Home Gjeo-Ekonomia Mapo: Nis “gjuetia” e pronave në bregun e jugut!

Mapo: Nis “gjuetia” e pronave në bregun e jugut!

Procesi i regjistrimit fillestar të Pronave në Bregdetin e Jugut sipas juristëve lë shteg për abuzime. Ligji parashikon se dokumentet me të cilat është marrë toka bujqësore nuk i nënshtrohen vlefshmërisë juridike duke lënë të hapur mundësinë e bërjes pronarë të atyre që kanë abuzuar me dokumentate tokave në të gjitha këto vite. Çfarë do ndodhë në zonat e Palasës, Lukovës, Himarës, Vunoit, Nivicës etj. Artan Lame tha se procesi do i hapë rrugë ndërtimit të resorteve dhe fshatrave turistike.

Artan Lame, duket se e ka filluar punën e tij si drejtor Kadastre nga tokat e bregdetit të jugut, zona më e lakmuar për turizmin vendas. Në një dalje për mediat, ai prezantoi dje nisjen e fillimit të punës për regjistrimin fillestar të zonave të Palasës, Dhërmiut, Vunoit, Lukovës, Gjilekës, Ilias, Himarë dhe Nivicë. Në fjalën e tij Lame tha se ky është operacioni më i madh kadastral, i ndërmarrë ndonjëherë për regjistrimin e pronës, ku do të përfitojnë sipas tij 16500 pasuri të trajtuara me Aktin e Marrjes së Tokës në pronësi (AMT), ku bëjnë pjesë kryesisht toka bujqësore por edhe shtëpitë e vjetra tradicionale, objekte në proces legalizimi, prona të vjetra, objekte të privatizuara etj.

Gjithashtu sipas drejtorit të Kadastrës, nga ky proces do të përftojnë dhe 8 mijë persona që posedojnë 5200 pasuri shtetërore, të cilët janë rezidentë ose kanë emigruar nga vendi këto kohë. Vetë Lame deklaroi se në këto zona janë hasur me një mori mbivendosjesh, falsifikimesh dhe tjetërsime pronash. “Jemi ndeshur me akte pronësie të mbivendosura nga dy, e nga tre, e nga katër herë; jemi ndeshur me dokumente të falsifikuara; jemi ndeshur me presione nga më të ndryshmet; jemi ndeshur me vendime komisionesh, me vendime gjykatash, me vendime kthimi pronash, të gjitha problematike; jemi ndeshur me zhdukje, me fshehje, dhe me manipulim dokumentacioni”.

Ligji në pamje të parë duket sikur zgjidh çështjen e pronës, por juristët e fushës shprehen se në të vërtetë kjo do të legalizojë jo në pak raste dhe vjedhësit e tokës, që disponojnë dhe me anë të falsifikimit në AMT, “Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim”. Neni 7 i ligjit “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë” shprehet se AMT e disponuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga ana e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, mjaft të plotësojë disa kritere të cilat janë, të ketë qenë banor në kohën kur është bërë ndarja e tokës, të ketë përfituar nga ligji i kohës e kështu me radhë. Ndërkohë dihet tashmë se në ndarjen e tokave janë bërë abuzime të mëdha, dhe është shtuar fiktivisht numri i punonjësve në kooperativat bujqësore.

Një shembull për këtë ka qenë ndërprerja e regjistrimeve në vitin 2004, nga qeveria Nano për tokat në ndërmarrjen Bujqësore të Vlorës, ku nga 200 punonjës që duhet të përfitonin tokë atje numri kishte shkuar në më shumë se 1mijë. Nga një kontroll i auditit të prefekturës u zbulua se punëtorë të NB ishin regjistruar dhe zyrtarë të lartë të pushtetit vendor dhe qendror, të cilët kishin përfituar me mijëra metra nga ullishtat e qytetit. Dhe jo vetëm kaq! Vetë ministrja e Drejtësisë, EtildaGjonaj, në vitin 2018, është shprehur se një numër jo i vogël pushtetarësh, ka rezultuar të jenë përdorues të tokave në Bregdet. Në lidhje me këtë çështje zonja Gjonaj do të shprehej se “ky proces, i nisur që në vitin 1991 me ligjin 7501, që kishte si qëllim të vetin ndarjen e tokës së ish-kooperativave bujqësore, anëtarëve të familjeve bujqësore, rezultoi në shumë raste në abuzime nga funksionarë shtetërorë, komisione fshatrash, kryetarë komunash etj., me qëllime përfitimi.

Këta, në abuzim të pastër me pushtetin që kanë patur, kanë ndarë dhe përvetësuar si toka të kooperativave bujqësore, toka dhe zona bregdetare që kurrë nuk kanë qenë prona të kooperativave, troje që kurrë nuk kanë qenë toka bujqësore, përfshirë brezin pyjor dhe ranor përgjatë bregdetit. Janë ndarë duke i konsideruar si toka bujqësore zonat e rërës së plazheve, është ndarë zona e brezit pyjor të bregdetit, janë ndarë kënetat, ligatinat e moçalet e Ultësirës, janë ndërruar zërat kadastralë duke kthyer tokat e pafrytshme në toka bujqësore, është vepruar mbi prona që kanë qenë jetë e mot prona shtetërore, poligone apo reparte ushtarake, apo monumente kulture me VKM”. Ministrja lajmëroi pezullimin e këtyre akteve, për t’iu nënshtruar verifikimit, ku target do ishte bregdeti i jugut, por deri më tani nuk ka asnjë raport në lidhje me përfundimet. Dhe jo vetëm kaq, por pas një viti e njëjta ministri harton një tjetër ligj i cili shprehet se vendimet e AMT, merren të mirëqena dhe nuk i nënshtrohen verifikimit ligjor. Mjaft që ato mos kenë mbivendosje, që do duhet t’i kalojnë gjykatës.

Pronat shtetërore

Dhe nuk mbaron me kaq, por siç e ka thënë dhe Lame, përgjatë këtij procesi do legalizohen dhe 5200 prona shtetërore, të rezidentëve atje, apo dhe personave që kanë emigruar. Bëhet fjalë për qindra mijëra hektarë tokë të paregjistruar që sot figuron si tokë shtetërore. Specialistët shprehen, se procesi lë jo pak vend për abuzime. Pasi mjafton të kesh qenë banori zonës në kohën kur kanë ekzistuar kooperativat apo NB-të, të kesh rrethuar një tokë shtet dhe ta shpallësh që e përdor prej vitesh dhe në bazë të procesit të filluar nga Kadastra të shpallesh pronar i saj. Ose të vërtetosh se një nga të afërmit e tu, babai ose gjyshi kanë qenë aty në kohën e krijimit të kooperativave dhe shpalleshse ke qenë përdorues i tokës së zënë.

Rasti tjetër, është ai i personave që jetojnë në zonat malore të vendit, dhe të deklarohet përdorues i një toke afër bregut. Sipas specialistëve janë 30% e tokave dikur shtet, që nuk janë regjistruar, dhe nuk është çudi që të krijohen pronarë, që do të zotërojnë tokat në zonën më të lakmuar. Nuk është çudi që pas këtyre individëve të qëndrojnë operatorë të firmave turistike që duan të ndërtojnë në zonë resorte, por që kërkojnë ta marrin tokën me çmimin më të leverdishëm të mundshëm, siç pritet të ndodhë dhe me fshatrat turistike. Në fakt dhe vetë drejtori Lame e parashikoi diçka të tillë “Pas përmbylljes së këtij procesi që do të zgjasë disa muaj, në bregdetin e Jugut do të krijohet mundësia për investime të ligjshme, që nga ai pronari që do të hapë një, dy apo tre dhoma për turistët pranë shtëpisë së tij, e deri te komplekset dhe hotelet turistike të mëdha”.

Share: