Home KRYESORE RAISON D’ETAT

RAISON D’ETAT

Te dashur miq,

Se pari ju kerkoj ndjese qe po shkruaj kaq vone, per te shpjeguar pozicionin tim ne seancen e zgjedhjes se presidentit, por vetem tani mu be e mundur per shkak te angazhimeve familjare, ndersa dje ne seance nuk munda per shkak te gazit.

Jam menduar shume keto dite ne lidhje me situaten e krijuar neper te cilen po kalon Kosova, pragun e anarkise institucionale e cila rrezikon te kthehet ne nje perplasje qytetare, qe do te kishte pasoja te jashtezakonshme per shtetin e Kosoves. E kam theksuar me qindra here, perdorimi i dhunes si mjet politik eshte i papranueshem. Ajo cfare po ndodh prej disa muajsh eshte nje grusht shteti i ngadalte.

Nga ana tjeter kam qene joperkrahese e koalicionit aktual mes LDK-se dhe PDK-se per shume arsye te cilat i kam bere te njohura per publikun.

Gjithe keto dite kam qene para nje vendimi te veshtire, si shume deputete te tjere te LDK-se. Por zhvillimet e fundit, perfshire edhe ato te djeshmet ne Kuvend ku serish u hodh gaz lotesjelles, ndersa gjuhej kokteil molotovi dhe dhuna kishte perfshire rruget e Prishtines, nuk na lane shume hapesire per te zgjedhur. Ne fakt ishin keto pamje qe me hoqen cdo dileme se cfare duhet te bej. Per mua qe e kam perjetuar ’97-en ne Shqiperi, renia e shtetit eshte nje tragjedi e vertete.

Alternativa ishin zgjedhjet (edhe pse kjo nuk varej prej meje) ne nje atmosfere te tille te polarizimeve dhe perplasjeve kaq te medha politike, per te cilat jam e bindur se do ishte shume e rrezikshme.

Une mendoj se Kosova nuk duhet te shkoje as ne zgjedhje te jashtezakonshme, as ne te parakohshme pa marreveshje politike dhe pa u qetesuar gjakrat.

Jam konsultuar keto dite me shume njerez qe i vleresoj, po keshtu me shume diplomate nga shtete mike te Kosoves per te marre edhe mendimin e tyre se cfare kostoje do te kishte per Kosoven nese ajo futej ne nje proces zgjedhor ne kete atmosfere dhune, e cila kur nuk po menaxhohet ne Kuvend, si do te mund te menaxhohej neper qendrat e votimit. Dhuna ne Kosove pashmangshem do te perfshinte edhe pakicat etnike. Te gjithe me kane thene te njejten gje: nese shperthen dhune etnike, teresia territoriale e Kosoves nxirret serish ne tavoline, dhe veriut duhet t’i themi lamtumire njehere e pergjithmone.

Prandaj mes dy te keqijave, duke vene ne pikepyetje edhe kredibilitetin tim, une zgjodha ate me te voglen per Raison D’Etat. Une dje zgjodha SHTETIN, stabilitetin institucional dhe logjiken demokratike. E konsideroj kete veprim si vazhdimesi e qendrimeve te mia te meparshme.

Gjithashtu ju bej me dije se i vetmi presion qe kam pasur gjate gjithe kesaj kohe, ka qene ky qe pershkrova me siper; cdo hamendesim tjeter eshte i gabuar. Ndersa te gjithe ata qe po perpiqen te krijojne nje realitet bardhe e zi, nga i cili te perfitojne politikisht, i konsideroj te rrezikshem.

E kuptoj se mund te kete votues ose perkrahes te mi dje jane ndjere te zhgenjyer, por kur je ne politike, ke pergjegjesi te medha, jo vetem privilegje. Une nuk kam hyre ne politike per te marre vendime populiste, por vendime te duhura ne te mire te vendit.

Dhe une nuk ik nga fushebeteja. E kam provuar kete edhe ne te shkuaren, kur kam ngritur zerin ndaj fenomeneve negative qe kercenojne Kosoven. Dhe serish do ta bej, pavaresisht kostove personale. Por ata qe kane pritur qe une te rreshtohem ne anen e dhunes dhe anarkise, kane pasur pritje te gabuara.

Shume prej jush mund te thone se a eshte mire qe Hashim Thaci te behej president. Pergjigja ime eshte Jo dhe Jo. Por ai eshte produkt i zgjedhjeve, koalicionit, atmosferes se anarkise qe ka krijuar opozita dhe kushtetutes qe kete post e ka bere pjese te pazareve politike.

Gjithsesi, duke bere detyren time si deputete, duke mos e bojkotuar seancen, dhe duke votuar sipas bindjeve te mia, ne rastin konkret KUNDER, jam e bindur se kam vepruar drejt, per interesat e shtetit dhe stabilitetit te Kosoves. Kete gje nuk pres ta kuptojne njerezit irracionale, perkrahesit e partive opozitare, apo ata qe e shohin politiken me tifozllek, por pres ta kuptojne te gjithe njerezit racionale dhe largpames te ketij vendi; ata qe mendojne me koke te ftohte.

Nga Alma Lama

Share: