Home KRYESORE Vazhdon perplasja META- Rama, Rama – Metës: Bej punet e tua te...

Vazhdon perplasja META- Rama, Rama – Metës: Bej punet e tua te cilat i ke harruar

Kryeministri Rama ka reaguar pas letrës së Presidentit Meta ku kërkon një rivlerësim total të situatës së pandemisë.

Rama shkruan në Twitter se presidenti nuk ka kompetencë të ndërhyjë në punë e ekspertëve. Ai shton se rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe nënvizon faktin se ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë

“Ilir ti s’ke asnjë kompetencë të fusësh hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore! Si fillim mos dil vetë pa maskë nga shtëpia,mblidh edhe partinë tënde që të mos bëjë thirrje histerike kundër maskës dhe shiko punën që ke se vetëm atë s’po bën prej kohësh! Ekspertët janë ata që vendosin për hapat që duhen ndërmarrë çdo ditë në bazë të strategjisë së vjeshtë-dimrit. Rritja e numrave është brenda parashikimeve dhe ne duhet të shmangim me çdo kusht një mbyllje të re, prandaj secili, ti i pari, duhet të zbatojë rregullat e thjeshta! Ministrja e Shëndetësisë meriton përkrahje pa rezervë për punën e palodhur që po bën, siç e meritojnë ekspertët dhe padiskutim mjekët e infermierët që po shkëlqejnë prej muajsh në këtë luftë, ku e tërë bota po vuan nga të njëjtat probleme e dilema të mëdha vendim-marrëse!”, shkruan Rama.

Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër ministres së Shëndetësisë, duke marrë shkasë nga rritja e numrit të të infektuarve me COVID-19.

Presidenti kërkon një “rivlerësim tërësor të situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues” në pandemi.

“Nisur nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve të cilën kanë humbur jetën, shtrohet si domosdoshmëri një rivlerësim tërësor i situatës dhe masave të marra në raport me të, duke konsideruar edhe afrimin e stinës së ftohtë, si një tjetër faktor rëndues. Me përshkallëzimin e krizës së rëndë politike e institucionale, veçanërisht pas shkeljes brutale e të njëanshme të Marrëveshjes konsensuale të 5 Qershorit, situata e pandemisë pritet të përkeqësohet drejt një katastrofe, që duhet parandaluar në kohë”, shkruan Meta në një postim në Facebook, të cilin e shoqëron edhe me letrën e tij.

Letra i është dërguar për dijeni edhe kryeministrit Rama dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Share: