Home I pakategorizuar 𝐒𝐤𝐚𝐧𝐝𝐚𝐥𝐢 𝐦𝐞 𝐭𝐞𝐚𝐭𝐫𝐢𝐧 𝐧ë 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢: 𝐊𝐎𝐏𝐉𝐄 𝐄 𝐍𝐉Ë 𝐊𝐑𝐈𝐌𝐈 𝐌𝐎𝐑𝐀𝐋

𝐒𝐤𝐚𝐧𝐝𝐚𝐥𝐢 𝐦𝐞 𝐭𝐞𝐚𝐭𝐫𝐢𝐧 𝐧ë 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩ë𝐫𝐢: 𝐊𝐎𝐏𝐉𝐄 𝐄 𝐍𝐉Ë 𝐊𝐑𝐈𝐌𝐈 𝐌𝐎𝐑𝐀𝐋

𝘕𝘨𝘢 𝘕𝘰𝘳𝘢 𝘚𝘌𝘍𝘈

𝗧𝗲𝗮𝘁𝗿𝗶 𝗞𝗼𝗺𝗯ë𝘁𝗮𝗿 𝗻ë 𝗧𝗶𝗿𝗮𝗻ë 𝘂 𝘀𝗵𝗸𝗮𝘁ë𝗿𝗿𝘂𝗮 𝗻ë𝗽ë𝗿𝗺𝗷𝗲𝘁 𝗻𝗷ë 𝗮𝗸𝘀𝗶𝗼𝗻𝗶 𝘁ë 𝗺𝗷𝗲𝗴𝘂𝗹𝗹𝘁 𝗱𝗵𝗲 𝘁ë 𝗻𝗱ë𝗿𝗺𝗮𝗿𝗿ë 𝗻𝗮𝘁ë𝗻. 𝗕𝗮𝘀𝗵𝗸ë 𝗺𝗲 𝘁ë 𝘂 𝗽𝗿𝗶𝘀𝗵 𝗲𝗱𝗵𝗲 𝗻𝗷ë 𝗽𝗷𝗲𝘀ë 𝗲 𝗶𝗱𝗲𝗻𝘁𝗶𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁 𝗸𝘂𝗹𝘁𝘂𝗿𝗼𝗿, 𝘀𝗶 𝗱𝗵𝗲 𝘂 𝗶𝗻𝘁𝗲𝗻𝘀𝗶𝗳𝗶𝗸𝘂𝗮 𝗺ë 𝘁𝗲𝗷 𝗸𝗼𝗻𝗳𝗹𝗶𝗸𝘁𝗶 𝗻𝗱ë𝗿𝗺𝗷𝗲𝘁 𝗼𝗽𝗼𝘇𝗶𝘁ë𝘀 𝗱𝗵𝗲 𝗿𝗲𝗴𝗷𝗶𝗺𝗶𝘁 𝗻ë 𝗽𝘂𝘀𝗵𝘁𝗲𝘁.

Kova e ekskavatorit godet me forcë fasadën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Kulla mbi hyrjen kryesore të ndërtesës shembet brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërtesa ndriçohet prej dritës së kantierit të ndërtimit, sepse është ende errësirë kur nis zbatimi, pa paralajmërim, i planeve të këshillit bashkiak për prishjen e ndërtesës së teatrit, e cila ka nevojë urgjente për rinovim. E gjitha kjo, pavarësisht protestave masive.

𝐕𝐄𝐍𝐃𝐈𝐌 𝐈 𝐏𝐀𝐊𝐓𝐇𝐘𝐄𝐒𝐇Ë𝐌

Prej më shumë se dy vjetësh, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grup profesionistësh të teatrit, morën në zotërim Teatrin Kombëtar në Tiranë, me synim parandalimin e prishjes dhe të privatizimit të hapësirës publike në qendër të kryeqytetit. Në korrik të vitit të kaluar pati edhe një përleshje serioze ndërmjet policisë e protestuesve (shih F.A.Z.net të datës 26.07.2019).
Vetëm disa ditë më parë, këshilli bashkiak i qytetit mori masën, sipas së cilës ndërtesa historike duhet t’i hapte rrugë një ndërtese të re. Komisioneri i BE-së, Mariya Gabriel bëri një paralajmërim kundër “vendimeve të pakthyeshme” dhe kërkoi që për këtë çështje të kishte dialog.

𝐌𝐀𝐑𝐑Ë𝐕𝐄𝐒𝐇𝐉𝐀 𝐌𝐁𝐀𝐍 𝐄𝐑Ë 𝐊𝐎𝐑𝐑𝐔𝐏𝐒𝐈𝐎𝐍

Disa muaj më parë deshën t’i “dhuronin” një investitori privat 8 000 metrat katrorë të pronës së teatrit. Në këmbim, investitori do të ndërtonte një teatër të ri, dukshëm më të vogël. Në po atë vend u planifikuan edhe ndërtesa të tjera të larta dhe një qendër tregtare. Por marrëveshja mbante erë korrupsion. Ajo u prish nga protestat e mbrojtësve të teatrit. Erion Veliaj, kryetari i bashkisë së Tiranës dhe anëtar i Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama, bëri lëshime. Ai premtoi se qyteti do ta merrte përsipër vetë ndërtimin e ndërtesës. Projekti prej 30 milionë eurosh duhej të financohej përmes një kredie. Megjithatë, kundërshtarët vazhduan të mbrojnë idenë e një referendumi dhe restaurimin e ndërtesës ekzistuese historike.

Mëngjesin pas rrënimit të papritur të ndërtesës pati përleshje të dhunshme midis qytetarëve e policisë, si dhe arrestime të shumta. Ndërmjet protestuesve ishin edhe anëtarë të partive opozitare: Lulzim Basha i Partisë Demokratike (PD) dhe Monika Kryemadhi e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI). Ata janë bashkuar tashmë me mbrojtësit e teatrit. Si reagim ndaj shkatërrimit të teatrit, opozita paralajmëroi e zemëruar për “protesta popullore” në muajt e ardhshëm. Presidenti Ilir Meta, i cili përkrah opozitën, i konsideroi veprimet e bashkisë si “krime kushtetuese dhe morale”. Më anë tjetër, kryeministri Rama e quajti “të papërgjegjshme” mbështetjen e opozitës gjatë periudhës së “luftës” kundër pandemisë. Akuzat se qeveria po përdorte masat shtrënguese të daljes nga shtëpia për t’u marrë në të vërtetë me çështjen e Teatrit Kombëtar rezultuan të jenë të vërteta.

𝐁𝐀𝐒𝐇𝐊Ë𝐏𝐔𝐍𝐈𝐌 𝐌𝐄 𝐎𝐏𝐎𝐙𝐈𝐓Ë𝐍

Por sa e sinqertë është tani simpatia e partive opozitare jashtëparlamentare ndaj fatit të teatrit? Ky konflikt duket se është kthyer në një tjetër teatër lufte ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe opozitës. Kjo e fundit ka hequr dorë nga mandatet e saj parlamentare në shkurt të vitit 2019, gjë që çoi në pamundësinë e përkohshme të Parlamentit për të marrë vendime. Sidoqoftë, qeveria përdori aleancën me opozitën për të zhvlerësuar protestat dhe deklaroi se kërkesat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ishin të motivuara politikisht. Opozitës i leverdiste kaosi rreth Teatrit Kombëtar, duke qenë se prej kohësh dëshiron të provokojë një krizë qeveritare.

Deri në vitin 2018 Teatri Kombëtar ishte ende në listën e monumenteve të mbrojtura, por kryebashkiaku Veliaj kundërshton, duke thënë se teatri s’e ka gëzuar kurrë këtë status. Organizata për mbrojtjen e monumenteve të kulturës “Europa Nostra” e përfshiu teatrin te ndërtesat kulturore shumë të rrezikuara të Europës. Dhe, siç u pa, rezultoi se kishin të drejtë. Teatri u ndërtua në vitin 1939, në periudhën e zotërimit italian, sipas planeve të arkitektit Guilio Berté, i cili e projektoi atë me një stil futuristik. Ai i mbijetoi Luftës së Dytë Botërore dhe dyzet viteve të diktaturës komuniste. Gjatë asaj kohe, por edhe në vijim, ai u keqpërdor në vazhdimësi, si për shembull, kur e shndërruan në një sallë gjyqi, në të cilën akuzoheshin kundërshtarët e regjimit komunist. Pjesë e kësaj historie janë edhe emrat e shumtë që ndryshoi përgjatë kohëve: “Savoia”, “Kosova”, “Teatri popullor”, “Teatri Kombëtar”. Lufta ngazëllyese për ruajtjen e kësaj ndërtese dëshmon për ndjenja, të cilat nuk janë të motivuara thjesht e vetëm nga arsye estetike. Ndërtesa ka gdhendur në kujtesën kolektive të shumë shqiptarëve shumë më shumë gjëra të tjera. Rrënimi i saj do të thotë humbje e një pjese të identitetit kulturor.

𝐊𝐔𝐍𝐃Ë𝐑 𝐃𝐈𝐊𝐓𝐀𝐓𝐔𝐑Ë𝐒

Protestuesit nuk ishin të kënaqur as me planet mbresëlënëse të ndërtesës së re, me një skenë të hapur në çati, e cila është projektuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels. Ata e konsiderojnë këtë përpjekje si fillimin e “instalimit të një diktature”. Teatri është shndërruar në simbol të rezistencës ndaj arbitraritetit qeveritar. Konflikti është edhe tregues i një ndarjeje të thellë të Shqipërisë në vija partiake. Kastriot Çipi, regjisor dhe anëtar i “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, tha për gazetën se rënia e Teatrit Kombëtar i kishte bërë të qarta çrregullimet kushtetuese të Shqipërisë: “Është koha për një debat mbi ndryshimet kushtetuese”, shprehet ai dhe kërkon që të bëhet një reformë themelore zgjedhore. “Tani e tutje ne nuk po protestojmë më për Teatrin Kombëtar, por kundër diktaturës”.

𝐏𝐎𝐒𝐇𝐓Ë 𝐐𝐄𝐕𝐄𝐑𝐈𝐀

Kryebashkiaku Veliaj, i cili dha urdhrin për shembjen e teatrit, tha se i vinte keq për protestuesit. Ai u shpreh se dëshironte “t’u zgjaste dorën zemrave të thyera” dhe se Tirana u përkiste të gjithëve e kishte vend për të gjithë. “Poshtë qeveria” thërrisnin protestuesit para rrënojave të Teatrit të tyre Kombëtar. Tashmë, me këtë aksion të mjegullt dhe të ndërmarrë natën, ndjenja se Tirana u përket të gjithëve duket si diçka e së kaluarës.

𝐏ë𝐫𝐤𝐭𝐡𝐞𝐮: 𝐇𝐲𝐬𝐧𝐢 𝐍𝐃𝐑𝐄𝐔 per Aleanca per Mbrojtjen e Teatrit

Artikullin në origjinal mund ta lexoni në lidhjen e këtushme

Share: