Një grua mban maskë mbrojtëse gjatë përdorimit të transportit publik në Nju-Jork ne mars 2020, sikurse edhe pasagjerë të tjerëkanë marrë të njëjtën masë parandaluese kundër COVID-19. Fotografia: OKB/Loey Felipe
Një javë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli COVID-19 si pandemi dhe në mbarë botën janë marrë masa të rrepta për të parandaluar përhapjen e tij, pasojat sociale të Coronavirusit të Ri po godasin fort gratë.
Në mbarë botën, gratë përbëjnë 70% të punonjësve në sektorin shëndetësor dhe social, dhe bëjnë punë të papaguar në shtëpi tri herë më shumë se burrat.
“Shumica e punonjësve shëndetësorë janë gra, çka i vë ato në rrezik më të madh. Pjesa më e madhe e tyre janë nëna dhe kujdestare të familjarëve të tyre. Ato vazhdojnë ta mbajnë peshën e kujdesit, e cila edhe në periudha normaliteti është shpërpjesëtimisht e lartë. Kjo situatë iu shkakton grave një nivel të konsiderueshëm stresi,” – u shpreh Drejtorja Ekzekutive e UN Women, Phumzile Mlambo-Ngcuka.
“Krahas kësaj, shumica e grave punojnë në ekonominë joformale, ku sigurimet shëndetësore ose nuk paguhen ose janë të papërshtatshme, dhe të ardhurat nuk garantohen. Duke mos qenë pikësynim i ndihmave financiare, gratë duhet të gjenerojnë vetë të ardhura. Kjo nuk është thjesht një çështje e shëndetit për shumë gra, por prek thelbin e barazisë gjinore.”
Epidemitë e fundit, si Ebola dhe Zika, na kanë treguar se epidemi të tilla i devijojnë burimet nga shërbimet që iu nevojiten grave, ndonëse kujdesi që ato duhet të japin rritet dhe të ardhurat financiare bien.
Për shembull, kur ka kërkesë të lartë për shërbime shëndetësore, aksesi i grave në kujdesin shëndetësor para dhe pas lindjes, si dhe kontraceptivë, minimizohet. Çdo ditë e më shumë shtohen shqetësimet se kjo situatë do të shkaktohet nga COVID-19.
Krahas kësaj, nevojat specifike të punonjëseve gra të sektorit të shëndetësisë anashkalohen jo rrallëherë. “Në Azi, sipas gjetjeve nga reagimi në shëndetësi, mungonin produktet për higjienën menstruale për punonjëset si pjesë e mjeteve mbrojtëse,” – u shpreh Mohammad Naciri, Drejtor Rajonal i UN Women për Azinë dhe Paqësorin.
Në familjet me probleme dhe ku ushtrohet dhunë, rreziku i kësaj dhune rritet me strategjitë e vetëizolimit dhe karantinës. Raportet e disa komuniteteve tregojnë se COVID-19 po shpie drejt prirjeve të ngjashme.
Po rritet numri i dëshmive që pasojat ekonomike të COVID-19 do të ndikojnë më ndjeshëm te gratë, pasi një numër i madh i tyre punojnë në punë joformale, të pasigurta, dhe me paga të ulëta. Shqetësimet e shkaktuara, duke përfshirë kufizimin e lëvizjes, mund të rrezikojnë mundësitë e grave për të përballuar jetesën dhe për të plotësuar nevojat bazë të familjeve të tyre, sikundër u vërejt gjatë krizës së Ebolës.
“UN Women po punon me partnerë për t’u siguruar që ndikimi me dallim gjinor i COVID-19 të merret parasysh në strategjitë e reagimit në nivel vendas, rajonal, dhe botëror,” – u shpreh Sarah E Hendriks, Drejtore e Departamentit Ndërqeveritar të Politikave dhe Programeve të UN Women.
“Këtu përfshihet analiza gjinore dhe mbledhja e të dhënave sipas seksit, në mënyrë që nevojat dhe realiteti i grave mos të lihen mënjanë, ndërkohë që përpiqemi të grumbullojmë më shumë të dhëna dhe informacione për COVID-19. Krahas kësaj, po përqendrohemi te programet që e rrisin qëndrueshmërinëekonomike të grave ndaj kësaj krize dhe krizave të tjera në të ardhmen, në mënyrë që t’i kenë burimet e nevojshme për to dhe familjet e tyre.”
Për shembull, në Kinë, UN Women po përqendrohet te zgjidhjet për rimëkëmbjen ekonomike, me qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, të zotëruara nga gratë, për të zbutur pasojat negative ekonomike të pandemisë. Veç kësaj, ka mbështetur edhe fushata për të promovuar lidershipin dhe kontributet e grave në reagimin ndaj COVID-19. Fushata qe kanë arritur tek më shumë se 32 milionë njerëz.
Me mbylljen e shkollave dhe hapësirave për fëmijë në shumë vende për të parandaluar përhapjen e COVID-19, gratë kanë mësumë pengesa për të bërë punë të paguar. Në nivel botëror, gratë vazhdojnë të paguhen mesatarisht 16% më pak se burrat, ndërsanë disa vende hendeku i pagës arrin deri në 35%. Gjatë krizave të tilla, gratë shpeshherë përballen me zgjedhjen e padrejtë, dhe ndonjëherë të pamundur, që të heqin dorë nga puna e paguar për t’u kujdesur për fëmijët në shtëpi.
UN Women po punon ngushtësisht me OBSH-në dhe agjenci të tjera të OKB-së, si dhe me Ekipet Vendore të Kombeve të Bashkuara, për të forcuar reagimin e bashkërenduar ndaj kësaj pandemie. Për më tepër, po shfrytëzon rrjetet ekzistuese të organizatave nën drejtimin e grave, për të përfshirë zërin dhe vendimmarrjen e grave në reagimin dhe gatishmërinë ndaj COVID-19.
“Aktualisht çështja më kyçe është të sigurohemi se gratë, personat me aftësi të kufizuara, dhe grupet e margjinalizuara të marrin informacionin e nevojshëm mbi krizën dhe rrezikun,” – u shpreh Paivi Kaarina Kannisto, Drejtore për Paqen dhe Sigurinë në UN Women.
“Në Liberi dhe Sierra Leone, fushatat e UN Women për mobilizimin e komunitetit janë përqendruar te përcjellja e informacionit mbi parandalimin e Ebolës, menaxhimin e rasteve, dhe ndalimin e stigmatizimit. Përmes ndërgjegjësimit, depërtimit dhe trajnimit të komunitetit, në programe morën pjesë gra vendase që flisnin me gratë e tjera, nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit, duke përfshirë radion dhe mesazhet me telefon. Në këtë mënyrë, u sigurua shpërndarja e informacioneve kyçe për jetën nga burime të besueshme dhe të përshtatshme. Qasja e integrimit të reagimit me fokus gjinor, duke u mbështetur në rrjetet e grave vendase, pati një ndikim të madh në frenimin e krizës së Ebolës në rajon.”
UN Women ka dhënë një sërë rekomandimesh, duke theksuar nevojat dhe lidershipin e grave në reagimin e efektshëm ndaj COVID-19:• Garantimi i disponueshmërisë së të dhënave sipas seksit, duke përfshirë nivelet e ndryshme të infektimit, ndikimin ekonomik diferencues, peshën e dallueshme të kujdesit, si dhe rastet e dhunës në familje dhe të abuzimit seksual• Përfshirja e dimensioneve dhe ekspertëve gjinorë në planet e reagimit dhe burimet buxhetore, me qëllim që ekipet e reagimit të kenë ekspertizë gjinore• Ofrimi i mbështetjes prioritare për gratë që janë në vijën e parë të reagimit, si për shembull, duke përmirësuar aksesin në pajisje mbrojtëse personale që plotësojnë nevojat e grave, të punonjëseve të shëndetësisë dhe të kujdestareve, si dhe orare pune fleksibël për gratë që mbajnë peshën e kujdesit• Garantimi i përfaqësimit të barabartë të grave në vendimmarrjen lidhur me reagimin dhe planifikimin e ndikimit afatgjatë• Gratë, sidomos ato më të margjinalizuara, të informohen për shëndetin publik në mënyrën e duhur• Hartimi i strategjive lehtësuese që synojnë në veçanti ndikimin ekonomik të pandemisë tek gratë • Mbrojtja e shërbimeve shëndetësore thelbësore të grave dhe vajzave, duke përfshirë shërbimet shëndetësore seksuale dhe riprodhuese, dhe• Dhënia përparësi e parandalimit dhe reagimit ndaj dhunës me bazë gjinore në komunitetet e prekura nga COVID-19