Home KRYESORE Vendimi i Kushtetueses, reagon koalicioni që pritet të qeverisë Kosovën

Vendimi i Kushtetueses, reagon koalicioni që pritet të qeverisë Kosovën

Gjykata Kushtetuese vendosi që dekreti i presidentit, Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin për postin e kryeministrit është në përputhje me Kushtetutën.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lista Serbe dhe partitë e komuniteteve joshumicë, kanë arritur marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje. Kreu i kësaj të fundit, Isa Mustafa ka bërë thirrje që partitë politike të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese përmes së cilit i dha të drejt presidentit Hashim Thaçi për dhënien e mandatit për formimin e qeverisë së re, Avdullah Hotit të LDK-së.

Sipas Mustafës, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon.

“Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK-ja që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka mirëpritur gjithashtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Ai u shpreh se, Avdullah Hoti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhet që sa më shpejtë të formojë ekzekutivin e ri.

“Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese qartëson rrugët kushtetuese që duhet ndjekur për formimin e institucioneve, si dhe ky vendim, sipas tij, do të kontribuojë në evitimin e ngërçeve institucionale në të ardhmen.

“Aktgjykimi sotëmi dha fund dilemës nëse Kuvendi i Kosovës ka të drejtë të zgjedhë një qeveri tjetër nga partia e dytë pas mocionit të suksesshëm për rrëzimin e qeverisë apo jo”, ka shkruar Limaj në Facebook. /Opinion.al

Share: