Nga Moza Ahmeti dhe Rita Petro
MOZA:
Vese të çiltra
Në akuzë me ju më vunë dhe mua
Normalisht nuk prekem, ju ngjaj …
A s’jeni ju
Vetja ime e dashur
Që unë e shfaq aq herë
Sa turpërohen…
RITA:
Të falem
O vetja ime,
O strehëza e mbretërisë sime!
I vetmi vend
Ku mund të rrish gjunjë më gjunjë
Lakuriq
Vetëm për vetëm
Me vetveten
Dhe të ndihesh pa siklet
Frymën e saj jo aq të pastër
Që rikthehet tek ti….
MOZA:
Ishte një rrugë ku vazhdimisht kaloje,
ti, e dashur,
ti, e bukur,
ti, ekstravagantja ime,
e të tjerëve, ekstravagante,
e sharë, e poshtëruar, e komplimentuar,
si historia e një pikture të çmuar…
RITA:
Të ftoj mikja ime,
Shëmbëllimi im i përsosur,
Eja të kërcejmë vallen e vdekjes
Mbi kurrizin e demave…
A e ndien si ringjallen
Nepërkat e zjarrta
Brenda trupave tanë?!
Ndërsa burrat
Pasi të munden
Do të na shajnë lesbike…
MOZA:
Është cudi kur je femer…
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit…
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë e mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë detit ku i vjen për të qarë, për të qarë,
ngaqë se si është, është me barrë…
RITA:
Po iki të rigjej lirinë time
Por tani
Si kanguri
Me fëmijën
(varur në marsupium)
Ushqej atë dhe veten falë metabolizmit
Më rëndon
Ma ul kokën
Por kur fryn era e marrë dhe stuhia
Jam më e sigurt
Peshojmë të dyja më shumë…
Eci mes drurëve të thatë
Ku s’mbarojnë
Lindjet dhe perëndimet e diellit
E ndjeva pëshpëritjen tënde Zoti im
Atë natë në vesh
Ndaj erdha të kërkoj këtu dashurinë…
MOZA:
Po të them e dashur,
rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese..
Diç parandiej…
RITA:
Dhe…?
Çfarë bëre pastaj? E kapërceve gardhin?
Ç’pyetje koti! Edhe tela me korrent po të ishin, do ta kapërceja…
…
Tashmë jemi në ZONËN E RREZIKUT
ZONËN E NDALUAR TË DASHURISË…
(Fragmente poezish nga Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro)