervistonte. Komuniteti kinez që jeton në Shqipëri është fare i vogël, pas gjasash nuk i kalon tre mijë vetë. Gjithsesi fakti që qëndrimet, hallet dhe preokupumet e këtij komuniteti kanë munguar thuajse tërësisht në morinë e raportimeve për Covid-19, dëshmon se diçka çalon dukshem në kulturën tonë demokratike. Kur një komunitet, sado i vogël qoftë, përjeton shqetësime dhe rrezikon cenimin e marrëdhënieve normale me shumicën, mediat dhe, ca më shumë organizatat e shoqërisë civile, përpiqen me përparësi t’i japin zë e t’i dalin në krah.

Dhe në fund do bërë mbase një sqarim. Fokusi i këtyre shënimeve ishte për frikën dhe panikun që po ngjall rreziku i një pandemie Covid-19. Frika është e dëmshme, paniku mund të kthehet në burim rrëmuje e çoroditjeje sociale, por kujdesi dhe masat për të shmangur një pandemi mbeten jetike. Gripi spanjoll i një shekulli më parë presupozohet se shpuri në vdekje gati dyfishin e personave që vrau L1B, më e pergjakshmja e luftrave të deriatëhershme. Dhe, siç shkruante këto ditë Paul Krugman në New York Times, treguesët e parë të shtyjnë të dyshosh se Covid-19 mund të jetë po aq fatal sa gripi spanjoll.

Share: