Nga Indrit Vokshi
Kur Enver Hoxha e suprimoi profesionin e avokatit në vitin 1967, arsyetimi ishte i tillë:
“Shteti (partia-shtet) është ai që të akuzon por është edhe ai që të mbron nga akuza që vetë të ngre. Ndaj avokati është i panevojshëm”.
Duket qesharak arsyetimi?
Epo nga të tilla mendje u sunduam 45 vjet. Sot vijmë në një tjetër moment; goditje e profesionit të avokatit nga ana financiare. Dhe është vetëm fillimi, sigurisht.
Po ku është e keqja e goditjes së avokatit?
E para, e keqja është tek babzia e shtetit, tek oreksi i tij për përpirë çdo qindarkë nga xhepi i qytetarit. Dhe kjo qasje është fatale, sepse çdo zhbalancimi i peshores kontraktuale shtet-qytetar në favor të shtetit, pra çdo forcim financiar apo statusor i shtetit dhe çdo dobësim i qytetarit para shtetit, është parakusht për një shtet diktatorial. Diktaturat nuk vendosen me bori e daulle, kështu vendosen.
E keqja e dytë që është edhe qëllimi i vërtetë (ngaqë e para ishte mjeti), është dekurajimi i avokatëve. Bërja e paleverdisshme e qenies avokat në Shqipëri, për juristët e rinj sidomos. Jo më kot kryeministri linçon juristët deri në atë gradë sa kërkon ta paraqesë si të turpshme qenien jurist.
Kryeministri e di, se sa më pak juristë e avokatë në Shqipëri, aq më të pambrojtur do të jenë qytetarët. Edhe në qofshin këta juristë jo të shkëlqyeshëm, është me rëndësi që këta do i nuhasin prirjet autoritare të shtetit më mirë se pjesa tjetër. Dhe sa më të varur avokatët ndaj shtetit, sa më shumë t’ia kenë nevojën atij, aq më pak do t’i mbrojnë ata të drejtat e qytetarëve kur si palë shkelëse është paditur shteti.
Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj, është shprehur se Dhoma Kombëtare e Avokatisë është institucion me rëndësi kushtetuese, sepse ajo mbron të drejtat kushtetuese të qytetarëve nga arbitrariteti i shtetit.
Duke parë ketë situatë, jo vetëm avokatët e juristët por e gjithë shoqëria duhet të shqetësohet nga kjo tendencë për të goditur avokatinë sepse në pikëpyetje vihen të drejtat e çdo qytetari.
Të mos harrojmë, as diktatura hoxhiste nuk e suprimoi menjëherë avokatinë. Ajo e lejoi të ekzistonte në 1945 kur sapo u instalua. Mandej e dobësoi vit mbas viti deri sa e zhduku plotësisht në vitin 1967.
Nëse goditja tek kontributet financiare duket arsye e pamjaftueshme për reagim, është e gabuar të nënvlerësohet. Sepse mendësia që kjo goditje përfaqëson, është e kobshme. Është si sëmundje e cila sot dhemb pak sepse kaq hapsirë gjen por nesër nëse gjen më shumë hapsirë, ajo do shtrihet e do të bëhet vdekjeprurëse për shoqërinë në të cilën jetojmë. Ndaj reagimi i fortë, si shenjë e një mendjeje të shëndoshë konceptualisht, është ilaçi i vetëm për ta mbrojtur individin dhe shoqërinë.