Nga Adriatik Lapaj
Në logjikën time modeste po bëj një analizë në lidhje me ngjarjen e shëmtuar që ndodhi sot.
Lexova në disa vende se qytetarja që po tërhiqnin zvarrë sot disa njerëz me uniformë (se punonjës policie ata me atë sjellje nuk i quaj dot) kishte shkelur ligjin, kishte dalë në protestë duke rrezikuar ne qytetarët e tjerë në kohë pandemie, se ajo kishte kundërshtuar punonjësit e policisë e nga këto lloj mendimesh…
Që në krye të herës po bëj një parantez në aspektin human. Isha kundër ndryshimeve në Kodin Penal (në mënyrën si u bënë) se e di që në vende si ne masat represive keqpërdoren. Shikoja videon sot dhe teksa një grua e merrnin zvarrë me argumentin se protesta e saj rrezikonte përhapjen e virusit, me qindra njerëz endeshin në sheshin Skënderbej njëkohësisht, por që nuk protestonin dhe nuk përbënin rrezik! Çfarë hipokrizie! Po pse rrezikojmë nga virusi kur mblidhen protestues dhe nuk rrezikojmë kur mblidhen antarët e partisë për 5 Maj? Gjithësesi, përtej mendimit tim si qytetat, po fokusohem më poshtë në një analizë juridike.
Në aspektin Kushtetues e drejta e tubimit parashikohet nga neni 47 i Kushtetutës.
“1. Liria e tubimeve paqësore dhe pa armë, si dhe e pjesëmarrjes në to është e garantuar.
- Tubimet paqësore në sheshe dhe në vendet e kalimit publik bëhen sipas procedurave të parashikuara me ligj.”
Ndërsa në nenin 175 që bën fjalë për shpalljen e gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe të drejtat dhe liritë që pezullohen përcaktohet se:
“Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51.”
Qartësisht neni 47 nuk bënë pjesë te të drejtat që pezullohen. Tubimet rregullohen nga ligji Nr.8773 “Për tubimet” që do e shtjellojmë më poshtë.
Në nenet 236 dhe 242 të Kodit Penal gjen pikërisht dhe paligjshmërinë e veprimeve të punonjësve të policisë.
Po analizoj si më poshtë:
Në nenin 236 “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” paragrafi parë përcakton tekstualisht: “Kundërshtimi që i bëhet punonjësit të policisë së rendit publik, me qëllim për ta penguar atë për të kryer detyrën SIPAS LIGJIT, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.”
Ndërsa në nenin 242 të Kodit Penal “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” përcakrohet se:
“Mosbindja ndaj URDHRAVE TE LIGJSHME të punonjësit të policisë së rendit publik përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.”
Qartësisht neni 236 kërkon si element të veprës penale ekzistencën e qëllimit për ta penguar punonjësin e policisë për të kryer detyrën SIPAS LIGJIT…e thekson sipas ligjit ndërsa neni 242 kërkon që mosbindja të jetë NDAJ URDHRAVE TË LIGJSHME.
Vijmë te rasti konkret.
A e kanë kryer detyrën sipas ligjit punonjësit në fjalë?
A kemi pasur urdhra të ligjshme e për pasojë mosbindje ndaj tyre?
Le ti referohemi ligjit të posaçëm që në rastin konkret është neni 242/1 i Kodit Penal me titull “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë” (që hyri në fuqi në dt. 08.05.2020). Neni në fjalë thotë:
“Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 (gjashtë) muaj.”
Pra, kemi dy momente me rëndësi sipas nenit në fjalë që të jemi përpara konsumimit të kundërvajtjes penale:
- Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme;
- Ndaj personit në fjalë të jetë dhënë më parë masë administrative.
Cili është akti ligjor i nxjerrë nga organet kompetente që është shkelur?
Rezulton të jetë Akti Normativ Nr. 3 i datës 15.03.2020 i Këshillit të Ministrave (i miratuar dhe nga Parlamenti brenda 45 ditëve). Konkretisht mund të quhet se janë shkelur neni 3 pika 2 ose pika 18 në varësi të interpretimit subjektiv që kushdo mund të bëjë, që thonë:
Neni 3 pika 2: “Subjektet apo individët që organizojnë zhvillimin e aktiviteteve publike dhe jopublike, si aktivitete sportive, kulturore dhe konferenca, apo grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura, si koncerte, tubime dhe dëgjesa publike, dënohen me gjobë në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë për organizatorët dhe ndalimin e aktivitetit.”
Neni 3 pika 18: “Individët, të cilët nuk zbatojnë urdhrin e dhënë nga organet kompetente për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbërta të hapura, në zonat urbane, apo mjedise të tjera publike të hapura, dënohen me gjobë në masën 20 000 (njëzet mijë) lekë dhe me bllokim 3 muaj të automjetit privat, nëse e disponon një të tillë.”
A është dhënë ndaj qytetares në fjalë më parë ndonjë masë administrative (gjobë) për shkelje të urdhrave të organeve kompetente? Deri tani rezulton jo, se dje hyri neni në fjalë në fuqi.
Atëhere përse duhej shoqëruar me aq dhunë në polici shtetasja në fjalë? Referuar kuadrit ligjor ishim ende në kufijtë e shkeljes administrative, pra ndëshkimit me gjobë. Polici deri aty ishte brenda ligjit në atë fazë. Nëse zonja pas gjobës ribënte shkeljen atëhere aktivizohej neni 242/1 i Kodit Penal.
Ligj tjetër i posaçëm është ligji Nr.8773 “Për tubimet” i cili në rast tubimesh të paligjshme parashikon në nenin 23 të tij procedurën se si shpërndahet një tubim dhe konkretisht:
“Masat për shpërndarjen e një tubimi
- Në të gjitha rastet e parashikuara në këtë ligj, kur duhet bërë shpërndarja e një tubimi, oficeri i policisë, përgjegjës për të ndihmuar dhe vëzhguar zhvillimin e tubimit, i jep urdhër organizatorëve, drejtuesit, personave ndihmës dhe pjesëmarrësve të ndërpresin tubimin dhe të largohen menjëherë nga vendi i zhvillimit të tubimit.
- Në rast se pas tri thirrjeve të qarta nga ana e policisë për shpërndarje, pjesëmarrësit nuk largohen, oficeri i policisë urdhëron shpërndarjen e tubimit me forcë.
- Në çdo rast përdorimi i forcës duhet të kufizohet përherë në minimum.”
Sot Policia mundet vetëm të evidentonte shkelësit. Të vendoste gjobat dhe të zbatonte procedurën se si shpërndahet një tubim nëse për të nuk kishte njoftim, por kurrë të përdorte dhunë joproporcionale. Kush e shkeli ligjin sot? Secili e gjykon vetë, unë e paraqita qëndrimin tim të arsyetuar.