Home POEZI HISTORI E PASHQIPTUESHME…

HISTORI E PASHQIPTUESHME…

Nga Rudina Çupi

Me pëshpërimë, si perdet në erë
te veshi në formë treshi (se të tretët rrëfejnë)
të them se ka veç një mënyrë të dal prej realitetit:
ta ngjyej gjuhën në histori;
në gjuhën e saj të errët, të lustruar, erëmirë
për t’ia dëgjuar nga brenda fjalët që i dridhen
e kapen pas qiellzës si lakuriqë nate pa sy,
jehojnë teksa dalin mes të puthurave
krahëlagur e lëkurorë,
për t’u futur në gojën e pahijshme që rri ndër këmbë
me qiellzë të thellë, bërë qull e vesë,
në atë të vetme banesë
që ti e ke përdorur për meshë,
në gojën e vyshkur si e helmëta Zhulietë
para së cilës je ulur në gjunjë
e je lutur si Romeo për mëshirë
e pastaj me lapsin tënd të ngjyer në dëshirë
ke kryer me shkrim mëkate e marrëzi
duke më therur në zemër t’gojës me babëzi
dhe aty, mbi buzët e plagës si petal
ke derdhur melhem e nektar
e vetë je dergjur i penduar, meit, mbuluar në të bardhë
e vyshkjen teksa gjallërohej e gufohej s’e ke parë,
ke mbetur si një Shekspir i vetëvrarë.

Share: