Home KRYESORE Koronavirus, Qëndresa! Nga Syrja Kurti

Koronavirus, Qëndresa! Nga Syrja Kurti

Që një vend të quhet i shkretë dhe të perdoret termi shkretëtire nuk është e thënë që të ketë sipërfaqe pafund rëre të kuqe dhe duna rëre ku era fërshëllen me tinguj të çuditshëm. I shkrete mund të quhet sot më shumë se kurrë edhe qyteti im.

Madje shkretinë ja shtojnë më shumë godinat nga ku nuk del dhe nuk hyn njeri. Nuk e di nëse në historinë e tij katër-mijëvjeçare Durrësi ka pasur një situatë të ngjashme me këtë kur banorët e tij janë detyruar të sillen si tani.Edhe në kohërat më të këqija , kur bota lëngonte dhe kur murtaja e kolera bënin kërdinë, banorët e këtyre trevave nuk kanë përjetuar tmerret e Evropës prej sëmundjeve që vinin nga Azia.

Edhe këtë herë sëmundja erdhi po andej, nga Lindja e Largët. Por sot edhe si pasojë e modernizmit të mjeteve me të cilat lëvizin njerëzit ajo erdhi shumë më shpejt dhe po aq shpejt u përhap duke I vështirësuar gjërat.

Kur thashë pak më lart që qyteti im nuk ka përjetuar situatë të ngjashme me këtë të tashmen, pata perasysh që asnjëherë, në asnjë çast, forcat e së keqes nuk ishin bërë bashkë, për ta tundur me muaj të tëre nga themelet, për ta infektuar me viruse të panjohura të shoikura nga forca akoma më të panjohura, për të cilat jeta e një njeriu vlen edhe më pak se jeta e një milingone.

Me këto mendime, por edhe më shumë të tjera akoma më të zymta në kokë, pothuajse kisha mbërritur tek tregu I fruta-perimeve, që ishte edhe arsyeja për të cilën kisha dale nga shtëpia. Si djalë qyteti unë nuk shquhem si blerës i mirë i gjërave agro –blegtorale, madje që të jem i sinqertë, jam komplet idiot kështu që është pjesa tjetër e familjes që merret me këtë punë Prandaj para tre ditësh kur bëra furnizmin e radhës isha me vajzën dhe ajo më kishte treguar disa pika ku mund të merrja ato që më duheshin. M’u kujtua shitësja e agrumeve dhe vendosa ta nis blerjen nga ajo.

Ajo zonja në fakt nuk është se m’u kujtua fare kot. Kur isha me vajzën padashje u bëra dëshmitar i një bisede të pazakontë mes asaj dhe të birit. Djali i saj këmbëngulte që të rrisnin çmimet e agrumeve dhe sidomos të limonave dhe portokalleve. Zonja e kundërshtoi prerë duke i thënë se mjaft i kishin ngritur. Mua nuk m’u durua dhe e falenderova për qytetarinë e treguar. Prandaj edhe për respekt të atij gjesti , u drejtova në fillim atje. Por u befasova. Çmimi sot ishte ai që I kishte kërkuar djali.

  • I paskeni ngritur? – e pyeta me keqardhje.
  • Gruaja uli kokën sepse siç duket ju kujtova dhe tha me gjysmë zëri:
  • Nuk kisha çfarë të beja!. Edhe këta të shumicës i kanë ngritur cmimet. I kanë rritur të gjithë edhe këtu në treg dhe unë nuk mund ta mbaj cmimin aq sa e kisha.

    Mjaftuan ato fjalë për të kuptuar shumë. Presioni I djalit, por edhe i të gjithëve rreth saj , e kishin detyruar edhe atë grua të bënte si ata që ajo I quante “të gjithë”. Nga ato fjalë kuptova se forcat e të keqes me të cilat Durrësit tim I duhet të përballet, nuk janë vetëm ato që përmenda më lart , nuk janë vetëm tërmetet, nuk janë vetëm viruset misterioze, por janë edhe këta “të gjithë” që kjo tokë i lind me shumicë. Ata kanë qenë këtu që nga Demetër Fari dhe pas tij deri më sot.
  • Por këta “të gjithët” kanë harruar diçka ose me atë shpirtin e tyre katran edhe ndoshta nuk e kanë ditur kurrë. Që ky qytet ka parë shumë. Ka parë romakë, hunë, vandalë, gotë e ostrogotë, normanë e bizantinë, anzhuinë e venecianë, turq e sllavë, italianë e gjemanë. ka parë dreqin dhe të birin. Dhe këta “të gjithët”tanë në çdo kohë i kanë bërë dëm qytetit duke I ndihmuar sundimtarëve të radhës. E kanë zhvatur sa kanë mundur dhe me çdo mënyrë. Por qyteti ka qëndruar.
  • Ndoshta edhe është lëkundur ndonjëherë por ka qëndruar. Ka patur edhe humbje, ka patur edhe pasoja por I ka mbyllur plagët dhe ka vazhduar. Dhe jeta ka vazhduar prej mijëra vjetësh dhe do të vazhdojë edhe me mijëra të tjera. Ky qytet do të qëndrojë ashtu si ka qëndruar gjithmonë!
    Të gjithë ne do të qëndrojmë bashkëqytetarët e mi!

S.K.. Durrës pasdite 15 mars 2020

Share: