Për kë e ke këtë herësin e Damianit, o kryetimonier, sipas të cilit listat mbyllen 99.99 përqind, por teorikisht popullit nuk i hiqet e drejta të vendosë kryqin aty ku gjoja i do zemra. Edhe pse vota e tij nuk do të ketë asnjë vlerë për të zgjedhur deputetin që pëlqen.
Që do të thotë se rezultati do të jetë si tabelë emulacioni në kohën e diktaturës, ku thjesht të afishohen ata që kanë punuar më mirë se të tjerët, por në parlament hyjnë vetëm ata që ka vendosur në krye të listës kryetari i partisë.
Sepse zoti Luli po bën sikur nuk e ka mendjen, edhe pse ndjehet qartësisht se po i lëshon goja lëng, duke pritur me padurim ditën që kjo “mrekulli” të miratohet në mënyrë të njëanshme në parlament.
Por tek e fundit, ai është në të drejtë të Zotit të përfitojë pa asnjë kosto prej një poshtërsie politike dhe juridike, që ka nisur dhe mund të bitiset vetëm me votat e “Rilindjes”.
Opozitën parlamentare, për të cilën u betove se e bëre sakrificën e hapjes së listave, e ke kategorikisht kundër, me akte dhe me fjalë. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se po bëhet gjithmonë e më e vështirë të gjesh budallenj në këtë botë.
Në këto kushte e ke detyrim të na thuash, se kujt po ia bën nderin, duke menduar se mund të na çosh në zgjedhje me një ligj, që e përkeqëson edhe më shumë pabarazinë dhe deformimin e vullnetit të qytetarëve, gjë që e bën më të fortë bipolaritetin apo pushtetin e kryetarëve të dy partive kryesore.
Sepse para 30 korrikut na u ankove se kishe vetëm 74 vota dhe nuk mund t’ia plotësoje të gjitha dëshirat Lulit. Tani duhet ta marrësh vetë përsipër të gjithë faturën e listave të mbyllura, pa koalicione dhe me prag të shtuar kombëtar 3 përqind, sepse PD-ja formalisht nuk ka asnjë rol për të luajtur.
Mbase nuk të kemi njohur mirë në këto vite, o kryetimonier, duke menduar për ty se i bën mirë pazaret, por nuk ke lidhje fare me kauzat dhe betejat parimore. Ky është rasti për të na dëshmuar, se je i gatshëm për të qenë edhe i vetëm trim në luftë, qoftë kjo edhe e ndyrë, siç e parashikon drafti Gjiknuri, për të cilën është e sigurt se do ta mbash i vetëm përgjegjësinë.