Home KRYESORE Sot kremtohen Pashkët, traditat dhe simbolikat pas tyre

Sot kremtohen Pashkët, traditat dhe simbolikat pas tyre

Besimtarët katolikë kremtojnë sot Pashkën. Kjo festë ka në qendër të saj ringjalljen e Krishitit, një nga ngjarjet më të rëndësishme të fesë së krishtere.

Si çdo festë ajo ka dhe simbolikat e saja e në rastin e Pashkëve, gjëja e parë që na vjen në mendje janë vezët e kuqe. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin.

Të krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm ‘Krishti u Ngjall’ dhe përgjigja që e ndjek është: ‘Vërtet u Ngjall’!. Ky është në fakt edhe urimi që shpreh më së miri frymën e pashkëve.

Një tjetër traditë e Pashkëve është dhe buka e pashkës. Ajo është e ëmbël duke simbolizuar kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.

Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë. /Opinion.al

Share: