Home KRYESORE Ish-këshilltare e Haradinajt,kush është ministrja e re e Jashtme e Kosovës

Ish-këshilltare e Haradinajt,kush është ministrja e re e Jashtme e Kosovës

Partia e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj është rikthyer në qeveri pasi Kuvendi i Kosovës votoi sot me 61 vota qeverinë Hoti.

Ndonëse Haradinaj nuk do të jetë personalisht pjesë e kabinetit të ri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka një zëvendës kryeministër dhe do të drejtojë 4 ministri, ndër të cilat edhe atë të Punëve të Jashtme.

Një nga sfidat kryesore që e pret qeverinë Hoti është rinisja e diagolut me Serbinë dhe arritja e një marrëveshjeje. Padyshim që barrën më të madhe në këtë sfidë do ta mbajë pikërisht ministria e Punëve të Jashtme e cila tashmë drejtohet nga ish-këshilltarja e Ramush Haradinajt kur ai ishte kryeministër, Meliza Haradinaj – Stumblla.

Ajo ka kryer studimet bachelor në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), në drejtimin politika publike. Studimet postdiplomatike, Haradinaj i kreu në Universitetin e Oksfordit në drejtimin diplomaci.

Pas përfundimit të studimeve, ajo u rikthye në Kosovë. Ajo u zgjodh në asamblenë në Kuvendin Komunal të Prishtinës në vitin 2009 dhe shërbeu aty deri në vitin 2013, ndërkaq më vonë themeloi edhe Institutin Kosovar për Diplomaci, organizatë kjo për avancimin e interesit shtetëror të Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla për kryerjen e veprës penale “mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”. Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës së këshilltares së ish-kryeministrit Haradinaj më 11 shtator 2017

Më 4 tetor 2019 Meliza Haradinaj-Stublla është gjetur fajtore në lidhje me akuzuat. Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi atë me tetë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti dhe me 1000 euro gjobë. Megjithatë çështja është apeluar dhe ndodhet në Gjykatën e Apelit në Kosovë e cila ende nuk ka dhënë vendimin e saj.

Haradinaj-Stublla ka reaguar ndaj kësaj çështjeje duke thënë se ajo nuk e kishte deklaruar një biznes në Londër, pasi që ashtu e kishte këshilluar një avokat anglez, dhe se ai biznes ishte në shuarje e sipër.

Meliza është pjesë e kryesisë së AAK-së, ndërkaq edhe pse mban mbiemrin Haradinaj, ajo nuk ka asnjë lidhje gjaku me Ramush Haradinajn. Meliza është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. /Opinion.al

Share: