Ministrja e Shëndetësisë i përcolli infermierët shqiptarë, duke u kujtuar shprehjen e Nënë Terezës “Ne mund të mendojmë se jemi një pikë ujë në oqean, por pa këtë pikë oqeani do të ishte më i vogël”
Tiranë, 20 Prill – Ministrja Manastariliu ka përcjellë pasditen e sotme grupin e dytë prej 60 infermierësh që do të shërbejnë në zonat më të goditura nga COVID-19 në veri të Italisë.
Duke vlerësuar gjestin e infermierëve, Manastirliu tha: Ashtu si 30 mjekët dhe infermierët e parë që na bënë krenarë, jam e sigurt që edhe ju do të na nderoni. Sigurisht që ne nuk pretendojmë të sjellim fitoren, por siç thoshte Nënë Tereza: Ne mund të mendojmë se jemi një pikë ujë më shumë në oqean, por të jemi të sigurtë së pa atë pikë, oqeani do të jetë më i vogël”, tha Manastirliu gjatë përcjelljes së infermierëve drejt Italisë.
Ministria e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se Shqipëria edhe para disa javëve dha një shembull të shkëlqyer solidariteti dhe i siguroi infermierët se do të kishte kujdesje për familjet e tyre gjatë kohës që do të mungonin.
“Jam krenare që Shqipëria vetëm para disa javëve ishte e para që dha një shembull të shkëlqyer solidariteti për një vend mik si Italia. Për sa kohë ju do të jeni atje, jini të qetë se ne do të kujdesmi për familjet tuaja, siç po bëjmë dhe me grupin e parë të profesionistëve të shëndetit, të cilët do të kthehen së shpejti”- tha Manastirliu.
Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, i pranishëm në ceremoninë e përcjelljes së infermierëve, shprehu falenderim dhe mirënjohje për Shqipërinë për këtë akt solidariteti.
Pas grupit të parë prej 30 mjekësh dhe infermierësh, ky është grupi dytë i përbërë prej 60 infermierësh që do të shërbejnë në veri të Italisë, në zonat më të goditura nga COVID-19.