Home KRYESORE Tokat e Bregut/ Pronarët: Regjistrimi po bëhet për interes të oligarkëve

Tokat e Bregut/ Pronarët: Regjistrimi po bëhet për interes të oligarkëve

Nga Armand Maho, Mapo

Myrshit Vorpsi, kryetar i Shoqatës së pronarëve, shprehet për MAPO se regjistrimi i pronave në bregdetin e jugut po bëhet me qëllim që të shpronësohen si toka bujqësore nga shteti, dhe më pas t’iu vihen në dispozicion “investitorëve strategjikë”. Ligji “Për investimet strategjike” dhe ai “Për Turizmin” të dyja të miratuara në nxitim e sipër në vitin 2015 parashikojnë shpronësim nga shteti në interes të privatit për resorte apo hotele, të cilat fillimisht jepen me qira një euro dhe më pas i kalojnë në pronësi. Përpara pesë vjetëve, menjëherë pas daljes së ligjit u operua në dhjetë raste të ndërtimit të fshatrave turistike.

Në shkrimin e gazetës MAPO të datës 9 maj me titull “Nis “gjuetia” e pronave në bregdetin e jugut”hidhej dyshimi i ngritur nga juristët e fushës se procedura e parashikuar në ligj, me të cilin do të operojë kadastra për regjistrimin e tokave dhe pronave në jug, linte vend për abuzime.

Ligji numër 20/2020 i marsit të këtij viti, parashikon që aktet e marrjes së tokës në përdorim apo pronësi nuk do i nënshtroheshin vlefshmërisë juridike, me gjithë amullinë e shkaktuar në të gjitha këto vite nga ndarja e tokës, ku akoma më i theksuar ky fenomen është në bregun e jugut. Por, si ndihen pronarët e ligjshëm nga ky proces, i cili legalizon gjithkënd vetëm ata jo.

Në bazë të ligjit, tokën do e përfitojnë dhe ata që kanë pasur gjendjen civile, në kohën kur është ndarë toka atje. Pra, oficerë të reparteve ushtarake, agronomë veterinerë apo dhe mësues që mblidheshin nga të gjitha anët dhe dërgoheshin në fshatra. Në bazë të ligjit, pavarësisht se nuk kanë qenë anëtarë aktivë të NB-ve apo Kooperativave, mjaft të kenë rrethuar një copë tokë dhe të vetëshpallen si përdorues të saj dhe mund ta përfitojnë atë.


Pronarët
Por kreu i shoqatës së pronarëve Myrshit Vorpsi, në një prononcim për gazetën MAPO shkon edhe më tej. Sipas tij, nga i gjithë ky proces po përfitojnë të gjithë, vetëm pronarët e ligjshëm jo. “Pra, megjithëse mund të ketë një pronë që ia ka njohur gjykata, mjafton që mos jetë kujdesur që ta rrethojë atë, dhe pronat u jepen zaptuesve” -thotë ai.

Ligji për pronarët ka vetëm një qëllim: të ndajë dhe ato 30 mijë hektarë tokë për të mos u lënë më asgjë pronarëve. Për Vorpsin pas gjithë kësaj që po ndodh fshihen interesa që lidhen thellësisht me oligarkinë. Për këtë ai iu referohet dy ligjeve të miratuara në vitin 2015. Në bazë të këtij ligji, po atë vit filloi dhe ndërtimi i resorteve në bregun e jugut.

“Ju duhet të dini se ka dy ligje, një ligj për turizmin dhe një ligj tjetër për investimet strategjike. Të dyja ligjet janë të 2015-s. Ashtu siç duhet të dini që në vitin 2018 ka dalë dhe një vendim i Këshillit të Ministrave për ngritjen e një Task-Force për evidentimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, gjatë bregdetit shqiptar me qëllim investimin në turizmin bregdetar. Për çfarë ngrihet kjo Task-Forcë sipas VKM? Detyra e kësaj Task-Force është “të evidentojë dhe të regjistrojë në një regjistër të veçantë, pasuritë e paluajtshme që ndodhen 1.5 km nga vija bregdetare e Republikës së Shqipërisë dhe që mund të përdoren për turizmin bregdetar me të gjitha të dhënat e tyre”. Pra, gjithë kjo zhurmë që po bëhet për bregun e detit, bëhet për faktin se të gjitha ato prona janë të përcaktuara ose për investime strategjike, ose për turizmin bregdetar. Dhe të gjithë ata pronat e të cilëve do të ndodhen brenda kësaj fashe të fshatrave apo resorteve turistike që do bëhen, të parashikuara në të dyja ligjet do të shpronësohen për interes publik. Pra, do merret toka si tokë bujqësore dhe ajo sipërfaqe do i kalojë investitorit. E kuptoni se cili është qëllimi i zhurmës që bëhet për bregun”, thotë Vorpsi.

Investitorët
Por çfarë thotë ligji për investimet strategjike. Në këtë ligj, veç të tjerave, parashikohet investim strategjik dhe ngritja e një hoteli ose resorti turistik në vlerën deri në 5 milionë euro dhe që punëson deri në 80 persona. Qeveria me këtë ligj i jep të drejtë vetes të bëjë shpronësime publike në interes të privatit, të cilin në këtë rast e ka quajtur “investitor strategjik”.

Për ta kuptuar më thjesht, shteti bën shpronësime siç bën në rastet kur do i duhet të ndërtojë rrugë apo vepra të tjera publike, por që këtë herë ia vë në dispozicion privatit ose me qira një euro, ose ia kalon në pronësi siç parashikon “Ligji për Turizmin” i miratuar në vitin 2015.

Kleçka tjetër e kësaj nisme është fakti se regjistrimi i pronave që do të bëhet në jugun e vendit, në 80 për qind të tyre kanë statusin e “tokës bujqësore” dhe ndërtimet që janë bërë aty nuk njihen ende si tokë truall. Pra, siç thotë dhe Vorpsi, nuk është çudi që shpronësimet të bëhen me vlera minimale, për t’ia kaluar më tej privatit. Në rastet kur toka vlerësohet si truall, atëherë shteti i referohet hartës së vlerës që gjithsesi është më e ulët se vlera reale e tregut.

Në një shkrim të rrjetit investigativ Birn të shtatorit 2015 me titull: “Resortet turistike në bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura”,evidentohet fakti se cilat janë detyrimet shtetërore sipas ligjit ndaj kategorisë së investitorëve që duket se po investohet fort në pronat e bregut.

“Në dhjetor të vitit 2015, qeveria ka miratuar 10 vendime, me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjikë. Sipas këtyre vendimeve, shteti është i detyruar t’iu ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore. Po kështu, shteti merr përsipër veprimet ligjore për investitorët strategjikë për konsolidimin e titujve të pronësisë, duke bërë regjistrimin fillestar të tyre në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

Ligji për “Investitorin strategjik” neni 22
Pas marrjes së vendimit për dhënien e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e
veçantë”, investitori mund të përfitojë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji, përveç sa
parashikohet në nenin 19, të këtij ligji, shërbime që kanë të bëjnë me:
a) shpronësimin e pasurive të paluajtshme, pronë private, për të mundësuar zhvillimin dhe
realizimin e projekteve investuese strategjike.

Neni 35 “Ligji për turizmin”
Në rastin e investitorëve me status Investitor Strategjik i Veçantë, sipas përcaktimeve në legjislacionin për investimet strategjike, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, rast pas rasti, transferimin e së drejtës së pronësisë të pasurive të paluajtshme shtetërore tek investitori privat, duke e kushtëzuar kalimin me realizimin e plotë të investimit.

Kur vlerësohet nga Këshilli i Ministrave, marrëveshja për realizimin e investimit strategjik propozohet për miratim me ligj të posaçëm në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Share: